Ndërlidhjet

WSJ: “Sukseset e politikës së jashtme të Obamës”


Presidenti amerikan, Barak Obama
Presidenti amerikan, Barak Obama
"The Wall Street Journal"


Shkruan: Xhejms Rubin, ish ndihmës Sekretar i Shtetit në administratën Klinton.

Administrata Obama është mik i pasigurtë dhe rival nga i cili të bie të fikët. Aleatët e Amerikës në Evropë nuk i shohin më si pasuri lidhjet e tyre me Shtetet e Bashkuara. Turqia na sfidon pa paguar asnjë çmim. Liderët kinezë e vënë në pikëpyetje guximin tonë. Programi bërthamor i Iranit vazhdon pa u kontrolluar.

Ky është kori i kritikave që vijnë nga Republikanët. Gabimi i fundit i presidentit Obama, kuptohet, është mbështetja e rezolutës së Kombeve të Bashkuara, e cila dënoi aksionet e Izraelit që rezultuan me vdekjen e nëntë njerëzve në flotiljen humanitare për në Gaza.

Por, a kanë harruar kritikët se çfarë ndodhi me respektin ndaj Shteteve të Bashkuara si pasojë e tetë viteve të politikës së jashtme të republikanëve.
Në çështjet ndërkombëtare, konteksti është i rëndësishëm. Administrata Bush nuk i njohu rregullat ndërkombëtare mbi ndryshimet klimatike, trajtimin e të burgosurve dhe kontrollin e armëve. Ajo i hodhi poshtë vlerat e aleancave, duke bërë diplomaci shkel e shko para luftës në Irak dhe duke keqmenaxhuar luftën.

Këto aksione e lanë Amerikën të izoluar. Si rezultat, deri në vitin 2009, aleatët ishin shumë pak të gatshëm t’i përkrahin politikat e Uashingtonit. Duke parë
përpjekjen tonë ushtarake gjashtë vjeçare në Irak dhe tetë vitet e luftimeve në Afganistan, kundërshtarët tanë ishin më pak të frikësuar. Asgjë që z. Obama ka bërë apo nuk ka bërë në 18 muajt e fundit, as që mund të krahasohet me dëmet që paraardhësi i tij i shkaktoi pozicionit të Amerikës në botë.

Përkundrazi, administrata Obama i ka rikthyer aleancat dhe miqësitë në mbarë botën, përderisa i ka dëbësuar njerëzit si Mahmud Ahmadinexhadi në Iran dhe Hugo Çavezi në Venecuelë.

Disa studime tregojnë se zgjedhja e z. Obama, me thirrjen e tij për partneritet, respektim të rregullave ndërkombëtare për të burgosurit, dhe pranim të përgjegjësive për ndryshimet e klimës, e kanë transformuar Amerikën nga një superfuqi e vetme që zakonisht shihej si kërcënim për rendin botëror, në një lider të domosdoshëm në Evropë, në Azi dhe në Lindjen e Mesme.

Mënyra më e mirë për ta rikthyer ndikimin e Shteteve të Bashkuara është përshtatja ndaj botës që ndryshon. Përveç tërheqjes së suksesshme të forcave amerikane nga një Irak relativisht stabil dhe rezultateve të mira nga shtimi i trupave në Afganistan, dy çështje tjera janë modernizimi i aleancave tona dhe riorientimi i qeverisjes botërore nga grupi G 7 te G 20.

Sa i përket Iranit, është e vërtetë se sot nuk jemi afër zgjidhjes së ambicjeve bërthamore të Teheranit, por ka pasur dy zhvillime të rëndësishme. Si rrjedhojë e politikës së hapur të administratës Obama, qeveria e Iranit sot ka më pak mbështetje në vend, më pak kredibilitet në rajon dhe më pak miq në botë.

Sa u përket armiqve si Al Kaida, ata po shkatërrohen sistematikisht me sulme nga ajri dhe nga toka si kurrë më parë.

Thënë thjesht, ndryshimet nga Bushi tek Obama nuk kanë qenë gjë tjetër përveç lajme të këqija, për njerëzit e këqij.(v.p.)
XS
SM
MD
LG