Ndërlidhjet

GND-ja kundër ndarjes


Shefi i ICO-së, Piter Feith, presidenti Fatmir Sejdiu, dhe kryeminstri Hashim Thaçi
Shefi i ICO-së, Piter Feith, presidenti Fatmir Sejdiu, dhe kryeminstri Hashim Thaçi

Grupi Ndërkombëtar Drejtues u shpreh kundër ndarjes së Kosovës dhe kërkoi qasje më të madhe të Prishtinës dhe komunitetit ndërkombëtar në veri. Autoritetet e Kosovës, ndërkaq, në takimin me anëtarët e GND-së, kërkuan ndihmë në njohjet e mëtejme.


Grupi Ndërkombëtar Drejtues përsëriti se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme, ndërsa përjashtoi mundësinë e ndarjes, duke e mbështetur integritetin territorial të vendit.

Këtë qëndrim e bëri të ditur shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, pas një dreke pune, që anëtarët e GND-së patën me presidentin dhe kryeministrin e Kosovës në Prishtinë.

Feith tha se grupi pret që të përfundojë zbatimi i Planit të Ahtisarit, ndërsa decentralizimi të zgjerohet edhe në veri.

“Më e rëndësishmja është se Bashkimi Evropian dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të kenë qasje më të mirë në veri, në mënyrë që të ofrojmë shërbime më të mira për qytetarët. Duhet të krijojmë lidhjet administrative mes Prishtinës dhe komunave në veri”.

“Ka një pajtim të gjerë në Grupin Ndërkombëtar Drejtues se ndarja nuk duhet të jetë rezultat i synuar. Prandaj, ne duhet të kemi qasje, në mënyrë që veriu të marrë pjesë në procesin e stabilizim-asociimit, që është pjesë e perspektivës evropiane
”, tha Feith.

Në anën tjetër, presidenti Sejdiu, i cili shtroi drekë pune për anëtarët e GND-së, tha se ka kërkuar nga miqtë e Kosovës, që ta ndihmojnë në procesin e njohjes, pas dhënies së mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Një ftesë që unë ua bëra përfaqësuesve të GND-së, që janë drejtorë politikë e ambasadorë, që të japin një ndihmë të veçantë në vazhdimësi për njohje të mëtejme të Republikës së Kosovës dhe të anëtarësimit të saj në mekanizmat ndërkombëtarë”.

“Krahas sfidave, me të cilat përballet shteti i ri i Kosovës, Kosova është një rrëfim suksesi, një rrëfim i mirë i kapërcimit me kualitet të një distance që nga koha kur është pavarësuar, por paralelisht kemi një zotim që do ta realizojmë në ecje e sipër, për të pasur Kosovën me realizim të pritjeve të qytetarëve të vet, një Kosovë të plotë, një pavarësi që nuk ka kthim, një pavarësi që nuk negociohet dhe një integritet të plotë territorial”
, theksoi presidenti Sejdiu.

Në konferencën e përbashkët për gazetarë të Feithit, Sejdiut e Thaçit, nuk mbeti pa u përmendur edhe tema më e debatueshme e këtyre ditëve, lufta kundër korrupsionit.

Presidenti Sejdiu bëri të qartë se Kosova nuk është e inkriminuar, por theksoi se ndonjë individ mund të ketë shkelur ligjin. Ai, po ashtu, tha se politika nuk duhet të përzihet në drejtësi.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi përsëriti përkushtimin në luftimin e këtij fenomeni negativ.

“Ne kemi arritur që pas 10 vjetësh të heshtjes ndaj korrupsionit, por në një formë edhe të tolerimit të korrupsionit, të marrim vendimin të ndërprerjes së këtij trendi të rrezikshëm dhe ndjehem mirë që gradualisht po fillojmë të jemi në vijën e parë, apo në ballë të luftës kundër korrupsionit”
, tha Thaçi.

Ndryshe, Grupi Ndërkombëtar Drejtues i dha mbështetje komunës së re të Graçanicës dhe procesit të decentralizimit në tërësi. Anëtarët e këtij grupi qëndruan mëngjesin e së hënës në Graçanicë, e cila u shndërrua në komunë në bazë të planit Ahtisaari.

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, tha se GND-ja është e përkushtuar për suksesin e komunës së re dhe për procesin e decentralizimit.

“Ne duhet ta përfundojmë procesin e decentralizimit në komunat në jug të Kosovës, duhet ta përfundojmë transferimin e përgjegjësive nga komunat amë te komunat e sapoformuara, ku komuniteti serb është shumicë”.

“Ne mezi po presim zgjedhjet në Partesh dhe presim pjesëmarrje domethënëse të votuesve serbë, në mënyrë që ata ta marrin jetën në duart e tyre”
, tha Feith.

Ndërsa, ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, kërkoi mbështetjen e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për zbatimin e decentralizimit edhe në pjesën veriore të Kosovës. Ai theksoi se model për sukses të këtij procesi është Graçanica, si dhe dy komunat tjera, Ranillugu dhe Kllokoti.

“Nëse qytetarët këtu kanë krijuar optimizëm dhe kanë krijuar një besim se mund të jetojnë bashkë dhe mirë, aq më parë ne mendojmë se ajo do të bëhet e mundshme dhe në Mitrovicë, Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok
”, tha Ferati.

Në anën tjetër, kreu i komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviq, e vlerësoi si shumë të rëndësishme vizitën e Grupit Ndërkombëtar Drejtues në komunën e re.

“Kjo vizitë është shumë domethënëse për ne, sepse sot bota është në Graçanicë, Evropa është në Graçanicë dhe sot flasim dhe shqyrtojmë shanset, edhe sfidat”.


“Çka është ajo që nga shansi ia kemi dalë ta materializojmë atë që në mënyrë të drejtpërdrejtë do të sillte jetë më të mirë për qytetarët dhe cilat janë ato sfida që ende duhet të përballemi, sepse natyrisht ky është një proces që do të vazhdojë, nuk do të mund t’i kryejmë të gjitha deri në fund”
, tha Stojanoviq.

Qëllimi parësor i Grupit Ndërkombëtar Drejtues është që të përkrahë zbatimin e plotë të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

Anëtare të GND-së janë disa nga shtetet që e kanë njohur Kosovën, kryesisht vende të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

GND-ja ndihmon në drejtimin e zhvillimit demokratik të Kosovës në vitet e ardhshme, si dhe përpiqet që të promovojë qeverisjen e mirë, shumë-etninë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
XS
SM
MD
LG