Ndërlidhjet

Veriu dhe cilësia e dyshimtë e mallrave


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Pika kufitare me Serbinë në veri të Kosovës, paraqet portën kryesore të hyrjes së produkteve me cilësi të dyshimtë dhe me afat të skaduar, vlerësuan pjesëmarrësit e debatit “Biznesi në funksion të mbrojtjes së konsumatorit”, që u mbajt në Prishtinë. Derisa zyrtarë të institucioneve të Kosovës thanë se është shënuar progres në mbrojtjen e konsumatorit, përfaqësues të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e konsumatorit, shfaqwn shqetësimet e tyre lidhur me rrezikun që vjen nga qarkullimi në treg i produkteve me cilësi të dyshimtë.


Përfaqësues të Organizatave Joqeveritare adresuan një varg akuzash tek autoritetet kosovare për mosangazhim të duhur në mbrojtje të konsumatorit.
Ata thanë se hulumtimet e bëra, kanë rezultuar se në Kosovë mbrojtja e konsumatorit është nën nivelin e duhur.

Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, tha se parregullsitë e gjetura tregojnë se konsumatori në Kosovë është mjaft i rrezikuar nga produktet e ndryshme.

“Në bazë të anketimeve të brendshme dhe të jashtme, thuhet se ligjet në Kosovë zbatohen 30 deri 40 për qind, po ashtu mund të themi se konsumatori i gëzon po këto të drejta deri në 40 për qind. Mirëpo, në konsum kjo përqindje mund të jetë edhe helmuese”
, tha Kaçaniku.

Ndërkohë, mallrat, në cilësinë dhe afatin e skadimit të të cilave dyshohet më së shumti, janë ato që hyjnë nga kufiri me Serbinë.

Kjo çështje, sipas udhëheqësit të organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, duhet të zgjidhet, pasi që dëmet janë tejet të mëdha dhe të pariparueshme.

“Çështja e kufijve është çështje politike, por me këtë duhet të merremi të gjithë. Neve nuk na intereson politika, por ne duam kufij të sigurt, në mënyrë që të mos rrezikohet shëndeti i qytetarëve”
, theksoi Kaçaniku.

Kryeinspektori i Inspektoratit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Ruzhdi Shehu, tha se është arritur progres në luftimin e kësaj dukurie negative në Kosovë.

Edhe Shehu pohoi se nga pika kufitare me Serbinë hyjnë më së shumti mallra me cilësi të dyshimtë.

“Inspektorati i tregut në mënyrë permanente bën kontrollin e brendshëm të produkteve të vendosura në treg. Një rëndësi e veçantë iu kushtohet mallrave, të cilat hyjnë nga pjesa veriore e Mitrovicës, pasi që kjo pjesë lë dilema të diskutueshme të mallrave me cilësi të dyshimtë”
, pohoi Shehu.

Angazhimi për mbrojtjen e konsumatorit është kritikuar edhe nga Komisioni Evropian në raportin e progresit për Kosovën, në të cilin theksohet nevoja për angazhim më të fuqishëm institucional në këtë drejtim.

Ndërkaq, përfaqësuesi i Agjencisë së ushqimit dhe veterinarisë, Ibrahim Tërshnjaku, tha se në vazhdimësi janë duke e luftuar këtë dukuri.

“Deri më tani të gjitha ato parregullsi që janë gjetur, janë ndaluar, janë konfiskuar, janë asgjësuar dhe kanë vazhduar procedurat tjera ligjore kundër veprimtarive të paligjshme”,
deklaroi Tërshnjaku.

Ndryshe, mbrojtja e konsumatorit në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve.
XS
SM
MD
LG