Ndërlidhjet

Veriu sfidon Kushtetutën


Në dyvjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, hartuesit e saj u bëjnë thirrje autoriteteve përgjegjëse që ta zbatojnë atë edhe në veri, ndërsa ICO-ja kërkon zbatimin në terren të dispozitave që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve.


Janë bërë dy vjet prejse Kosova është pajisur me dokumentin bazë të shtetësisë - Kushtetutën.

Mirëpo, zbatimi në terren i dokumentit që buron nga plani për pavarësi të mbikëqyrur i Marti Ahtisarit vazhdon të hasë në pengesa rreth implementimit, sidomos në pjesën veriore të Kosovës, për faktin e mosnjohjes së saj nga banorët serbë të asaj zone.

Nënkryetarja e Komisionit për Hartimin e Kushtetutës, Nekibe Kelmendi, thekson nevojën për më shumë punë në drejtim të shtrirjes së ndikimit të Kushtetutës edhe në veri.

Nekibe Kelmendi
“Sfidat që do të ishin nga ajo Kushtetutë, do të ishin që të respektohet nga të gjithë, të shtrihet respektimi i saj në të gjitha viset e Kosovës, në të gjitha anët e Kosovës, duke përfshirë edhe veriun e Kosovës. T’i përmbahemi të gjithë Kushtetutës dhe ligjet të jenë në harmoni me Kushtetutën dhe të tjera”,
thotë Kelmendi.

Zyra Civile Ndërkombëtare, në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, kanë hartuar tashmë strategjinë për shtrirjen e autoritetit shtetëror edhe në veri.

Në mbledhjen e së hënës, Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën mbështeti integritetin territorial të vendit, duke kërkuar, në të njëjtën kohë, një qasje më të madhe të autoriteteve vendore e ndërkombëtare në veri.

Zëdhënësi i ICO-së, Endi Mekgafi, thotë se duhet të punohet me kujdes për t’i bindur banorët e pjesës veriore që ta pranojnë Kushtetutën e Kosovës.

“Duhet të ketë kujdes që kjo të mos vendoset në një kontekst tërësisht negativ. Natyrisht se ka shumë punë për t’u bërë, natyrisht se nuk do të jetë e lehtë, por qëllimi i zbatimit të Kushtetutës për të gjithë në Kosovë është një jetë më e mirë dhe një jetë që zhvillohet drejt anëtarësimit eventual në strukturat euro-atlantike”, shprehet Mekgafi.

Ai thotë se përgjatë dy vjetëve, institucionet kosovare kanë shënuar progres në konsolidimin e institucioneve shtetërore, në decentralizim dhe në fusha të tjera.

Sfidë për të ardhmen, sipas tij, mbetet zbatimi i dispozitave kushtetuese që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve.

Endi Mekgafi

"Tani, natyrisht se ka një gamë të gjerë të gjërave të Kushtetutës që duhet të bëhen. Ky është një projekt i vazhdueshëm për Kosovën. Ne në ICO do t’i theksonim dispozitat për të drejtat e komuniteteve, një pjesë e madhe e të cilave ekziston në legjislacion, por të cilat duhet të zbatohen në terren”,
thotë Mekgafi.

Kushtetuta e Kosovës ishte miratuar në Kuvend, më 9 prill të 2008-ës, me 41 ligjet bazike shtetërore që burojnë nga Pakoja e Ahtisarit, e të cilat janë harmonizuar me Zyrën Civile Ndërkombëtare në Prishtinë, e cila mbetet përgjegjëse për mbikëqyrjen e pavarësisë së Kosovës dhe zbatimin e Planit Ahtisaari.

Autoritetet kosovare deklaruan, ditë më parë, se pavarësisë së mbikëqyrur po i vjen fundi, mirëpo në ICO kjo gjë vlerësohet ndryshe. Mekgafi thotë se Zyra Civile Ndërkombëtare, e cila në fillim të këtij viti reduktoi stafin e vet për diku 10 për qind, do të ndryshojë varësisht nga puna që bëjnë institucionet kosovare lidhur me zbatimin e Planit Ahtisari.

“Mund t’ju siguroj se do të vazhdojmë të shikojmë implementimin e planit gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës dhe me përmbushjen e fushave nga ai, ne do të vazhdojmë të reduktojmë praninë e ICO-së. Në fund të fundit, do t’u takojë vendeve anëtare të Grupit Drejtues Ndërkombëtar të japin një mendim mbi këtë gjë”, thotë ai.
XS
SM
MD
LG