Ndërlidhjet

MPB: Kosova (s’)është burim i trafikimit


Autoritetet kompetente në Kosovë e vlerësojnë real në përgjithësi raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku thuhet se Kosova është burim, transit dhe vend i destinimit të trafikimit me qenie njerëzore. Por, megjithëse e vlerësojnë real, hedhin dyshime nëse Kosova është burim i trafikimit. Zyrtarë qeveritarë pohojnë angazhimet në këtë drejtim.


Autoritetet kosovare në Prishtinë e vlerësojnë real raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit. Për Kosovën, raporti thotë se është burim, transit dhe vend i destinimit të trafikimit për femra dhe fëmijë.

Raporti shpjegon se femrat janë subjekt i trafikimit për prostitucion të detyrueshëm, ndërsa fëmijët detyrohen të kërkojnë lëmoshë. Por, megjithëse e quajnë në përgjithësi real, autoritetet ngrenë disa pikëpyetje.

Fatmir Xhelili, zëvendësministër i Punëve të Brendshme, hedh dyshimin nëse Kosova është burim i trafikimit me qenie njerëzore.

Këtë konstatim ai e mbështet në të dhënat zyrtare të vendeve të Bashkimit Evropian. Xhelili thotë se deri më tani institucionet kosovare nuk kanë asnjë rast, që është raportuar si viktimë e trafikimit në shtetet evropiane.

“Çështja e asaj që është burim i trafikimit apo jo, është një pikëpyetje. Kjo duke u bazuar në të dhënat dhe rezultatet prej institucioneve tona, por edhe prej institucioneve të shteteve të bashkësisë evropiane, të cilat asnjëherë nuk na janë drejtuar që ndonjë viktimë e shtetit të Kosovës, është identifikuar në shtetet e Evropës. Unë konstatoj që ne nuk jemi burim i trafikimit. Por, nuk e përjashtoj atë mundësi”,
thotë Xhelili.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, vë në pah edhe ndihmën e kufizuar nga ana e Qeverisë në riatdhesimin apo riintegrimin e viktimave të trafikimit, pasi janë larguar nga qendrat e strehimit.

Lidhur me këtë, Basri Kastrati, nga Departamenti për asistencë të viktimave të trafikimit, që funksionon në kuadër të Ministrisë se Drejtësisë, thotë:

“Qeveria ka bërë mjaft në këtë aspekt, brenda mundësive reale dhe buxhetore dhe është një prej vendeve të para që ka një mekanizëm institucional, që është divizioni ynë për mbrojtje dhe ndihmë viktimave, i cili i përkrah këto viktima që nga fillimi i procedurave në stacionet policore dhe deri në riintegrimin e plotë, për viktimat vendore - në familje, kurse për ato të huaja - në shtetin nga kanë ardhur”,
thekson Kastrati.

Ndryshe, në Kosovë ekzistojnë mekanizma ligjorë që ndëshkojnë kryesit e këtyre veprave penale nga dy deri në 12 vjet heqje lirie. Por, megjithatë, thuhet në raport, nuk janë dhënë dënime adekuate për trafikuesit.

Ky shqetësim është ngritur disa herë edhe nga organizatat joqeveritare në Kosovë. Naime Sherifi, drejtore ekzekutive në Qendrën për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, thotë se masat e dënimit duhet të jenë më ashpra.

“Konsiderojmë se dënimet janë shumë të vogla. Për një grup që është krim i organizuar, 12 vjet maksimale, është dënim shumë i vogël”
, shprehet Sherifi.

Në vitin 2009, Qeveria ka ndjekur 25 trafikantë, 22 nga të cilët janë dënuar, me çka shënohet një rritje prej 15 rastesh, në krahasim me vitin 2008.

Por, në raport theksohet se nga 22 të dënuarit, vetëm dy prej tyre kanë filluar ta vuajnë dënimin; të tjerët mbeten të lirë me ankesat që kanë paraqitur, duke ua bërë, me gjasë, të mundur që të vazhdojnë të eksploatojnë viktimat e tyre.

Sido që të jetë, në bazë të këtij raporti, Kosova radhitet në kategorinë e dytë, kategori kjo që, sipas Fatmir Xhelilit, tregon sukses për institucionet kosovare.

Në këtë kategori, shpjegon Xhelili, hyjnë të gjitha shtetet që nuk kanë mundur t’i plotësojnë të gjitha standardet minimale për mbrojtjen e viktimave të trafikimit, por që, sipas tij, angazhimi dhe përkushtimi për luftimin e kësaj dukurie ekziston.
XS
SM
MD
LG