Ndërlidhjet

Vetëvritet Bekim Fehmiu


Bekim Fehmiu
Bekim Fehmiu
Aktori Bekim Fehmiu është gjetur i vdekur sot në banesën e tij, në lagjen Zvezdara, në Beograd, i është thënë agjencisë beogradase Beta në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë.

Policia supozon se Bekim Fehmiu ka bërë vetëvrasje.

Ai ishte i lindur më 1 qershor, 1936.

Aktori kosovar u bë i njohur me filmin “Mbledhësit e Puplave”. Ai ka xhiruar edhe shumë filma të tjerë të njohur.

Përveç kësaj, ai ka pasur sukses edhe me filmin e prodhimit amerikan “Aventuristët”, në vitin 1971.

Pos në ish-Jugosllavi, i ndjeri Bekim Fehmiu ka aktruar edhe në shtetet e tjera evropiane, e veçanërisht në Itali.

Ka pasur kontratë shumëvjeçare me regjisorin e njohur italian, Dino De Laurentis, dhe ka bashkëpunuar me aktorët e njohur botërorë, siç janë: Xhon Hjuston, Ava Gardner, Dirk Bogart, Sharl Aznavur e të tjerë.

Në vitin 2001, Bekim Fehmiu botoi librin “Shkëlqyeshëm dhe tmerrshëm”, në të cilin ai përkujton fëmijërinë e kaluar në Sarajevë, Shkodër dhe Prizren.

Me këtë libër, Bekim Fehmiu thuhet se u kthye në jetën publike, pasi ishte tërhequr për një kohë të gjatë.

Tërheqja nga jeta publike ishte bërë në shenjë të protestës kundër propagandës anti-shqiptare dhe përhpajes së urrejtjes ndaj shqiptarëve.

Bekim Fehmiu ishte i martuar me aktoren Branka Petriq, me të cilën kishte dy djem, Hedonin dhe Uliksin. (f.b.)

* * * * *

Video paraqet inserte nga filmi "Dezertori" (The Deserter), ku aktori Bekim Fehmiu luan rolin kryesor, krahas aktorëve botërorë: Richard Krena, Chuck Konnors, Ricardo Montalban dhe John Huston.




Në filmin e njohur "Odisea", Bekim Fehmiu luan rolin e Uliksit, ndërsa Irena Papas rolin e Penelopes.

XS
SM
MD
LG