Ndërlidhjet

Humbja e një aktori të papërsëritshëm


Bekim Fehmiu

Bekim Fehmiu

Lajmi për vdekjen e aktorit shqiptar, Bekim Fehmiu, është shumë i rëndë për njerëzit në Kosovë, vlerësojnë përfaqësuesit e komunitetit të artistëve. Ata e cilësojnë aktorin e ndjerë si figurë të pazakontë dhe të papërsëritshme.



Vdekja e aktorit Bekim Fehmiu ka pikëlluar të gjithë shqiptarët; ata e perjetojnë si humbje të një njeriu që i bënte të ndjehen krenarë, thonë përfaqësuesit e komunitetit të artistëve në Kosovë.

Bekim Fehmiu ndërroi jetë në moshën 74-vjeçare në Beograd. Policia dyshon të ketë kryer vetëvrasje.

Regjisori Isa Qosja thotë se vdekja e Fehmiut shënon humbjen e një aktori të papërsëritshëm.

“Lajm i rëndë... shumë i rëndë, për komunitetin dhe për Kosovën në përgjithësi, për njerëzit e Kosovës. Megjithatë, ishte krenari kur e dëgjonim emrin e tij në skenën ndërkombëtare... dhe me arsye të madhe, sepse Bekimi Fehmiu ishte një figurë e pazakontë, e veçantë, një figurë artistike, i papërsëritshëm”.

“Në disa filma ka lënë freski të vërteta. Është një humbje tejet e madhe për të gjithë. Kishte shumë energji, shumë vullnet, shumë fuqi artistike dhe ja... përfundoi në mënyrë shumë tragjike, shumë të rëndë... e habitshme për mua”,
shprehet Qosja.

Edhe regjisori Ekrem Kryeziu e quan humbje të rëndë vdekjen e aktorit Bekim Fehmiu.

“Lajmet e këqija nuk të kursejnë... e ndjeva veten shumë keq, për arsye se u shua një yll i kinematografisë së Ballkanit. Ka qenë dhe do të ngelë i freskët në mendjen time. Shumë njerëz tonë të mëdhenj i kanë ofruar shumë, tepër botës... E vërtetë... është katapultuar aq shpejt në orbitë, saqë i ka marrë rrënjët me vete. Ai i ka marrë rrënjët me vete dhe i ka takuar gjithësisë”,
deklaron Kryeziu.

Lajmi për vdekjen e Bekim Fehmiut është një kumt i zi, thotë dramaturgu dhe publicisti Haqif Mulliqi.

“Është një kumt i zi, të cilin nuk do të kisha dëshirë ta dëgjoja asnjëherë. Bekimin e kam njohur shumë mirë dhe nga afër. Është shuar një prej artistëve më të mëdhenj shqiptarë të shekullit 20, i cili, objektivisht, na ka bërë të ndjehemi krenarë që jemi shqiptarë dhe, jo rrallë, ka qenë edhe frymëzim për të gjithë artistët shqiptarë, kudo që kanë jetuar”.

“Nuk duhet harruar se Bekim Fehmiu është zhvilluar në një rrethanë krejtësisht të pamundshme për t’u zhvilluar një artist shqiptar. Kishte sfida të mëdha në jetë...”,
thotë Mulliqi.

Bekim Fehmiu, gjatë karrierës së tij, nuk ka luajtur në ndonjë film në gjuhën shqipe. Por, përfaqësuesit e komunitetit të artistëve në Kosovë thonë se, pavarësisht nga ky fakt, ai njihet si aktor që ka shpërthyer kufijtë nacionalë për t’ia falur artin botës.

Regjisori Qosja thotë se aktori Bekim Fehmiu ka lënë gjurmë të pashlyera në kinematografinë e rajonit dhe të Evropës.

“Ai ka lënë mbresa dhe ka treguar fuqinë artistike, figurën... Ka treguar portretin e njeriut tonë, një portret që është vështirë ta gjejmë si të tillë. Kjo është ajo që ka rëndësi për ne. Fatkeqësisht, s’kemi pasur rastin që ta kemi në një projekt tonin. Fatkeqësisht... nuk kemi pasur mundësi”, thotë Qosja.

Ngjashëm shprehet edhe regjisori Kryeziu:

“Arti është arti i botës. Me këtë, në njëfarë mënyre, neve na ka madhëruar, sepse në këtë orbitë që nuk është më kombëtare, në orbitën e yjeve të botës, e kemi edhe ne një njeri që e ka pasur zemrën shqiptare, por që, fatkeqësisht, nuk ka pasur rol në gjuhën shqipe. Bekimi ka qenë një fanar, drejt të cilit ne jemi orientuar”.


Dramaturgu Mulliqi e vlerëson aktorin e ndjerë si një figurë që do të shërbejë si model për aktorët e ardhshëm.

“Do të pretendohet për vite e dekada, që të arrihet në atë nivel nga secili artist, jo vetëm shqiptar, por edhe ballkanas. Në fakt, madhështia e Bekimit ishte se ai ishte shqiptar, por përgjithësisht u ka takuar të gjitha kulturave të tjera, ku ka participuar, dhe ato kanë qenë të shumta”, thekson Mulliqi.

Bekim Fehmiu ishte aktor dhe personalitet i respektuar në gjithë Ballkanin dhe më gjerë. Mbështetës ka pasur dhe ka edhe në Beograd, ku ka kaluar pjesën më të madhe të jetës.

Në vitin 1987 filloi heshtja e madhe e Bekim Fehmiut. Dramaturgu beogradas, Gorqin Stojanoviq, që gjatë gjithë këtyre viteve ishte afër Fehmiut, në këtë temë thotë:

“Në vitin 1987, në kohën e histerisë antishqiptare që zhvillohej, ai tha se më, jo vetëm që nuk do të aktronte, por as nuk do të paraqitej në opinion. Shi për këtë ai nuk vinte as në premierat tona”, thotë Gorqin Stojanoviq.

Filip David, letrar dhe recensent i librave të Bekim Fehmiut, deklaron:

“Sa u përket njohjeve me regjisorët dhe aktorët më të njohur botërorë, ne këtu as që e kemi ditur madhështinë e tij. Bekim Fehmiu ka qenë absolutisht në kulmin e kinematografisë botërore. Ai ka pasur role të tilla, por edhe ka njohur personalitete të niveleve të tilla”.


* * * * * * * * * *

Video paraqet inserte nga filmi "Dezertori" (The Deserter), ku aktori Bekim Fehmiu luan rolin kryesor, krahas aktorëve botërorë: Richard Krena, Chuck Konnors, Ricardo Montalban dhe John Huston.




Në filmin e njohur "Odisea", Bekim Fehmiu luan rolin e Uliksit, ndërsa Irena Papas rolin e Penelopes.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG