Ndërlidhjet

Kam lexuar shumë komente mbi Ballkanin në javët e fundit, sikur në mediat rajonale, ashtu edhe në mediat e vendeve perëndimore. Nëse ka diçka të përbashkët, në shumicën ose madje edhe në të gjitha këto komente, atëherë është fakti se asgjë nuk po ecën përpara në Ballkan dhe se ka ardhur koha për dikë që t’i shpejtojë gjërat.

Natyrisht, natyra e problemit të saktë mbi këtë çështje dallon, nga rasti në rast. Për shumicën e vendeve në rajon, një shqetësimi madhor mbetet udhëtimi pa viza në vendet e Shengenit. Siç e dijmë tashmë, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia arritën që vitin e kaluar të kompletojnë kërkesat teknike për një gjë të këtillë dhe përfituan privilegjin e të udhëtuarit nëpër Evropë pa viza, ashtu siç bënin të gjithë jugosllavët në kohën e para Sllobodan Millosheviqit. Por, kur BE ia dha këtë drejtë Serbisë, nuk ia dha të njejtin privilegj viktimave të Millosheviqit në Bosnjë apo Kosovë, gjë për të cilën kam thënë në shkrimet e mia të mëhershme se ishte një hap i pamatur, në mos imoral.

Në muajt e ardhshëm, Shqipëria dhe Bosnja janë vënë në radhë për t’iu bashkuar kësaj liste. Paradoksi më i madh është se vendi i fundit që po shqyrtohet për një gjë të këtillë është Kosova – edhe pse territori i saj është i mbushur me zyrtarë të paguar mirë e kolonialë të Kombeve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian. A nuk janë këto zonja e zotërinj të aftë të zbatojnë rregullat e tyre dhe standardet që kanë në një shtet të vogël siç është Kosova, në mënyrë që qytetarët e saj të mund të kualifikohen për të udhëtuar lirshëm sikur që bëjnë qytetarët e Serbisë? Ndërkohë, kosovarët do të jenë në pritje që gjërat të lëvizin përpara në këtë front.

Të pagatshëm për të ecur përpara?

Kjo tani na sjell tek një problem edhe më i madh, që është lodhja e BE-së me zgjerimin. Ky fenomen ekziston dhe nuk mund t’u vihet faji vetëm problemeve të brendshme që BE-ja ka me rendin kushtetues apo edhe me krizën aktuale mbi euron. Rrënjët janë më të thella.

Fillimisht, është e qartë se disa nga vendet më të vjetra anëtare të BE-së në Evropën Perëndimore mund të mos kenë qenë të lumtura, kur 10 shtete të reja u bashkuan me to më 2004-ën. Por, kufiri i durimit dhe tolerancës përfundimisht është kaluar në 2007-ën, kur Bullgaria dhe Rumania, u pranuan, para se të zbatonin reformat e rëndësishme, veçanërisht ato që kishin të bënin me krimin dhe korrupsionin. Shumë njerëz në Evropën Perëndimore ndihen sot të penduar se kanë lënë fare Sofjen dhe Bukureshtin t’i bashkohen klubit. Dhe këta njerëz nuk e kanë ndërmend ta përsërisin gabimin.

Së dyti, njëkohësisht, kundërshtimi i përgjithshëm politik mbi zgjerimin është rritur në Francë dhe Gjermani – të cilat janë dy vende që e kanë fjalën e fundit në BE – për shkak të kundërshtimi të opinionit mbi anëtarësimin e mundshëm të Turqisë. Çështja e thjeshtë këtu është se votuesit në këto shtete kanë frikë se një popullatë e madhe dhe mobile myslimane do të mund të lëvizë lirshëm nëpër vendet e tyre.

Gjithashtu, ekziston edhe shqetësimi se Turqia do të mund të kishte rol të madh në vendim-marrjen brenda BE-së. Kjo për faktin se popullata e Turqisë është 71 milionë, që do ta bënte vendin e dytë më të madh për nga popullata në BE, menjëherë pas Gjermanisë, e cila numëron 82 milionë banorë. Turqia pra është më e populluar se Franca, Britania apo Italia dhe do të pritej nga fuqia e saj politike të reflektojë mbi këtë fakt. Për shkak të shqetësimeve në Perëndim mbi anëtarësimin e Turqisë, duket sikur janë ngrirë të gjitha hapat për zgjerim, mbase me ndonjë përjashtim për Kroacinë dhe Islandën.

Si rezultat i këtyre faktorëve, shumë njerëz në rajon dhe jashtë tij ndjejnë se asgjë nuk është duke ecur përpara në rrafshin e integrimeve evropiane për Ballkanin Perëndimor. Kroacia është duke pritur me vite dhe është i vetmi vend në rajon që ka shansa reale për t’u anëtarësuar së shpejti. Të tjerët duket se janë aq larg, sa që kërcënimet dhe zotimet e BE-së për “perspektivën evropiane” apo “integrimet evropiane”, si motiv për zbatimin e reformave, nuk tingëllojnë më aq bindëse. Dhe sa më pak bindës që Brukseli tingëllon, aq më pak do të ketë ndikim në rajon.

Vendi i parë që e pranoi këtë të vërtetë dhe që drejtoi politikat në një kahje tjetër ishte Turqia, politika e re e jashtme e së cilës tani shikon nga Lindja dhe është duke shkaktuar një ndjenjë jo komoditeti në Perëndim. Serbia, Shqipëria dhe vendet tjera në rajon nuk do t’i kenë opsionet që i ka Turqia, sepse ato kanë popullatë më të vogël dhe situata e tyre gjeografike është e ndryshme. Por, nëse Kina apo Rusia kurdoherë vendosin të garojnë fuqishëm me BE-në për tregjet dhe ndikimin në Ballkan, mund të hasin në një mikpritje të këtyre vendeve. Shkurt, sa më gjatë që BE-ja dështon për t’i çuar gjërat përpara rreth zgjerimit, aq më të mëdha do të jenë problemet me të cilat mund të përballet në rajon.

Abkazia e Dodikut

Edhe një çështje e përbashkët mund të gjendet në komentet mbi Bosnjën. Çështja këtu është se reformat kushtetuese nuk janë duke ecur fare, sepse pengesat kryesisht vijnë nga kryeministri i Republikës Serbe, Millorad Dodik. Për fat të keq për komunitetin ndërkombëtar, Dodik është rëndom në një teren të fuqishëm ligjor, kur ai mbështetet në provizionet e marrëveshjes së Dejtonit të vitit 1995 dhe të huajt nuk mund ta detyrojnë të heqë dorë nga ajo që ai posedon ligjërisht. Të gjitha proceset e “bisedimeve” që të huajt kanë nisur nuk kanë arritur të ndryshojnë politikat e tij dhe nuk do të arrijnë ta bëjnë këtë gjë, sepse nuk është në interesin e serbëve. Prandaj, nuk duhet të ketë befasi pse nuk ka lëvizje përpara në Bosnjë.

Dodik ndonjëherë kërcënon me shpallje të pavarësisë, por ky nuk është një opsion serioz dhe ai e di këtë gjë. Ai flet në atë mënyrë për të tërhequr vëmendjen dhe për t’i frikësuar njerëzit. Ai është i vetëdijshëm se se vendi i tij që synon shkëputjen nuk do të njihej nga askush, sepse madje as Beogradi nuk do të guxonte t’i bënte thirrje BE-së apo SHBA-ve për një njohje të këtillë. Votuesit e tij e dijnë se nuk do të kenë të ardhme në një vend edhe më të izoluar seç është Osetia e Jugut apo Abkazia, të cilat të paktën njihen nga Rusia. Ndërkohë, Dodik dhe kushërinjtë e tij po pasurohen, sikurse edhe liderët e Osetisë së Jugut dhe Abkazisë.

Për çfarë të flasim?

Është edhe një çështje e përbashkët që përfshin Kosovën dhe Serbinë. Ka pasur sugjerime kohët e fundit që presidenti Fatmir Sejdiu të ftojë presidentin Boris Tadiq, në një vizitë joformale në Prishtinë, gjatë qëndrimit të tij të ardhshëm nëpër enklavat e banuara me serbë. Nuk jam i sigurt nëse cilido nga presidentët do të mund të rrezikonte politikisht për një takim të këtillë, megjithëse do të mund të shihej si lëvizje drejt çështjes së marrëdhënieve bilaterale.

Çështja tani mbetet natyrisht te fakti se cili do të ishte kuptimi i këtij takimi dhe i bisedimeve, nëse gjithkush e di se nuk do të ketë asnjë marrëveshje në substancë, mbi asnjë çështje. Bisedimet e këtilla mbase do të ishin po aq joproduktive sa ishin edhe bisedimet mbi statusin të vitit 2007. Por, Serbia ka marrë tashmë një numër sinjalesh diplomatike nga Britania, Franca, Suedia dhe Gjermania se duhet të ndryshojë politikën karshi Kosovës, nëse synon integrimin në BE. Dhe kjo mund ta bindë Beogradin që të fillojë t’i lëvizë gjërat.

Në shkurt të këtij viti, ambasadori gjerman në Serbisë, Volfgang Mas, i ka thënë së përditshmes beogradase “Press” se “sa për Gjermaninë, statusi i Kosovës ëhstë vendosur tashmë. Për ne, Kosova është vend fqinje e Serbisë…dhe se raportet e mira fqinjësore janë parakusht për anëtarësim në BE”. Zoti Mas ka thënë se Kosova nuk mund të kthehet nën autoritetin e Beogradit. Ai ka nënvizuar gjithashtu se “do të ishte më e arsyeshme për të përqëndruar gjihë energjinë (diplomatike dhe politike të Serbisë) në zgjidhjen e problemeve praktike midis Kosovës dhe Serbisë…si për shembull lufta kundër krimit të organizuar ose mbledhja e fondeve për përmirësimet në infrastrukturë”.

Këto janë fjalë të qarta dhe të pagabueshme. Diplomatët tjerë perëndimorë e kanë thënë të njejtën gjë në opinionin publik të Serbisë. Disa diplomatë perëndimorë madje ka kohë që thonë se anëtarët e lidershipit të Serbisë ua kanë pranuar privatisht faktin se e dijnë që Kosova për Serbinë është e humbur. Liderët e Beogradit disi mund të veprojnë mbi rekomandimet e ambasadorit Mas – mbase pasi Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të ketë dhënë mendimin e saj. Atëherë, një nga shtetet më të rëndësishme në Ballkan do të mund ta dëshmonte vetveten se edhe vetë ka ndërmarrë hapa për t’i lëvizur gjërat përpara në rajon.

* * *
Patrick MOORE ka shkruar për zhvillimet në Ballkan për më shumë se 35 vjet. Ai ka qenë edhe analist i Radios Evropa e Lirë nga viti 1977 deri më 2008.
XS
SM
MD
LG