Ndërlidhjet

logo-print

Fondi i Privatizimit, i cili thuhet se në Kosovë do të kthehet gjatë këtij viti, sipas ekspertëve për çështje ekonomike në Prishtinë, duhet të investohet në banka, si dhe në projekte kapitale. Ata vlerësojnë se futja në funksion e këtyre mjeteve do ta ndihmojë ekonominë kosovare.


Derisa në Kosovë është e theksuar mungesa e parasë së gatshme, fondi i privatizimit në vlerë prej më shumë se 460 milionë eurosh, vazhdon të mbahet jashtë funksionit të ekonomisë kosovare.

Ekspertët e çështjeve ekonomike vlerësojnë se Kosova është vonuar në kthimin e këtij fondi dhe investimin e tij në ekonominë kosovare.

Drejtori i Institutit për Hulumtime dhe Studime të Avancuara, Shpend Ahmeti, thotë se autoritetet kosovare nuk duhet ta fokusojnë debatin në atë se a duhet të kthehen këto fonde në Kosovë, por në çfarë mënyre mund të kthehen.

Shpend Ahmeti
“Krejt debati është i gabuar dhe po bëhet më shumë për marketing politik, sesa për të punuar që këto para të përdoren sa më mirë për ekonominë e Kosovës”.

“E vetmja mënyrë që këto para të investohen në Kosovë, është të jepen në depozita në banka, pasi që deri më tani kjo nuk ka treguar rezultate të shumta"
, shprehet Ahmeti.

Shuma prej 460 milionë eurosh, që kërkohet vazhdimisht të kthehet në Kosovë, është mbledhur gjatë procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore. Me një të pestën e këtyre parave, do të duhet të bëhet kompensimi i punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore të shitura.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Muhamet Sadiku, thotë se përshpejtimi i kthimit të fondit të privatizimit është një lajm i mirë për ekonominë kosovare.

Ndërkaq, sa i përket mënyrës se ku duhet të investohen këto mjete, profesor Sadiku shpjegon:

“Mendoj se me këto mjete do të duhej të realizoheshin projektet e infrastrukturës, projekte të shumta të rrugëve, siç është autostrada, pastaj projekte të shumta në edukim në shëndetësi, si dhe projekte të tjera që kanë për qëllim luftimin e varfërisë”.

Ndër të tjera, kthimi i fondit të privatizimit në Kosovë, sipas ekspertit për çështje ekonomike, Sadiku, do të ndihmojë shumë në rimëkëmbjen e ekonomisë kosovare.

Muhamet Sadiku
Ai vlerëson se bankat e Kosovës, të cilat ofrojnë kredi të shtrenjta dhe tejet të pavolitshme, pas kthimit të këtyre mjeteve do të pësojnë ulje të normave të interesit.

“Këto mjete do ta begatonin ofertën financiare në Kosovë dhe me këtë, kamatat në kreditë komerciale do të fillonin të binin, sepse oferta do ta bënte të veten, do të thotë do të krijohen rrethana më të volitshme për financimin e biznesit”
, vlerëson Sadiku.

Sidoqoftë, pas iniciativave të autoriteteve kosovare për kthimin e fondeve ekzistuese të privatizimit në Kosovë, vazhdimisht kishte reaguar përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar, Piter Feith , i cili i kishte kundërshtuar këto nisma.

Sa i përket deklarimeve të mekanizmave ndërkombëtarë se mjetet e fondit të privatizimit duhet të mbahen ende jashtë vendit, deri në krijimin e kushteve të sigurta, eksperti i çështjeve ekonomike, Shpend Ahmeti, thotë:

“Po krijohet bindja në Kosovë që këto para janë të buxhetit, të cilat mund të shpenzohen. Prandaj, ICO-ja e ka në mandat edhe në Pakon e Ahtisarit që duhet të ketë më shumë kujdes në kthimin e këtyre parave, sepse do të mund të dëmtoheshin pronarët e ndërmarrjeve”.

“Është normale të pritet prej tyre që ta ndalojnë këtë proces, nëse nuk ka ndonjë racionalitet ekonomik apo instrumente se ku do të investoheshin këto mjete”.


Ndryshe, Fondi i Privatizimit është investuar sipas Ligjit për Bankën Qendrore të Kosovës, si dhe në bazë të politikës së investimeve të aprovuar nga bordi drejtues i BQK-së. Fondi i privatizimit është i investuar në institucionet financiare të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG