Ndërlidhjet

Obama kritikon gjigantin BP


Presidenti Barak Obama gjatë adresimit televiziv, 15 qershor 2010.
Presidenti Barak Obama gjatë adresimit televiziv, 15 qershor 2010.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barak Obama, akuzoi kompaninë British Petrolium për “mungesë të përgjegjësisë” dhe u zotua se do t’i kërkojë gjigantit energjetik që të paguajë për dëmet e shkaktuara nga rjedhjet në Gjirin e Meksikës.

Obama shfrytëzoi adresimin televiziv nga Zyra Ovale për të thirrur një “mision të ri kombëtar”, për të larguar Amerikën nga karbuarntet e fosiles.

“Tragjedia që po ndodh në bregdetin tonë është përkujtimi më i dhimbshëm, por edhe më i fuqishëm, se ka ardhur koha për të përqafuar energjinë e pastër. Tani, është momenti për këtë brez, për të nisur një mision kombëtar, për të nxitur origjinalitetin amerikan dhe për të marrë kontrollin e fatit tonë në duart tona", tha Obama.

Adresimi i Obamës bëhet derisa ai përpiqet t’i shuajë kritikat në rritje, tetë javë pas fillimit të fatkeqësisë.

Sondazhet e opinionit tregojnë se shumica e amerikanëve nuk janë të kënaqur me mënyrën e menaxhimit të krizës nga ana e presidentit, që tashmë njihet si katastrofa më e madhe mjedisore në histroinë e Shteteve të Bashkuara.

Presidenti amerikan i krahasoi rrjedhjet me një “epidemi” dhe u zotua se do t’i luftojë ato “me çdo gjë të mundur”.

Sot, Obama pritet të takohet me zyrtarë të lartë të kompanisë British Petrolium në Shtëpinë e Bardhë.

Obama tha se do të kërkojë nga kryetari i BP-së “që të krijohen burimet e nevojshme për kompensimin e punëtorëve dhe bizneseve, që janë dëmtuar si rezultat i papërgjegjshmërisë së kompanisë së tij”.

Presidenti Obama do që gjiganti energjetik të ndajë miliarda dollarë për të pastruar rrëmujën dhe për të kompensuar njerëzit dhe bizneset e prekura.

Për t’u siguruar se të gjitha kërkesat legjitime do të paguhen në mënyrë të drejtë dhe me kohë, Obama tha se ky fond do të duhej të administrohej nga një palë e tretë dhe e pavarur, e jo nga BP.

Por, ngelet e paqartë se si administrata e tij mund të detyrojë firmën për të ngritur një fond të tillë.

Rrjedhjet e naftës në Gjirin e Meksikës.
Megjithatë, kompania BP tha se ndan të njëjtin synim me Obamën, për të pastruar njollat e naftës dhe për t’i ndihmuar njerëzit e prekur nga rrjedhjet. BP tha se nga takimi i sotëm pret “një diskutim më konstruktiv se si të arrihen këto objektiva të përbashkëta”.

Obama shfrytëzoi adresimin televiziv për të zgjeruar edhe legjislacionin mbi ndryshimet klimatike dhe energjinë, për ta çliruar Amerikën nga ajo që ai e quajti varshmëri nga fosilet e karburanteve.

“Për dekada, ne e kemi ditur se ditët e një nafte të lirë dhe me qasje të lehtë, janë të numëruara. Për dekada, ne kemi folur për nevojën e përfundimit të varësisë shekullore të Amerikës nga karbuarntet e fosileve. Dhe, për dekada, ne kemi dështuar të veprojmë me urgjencën që kjo sfidë kërkon. Herë pas here, rruga përpara ishte e bllokuar, jo vetëm nga lobistët e industrisë së naftës, por edhe nga mungesa e kurajës dhe çiltërsisë politike”, tha Obama.

Dhoma e Përfaqësuesve ka miratuar tashmë një projekt-ligj të energjisë, por legjislacioni përballet me kundërshtime të forta në Senat.

Republikanët menjëherë kanë drejtuar kritika ndaj adresimit të Obamës, duke thënë se ai po shfrytëzon krizën për përfitime të veta politike.

Mes tjerash, presidenti Obama njoftoi se ka zgjedhur ish-inspektorin e përgjithshëm të Departamentit të Drejtësisë, Michael Bromwich, për të kryesuar agjencinë që rregullon industrinë e naftës.

Ai zëvendsëon Elizabeth Birnbaumin, e cila dha dorëhqeje nga posti i drejtores së Shërbimit për Menaxhimin e Mineraleve, pas akuzave për mbikëqyrje jo të duhur të shpimeve.

“Një nga leksionet e mësuara nga këto rrjedhje është se ne kemi nevojë për rregulla më të mira, për standarde më të mira të sigurisë dhe për përforcime më të mira, kur është fjala për shpime në det të hapur. Por, pa marrë parasysh se sa e përmirësojmë rregulloren tonë të industrisë, shpimet për naftë, këto ditë, paraqesin rrezik të madh”,
tha Obama.

Nafta shpërtheu në Gjirin e Meksikës më 20 prill. Rrjedhjet kanë ndotur 200 kilometra të bregdetit, duke rrezikuar industrinë e peshkimit e të turizmit, si dhe duke shkaktuar vrasjen e kafshëve të egra.

Obama tha se Qeveria e tij ka kërkuar nga BP që të ndërmarrë më shumë masa.

“Si rezultat i përpjekjeve, ne kemi kërkuar nga BP që të vërë në lëvizje pajisje shtesë. Në ditët dhe javët e ardhshme, këto përpjekje do të duhej të ndalonin deri në 90 për qind rrjedhjet e naftës. Derisa kompania t’i përfundojë shpimet, kjo është një lehtësim, ndërsa më vonë, gjatë verës, rrjedhjet pritet të ndalojnë plotësisht”, tha Obama.

Ekspertët fillimisht kanë thënë se rreth 15 mijë fuçi naftë rrjedhin çdo ditë, por shkencëtarët besojnë se kjo shifër tani arrin deri në 60,000. (v.t.)

XS
SM
MD
LG