Ndërlidhjet

Vizitë me leje


Patriarku Irinej
Patriarku Irinej
Me lejen e Qeverisë së Kosovës, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, i shoqëruar nga ministri për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, dhe ministri për religjion, Bogolub Shijakoviq, do ta vizitojnë Patrikanën e Pejës.

Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, kanë thënë se zyrtarëve serbë, me lejen e institucioneve të Kosovës, do t’u mundësohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhelili, ka thënë se kërkesa për vizitën e tyre në Kosovë për qëllime fetare, fillimisht ka shkuar në Zyrën e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, e më pas ajo është aprovuar në Qeverinë e Kosovës.

“Kanë kërkuar leje përmes ICO-së në Qeveri dhe Qeveria e Kosovës e ka lejuar një gjë të tillë. Qëllimi i vizitës është qëndrimi në Patrikanën e Pejës”, ka thënë zëvendësministri Xhelili.

Edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, e ka konfirmuar në gjë të tillë, duke thënë se një delegacion i Serbisë do të qëndrojë në Kosovë dhe Policia e Kosovës është ajo që do të përkujdeset për sigurinë e këtij delegacioni.

“Kërkesa ka ardhur përmes ICO-së, dhe e njëjta është dërguar tek institucionet vendore të Republikës së Kosovës. Më pas është miratuar kërkesa në fjalë dhe delegacioni pritet të jetë nën kujdesin e Policisë së Kosovës, për në lokacionin e caktuar, pra në Patrikanën e Pejës”, ka deklaruar Kelani.

Kjo është vizita e parë e patriarkut Irinej në Kosovë, prej se ai u zgjodh në krye të Kishës Ortodokse Serbe, në muajin janar.
XS
SM
MD
LG