Ndërlidhjet

SHBA kërkojnë hetim të pavarur të dhunës në Kirgizi



Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit për Azinë Qendrore ka bërë thirrje për hetim të pavarur të dhunës së fundit vdekjeprurëse në Kirgizi.

Ndihmës Sekretari i Shtetit, Robert Blejk ishte në rajonin Andizhan në kufirin lindor të Uzbekistanit, ku Kombet e Bashkuara thonë se deri 100 mijë njerëz kanë ikur pas përleshjeve të fundit ndërmjet kirgizëve dhe uzbekëve etnikë në jug të Kirgizisë.

Liderja e përkohshme e Kirgizisë, Roza Otunbajeva, e vizitoi sot qytetin Osh, për të parën herë që nga fillimi i përleshjeve në 10 qershor. Ushtruesja e detyrës së presidentit, u zotua se do të rindërtohen pjesët e qytetit, që janë shndërruar në gërmadha.

Otunbajeva i tha gazetës ruse “Komersant” se numri i të vrarëve mund të jetë 10 herë më i madh se sa 191 sa është shpallur zyrtarisht.

Kombet e Bashkuara thonë se afro 400 mijë njerëz kanë ikur në Uzbekistan, apo janë zhvendosur në Kirgizi prej 10 qershorit, kur filluan trazirat.
XS
SM
MD
LG