Ndërlidhjet

KMDLNJ publikoi monografinë për krime lufte në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Përfaqësues nga ky këshill dhe nga Qeveria e Kosovës thanë se monografia pasqyron faktet për krimet e bëra nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.


Më se 10 vjet që nga përfundimi i luftës, Kosova u bë me monografinë e parë, në të cilën janë pasqyruar të dhënat për ngjarjet që ndodhën në vitet 1998-1999 në Kosovë.

Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut publikoi vëllimin e parë të kësaj monografie, e cila, siç thuhet, është fillimi i editimit të vëllimeve që dëshmojnë për shkeljet drastike të të drejtave të njeriut në Kosovë, para dhe gjatë luftës.

Kryetari i këtij këshilli, Pajazit Nushi, tha se monografia ka rëndësi të veçantë historike për Kosovën dhe se saktësia e saj dëshmon për krimet, të cilat forcat serbe i kanë bërë në Kosovë.

“Në bazë të objektivitetit të përmbajtjes së kësaj monografie, Serbia më nuk mund të mohojë se përfaqësues të politikës së Serbisë dhe forcat e saj ushtarake, policore dhe paramilitare janë përgjegjëse për këto mizori, për përdhunimin më çnjerëzor të shqiptarëve të Kosovës dhe jo vetëm të tyre”
, tha Nushi.

Varrezat në Reçak
Rëndësinë e publikimit të vëllimit të parë të monografisë për krimet e luftës në Kosovë, të përbërë prej rreth 1200 faqesh, e theksuan edhe përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, e cila e mbështeti financiarisht projektin e Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në Kosovë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, inkurajoi këtë organizatë që në vazhdën e projektit për evidentimin e fakteve të luftës në Kosovë, në të ardhmen të botohen edhe arkivat e të gjitha komunave të Kosovës.

Kuçi ofroi mbështetjen qeveritare për themelimin e një instituti për, siç tha ai, studimin e krimeve të luftës dhe të gjenocidit në Kosovë.

“Ai institut do të ketë edhe studiues vendorë edhe studiues ndërkombëtarë, por me siguri do të ketë mundësi që këto krime të shihen edhe në prizmin e historianëve, nën prizmin e juristëve dhe në prizmin e atyre, të cilët, jo vetëm që e kanë bërë historinë, por do ta ndërtojnë paqen”
, theksoi zëvendëskryeministri Kuçi.

Pjesa e parë e monografisë thuhet se përmban kryesisht të dhënat e përgjithshme për personat e vrarë dhe të zhdukur dhe të dhënat komplete për viktimat në 11 komunat e Kosovës.

Nënkryetari i KMLDNJ-së, Zejnullah Gruda, foli për një pjesë të të dhënave që përmban pjesa e parë e monografisë.

“Të dhënat tregojnë se në Kosovë, gjatë kësaj periudhe janë vrarë gjithsej 8,214 veta, nga të cilët 6,804 ishin meshkuj, ndërsa 1,400 ishin femra. Prej tyre, 7,900 ishin civilë shqiptarë dhe 280 civilë serbë”
, bëri të ditur Gruda.

Lufta e 1999-ës në Kosovë, i ka lënë familjarët e mbi 1,860 vetave, pa asnjë informatë mbi fatin e tyre.

Pavarësisht disa përpjekjeve të shtetit serb për të bashkëpunuar me vendet e ish-Jugosllavisë në zbardhjen e krimeve të luftës, dinamika e punës së Beogradit zyrtar në këtë drejtim vazhdon të kritikohet nga organizatat vendore e ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
XS
SM
MD
LG