Ndërlidhjet

Rasmusen: Zgjidhni kontestin, hyni në NATO


Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, dhe kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, gjatë konferencës për shtyp

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, dhe kryeministri i Maqedonisë, Nikola Gruevski, gjatë konferencës për shtyp

Zgjidhni çështjen e emrit me Greqinë dhe Maqedonia do të anëtarësohet në NATO, ishte kjo porosia e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen, pas takimit me autoritet e Shkupit. Ai theksoi se dëshiron që ta shohë sa më parë vendin në të njëjtën tavolinë me anëtaret e tjera të Aleancës veri-atlantike. Nga ana tjetër, kryeministri Gruevski kërkoi vullnet më të madh nga pala greke me qëllim të tejkalimit të problemit dhe tha se nëse deri tani do të kishte vullnet nga ana e tyre, çështja do të ishte zgjidhur.


Maqedonia duhet të zgjidhë kontestin për çështjen e emrit me Greqinë dhe për këtë nevojitet të ndërmarrë vendime të guximshme, me qëllim që vendi të anëtarësohet në NATO, theksoi pas takimit me kryeministrin e Maqedonisë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen.

“Mesazhi im është që të vazhdoni me reformat, vazhdoni që të kontribuoni dhe sa më shpejt që është e mundur, gjeni zgjidhje për çështjen me emrin. Këta janë çelësat për derën në NATO"
, tha Rasmusen, duke përsëritur se Aleanca veri-atlantike e vlerëson përparimin e Maqedonisë në realizimin e standardeve të NATO-s.

Ndërkaq, kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, theksoi se anëtarësimi në NATO mbetet një nga prioritetet më të larta të Maqedonisë, të shprehur përmes përkrahjes së lartë të qytetarëve dhe me pjesëmarrjen në misionet e Aleancës.

“Po qe se deri më tani do të kishte vullnet nga pala greke, çështja do të ishte zgjidhur”
, theksoi kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.

Gjithashtu, Gruevski kërkoi vullnet më të madh nga pala greke me qëllim të tejkalimit të problemit për çështjen e emrit me Greqinë.

Ndërkaq, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, njëherësh pjesë e koalicionit qeveritar, tha se NATO-ja dhe BE-ja kanë investuar shumë për integrimin e Maqedonisë.

Prandaj, Ahmeti shprehu besimin se vendi shumë shpejt do të kapë hapin e integrimit në strukturat euro-atlantike, duke përjashtuar mundësinë e largimit të partisë së tij nga Qeveria, si pasojë e bllokimit të procesit integrues.

“Unë nuk mendoj se ne nuk do t’i realizojmë qëllimet për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, as nuk mendoj se ne nuk do të arrijmë që sa më parë të fillojmë negociatat për anetarësim në BE, këto janë qëllime tejet të rëndësishme për ne”, u shpreh lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ndërsa, pasdite, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, do të zhvillojë një takim edhe me kryetarin e partisë maqedonase në opozitë, LSDM , Branko Cërvenkovski.
XS
SM
MD
LG