Ndërlidhjet

Marrëveshje bashkëpunimi Kosovë-Belgjikë

  • Augustin Palokaj

Bruksel

Bruksel


Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përfunduar vizitën dyditore në Bruksel, me takimet që ka pasur me homologun belg, Iv Leterm, dhe kryediplomaten e Bashkimit Evropian, Kethrin Eshton.

Në takimin me kryeministrin e Belgjikës është diskutuar për raportet bilaterale në mes të dy shteteve, ndërkohë që janë nënshkruar edhe dy marrëveshje ndërshtetërore: njëra që nënkupton bashkëpunimin në transportin rrugor, ndërsa tjetra kthimin e të burgosurve dhe riatdhesimin e tyre.

Të gjitha këto kontrata që janë nënshkruar ndërmjet Belgjikës dhe Kosovës dëshmojnë se raportet ndërshtetërore janë në zhvillim e sipër, thonë burimet nga Qeveria e Belgjikës.

Takimi ishte i rëndësishëm edhe për faktin se Belgjika do të marrë kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian prej një korrikut të këtij viti, për gjashtë muajt e ardhshëm.

Belgjika është e përkushtuar që ndër prioritetet e angazhimit të BE-së ta mbajë edhe të ardhmen e Ballkanit, ndërsa është e gatshme që të ndihmojë edhe Kosovën.

Në takimet tjera që ka pasur gjatë qëndrimit të tij në Bruksel kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thuhet se është diskutuar kryesisht për rrugën e Kosovës në integrimet euro-atlantike, ndërsa Thaçi është shprehur optimist edhe për marrjen e një udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave – një proces në të cilin Kosova ende nuk është përfshirë, për dallim nga vendet e tjera të rajonit.

Thaçi ka thënë se Kosova është e gatshme që t’i kryejë të gjitha detyrat që dalin nga ky proces, ndërsa ka përkushtim nga të gjitha pjesët e administratës kosovare, ka shtuar ai.

Mirëpo, nga burimet e Bashkimit Evropian është thënë se nuk është caktuar ndonjë datë se kur Kosova mund të fillojë procesin dhe kur mund të liberalizohen vizat.

Gjithçka do të varet nga vetë Kosova dhe mënyra se si do të përmbushen kriteret, kanë thënë burimet nga Komisioni Evropian.

Burimet nga KE-ja kanë thënë po ashtu se Kosova duhet të bëjë më shumë në aspektin e riintegrimit të të kthyerve, në riatdhesimin e shtetasve të Kosovës që nuk kanë fituar azil politik në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe në kryerjen e procedurave për regjistrin civil.

Komisioni Evropian po ashtu ka tërhequr vërejtjen që Kosova të mos nisë shpërndarjen e pasaportave biometrike, para se të rregullohet çështja e regjistrit civil.

Ndër temat e tjera që janë diskutuar me bashkëbiseduesit e zotit Thaçi ishte edhe dialogu në mes të Serbisë dhe Kosovës. Nga burimet e BE-së është dëgjuar se Bashkimi Evropian do të donte të shihte një dialog për rifillimin e bashkëpunimit rajonal në kohën kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendimin për Kosovën.
XS
SM
MD
LG