Ndërlidhjet

Milo: Raporte të paqarta Kosovë-ndërkombëtarët


Paskal Milo

Paskal Milo

"Politika e Kosovës ende ndodhet në një fazë të mungesës së një stabiliteti dhe qëndrueshmërie, që duhet t'i ketë një shtet", thotë në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, ish-kryediplomati shqiptar, Paskal Milo.






RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Milo, fillimisht, si i vlerësoni zhvillimet e fundit politike në Kosovë?

PASKAL MILO
Unë i ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Kosovë, për shkak të pranisë sime të herëpashershme mujore këtu dhe padyshim që Kosova ka një dinamikë zhvillimesh të pandalshme, të cilat janë jo gjithnjë të parashikuara.

Duke iu referuar sidomos zhvillimeve të fundit, kam parasysh edhe fatin e liderit të “Vetëvendosjes”, që u arrestua dhe që u lirua përsëri pas qëndrimit të shkurtër në dhomat e paraburgimit në polici, mund të them që politika e Kosovës ende ndodhet në një fazë të mungesës së stabilitetit dhe të qëndrueshmërisë, që duhet të karakterizojnë një shtet të qëndrueshëm, me objektiva të qarta të konsolidimit të demokracisë dhe të funksionimit normal të institucioneve demokratike në statusin, në të cilin ndodhet.

Po të kemi parasysh këtu edhe faktin që ka pasur kritika për mënyrën se si po administrohet ajo pjesë e sovranitetit të Kosovës, që ndodhet në duart e institucioneve ndërkombëtare dhe kryesisht në ato të Zyrës Ndërkombëtare Civile, apo edhe në statusin që ka EULEX-i, mund të them që ende ka një problematikë marrëdhëniesh midis institucioneve të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare, të cilat patjetër duhet të qartësohen.

Kjo, sepse mungesa e përcaktimit të qartë të statusit të marrëdhënieve midis institucioneve të shtetit të pavarur të Kosovës dhe institucioneve ndërkombëtare që monitorojnë në bazë të Paketës Ahtisari zhvillimet në Kosovë, bën që shpeshherë të ketë fërkime, për sa u përket edhe kompetencave, gjë që nuk është në të mirën e stabilitetit politik të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Kanë kaluar dy vjet që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës, por, siç thuhet, ajo nuk po zbatohet në gjithë territorin. Disa nga përfaqësuesit e lartë të vendit kanë thënë se shtrirja e kushtetutshmërisë në veri, kërkon koordinim me ndërkombëtarët. Ju, si mendoni?

PASKAL MILO

Është e vërtetë që Qeveria e Kosovës e ka të pamundur, në situatën në të cilën ndodhet, që të ushtrojë sovranitetin e plotë të saj dhe të shtetit të pavarur të Kosovës në pjesën veriore të shtetit. Kjo ndodh për shkak se situata atje ka marrë zhvillime të veçanta që u lejuan për fat të keq të bëheshin të tilla, menjëherë pas ndërhyrjes së forcave ndërkombëtare këtu në Kosovë, pas çlirimit, në qershor të vitit 1999.

Toleranca e atyre viteve tashmë ka bërë që situata të jetë më e vështirë dhe ku elementet nacionaliste serbe, madje do të përdorja një term ‘ekstremiste’, nuk kanë asnjë përqasje racionale për t’iu bashkuar përpjekjeve për të krijuar një shtet të pavarur, unik dhe të konsoliduar të Kosovës.

Por, përkundrazi, ato janë vënë në shërbim të synimeve tashmë të njohura të autoriteteve të Beogradit, të cilat po e instrumentalizojnë situatën në Mitrovicën veriore, me qëllim që të pengojnë konsolidimin e shtetit të pavarur të Kosovës dhe duke ushqyer ëndrra, që gjithnjë do të mbesin ëndrra, për të rikthyer në diskutim, edhe një herë tjetër, çështjen e statusit të Kosovës. Pra, mendoj se mungesa e stabilitetit, ose e integrimit ende të Mitrovicës veriore në shtetin e pavarur të Kosovës, është një çështje që do të vazhdojë të mbesë e tillë edhe për një kohë tjetër.

Për sa kohë do të mbesë, kjo është një çështje relative, por nuk besoj se çështja e veriut të Mitrovicës do të zgjidhet shpejt, për shkak të komplikimit të faktorëve ndërkombëtarë, për shkak të interesave të ndryshme të vetë faktorëve të ndryshëm ndërkombëtarë dhe për shkak të diversionit të organizuar që bën Beogradi, jo vetëm në Mitrovicën e veriut, por edhe në enklavat e tjera serbe në Kosovë dhe që, për fat të keq, duke qenë se institucionet ndërkombëtare nuk kanë një mandat të qartë për të vepruar, ato përpiqen të arnojnë.

Dhe, duke u përpjekur të arnojnë një politikë të vjetër, qoftë edhe me fije peri të reja, ato nuk arrijnë që të plotësojnë misionin, për të cilin kanë ardhur këtu dhe që është në bazë të Paketës Ahtisari, që të ndihmojnë në procesin e konsolidimit të shtetit të ri e të pavarur, të ndërtojnë plotësisht institucionet e këtij shteti, që në një moment të caktuar t’ua dorëzojnë plotësisht të gjitha atributet e ushtrimit të sovranitetit kombëtar.

Gjithashtu, edhe të ndihmojnë në luftën kundër fenomeneve negative, siç është lufta kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve ilegale, qoftë edhe të qenieve njerëzore; të luftojnë dhe të ndihmojnë për krijimin e një shteti të konsoliduar ligjor, i cili kërkon masa të rrepta, kërkon programe të qarta, kërkon koordinim të shkëlqyer ndërinstitucional.

Pra, me pak fjalë, EULEX-i në radhë të parë, që është këtu për të ndihmuar në emër të vendosjes së shtetit ligjor dhe të luftës kundër korrupsionit në hallka të tilla administrative shumë delikate, siç janë: doganat, policia, gjykatat, duhet patjetër të zhvishet nga disa formulime statutore që i janë dhënë nga faktorët ndërkombëtarë institucionalë dhe të përveshë mëngët mirë, me qëllim që t’i vërë në praktikë të gjitha ato synime, për të cilat ka ardhur në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri më tash pavarësinë e Kosovës e kanë njohur 69 shtete. Por, thuhet se procesin e njohjeve e ka ngadalësuar GJND-ja. Cili është mendimi juaj në këtë drejtim?

PASKAL MILO
Është e vërtetë se procesi i njohjes ndërkombëtare të Kosovës është ngadalësuar gjatë këtyre dy vjetëve, por unë besoj se menjëherë pasi që Gjykata Ndërkombëtare të japë opinionin e saj këshillues, le të urojmë që ky opinion, siç është thënë, të jepet në fund të korrikut, unë pres që të ketë një shtim të numrit të vendeve që do t’i japin njohje shtetit të pavarur të Kosovës.

E them këtë, sepse mjaft vende e kanë deklaruar qartë se presin këtë mendim, cilido qoftë ai, sepse ai është mendim këshillues, nuk është vendimmarrës dhe për rrjedhojë, këto vende duan të bëjnë atë respektimin formal të mendimit të këtij institucioni ndërkombëtar.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, për fund zoti Milo, tashmë po flitet për bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës për çështje praktike. Çfarë mund të pritet prej tyre?

PASKAL MILO
Bisedimet për çështje praktike duhet të fillojnë, sepse ka një numër jo të vogël të këtyre çështjeve që rregullojnë marrëdhëniet midis qytetarëve, ose që kërkojnë të rregullojnë një status, i cili i pengon qytetarët e të dyja vendeve.

Po ashtu, pengon edhe marrëdhëniet konkrete të të dyja vendeve, siç mund të jenë marrëdhëniet e zgjidhjes së çështjeve të pronësisë, të tregtisë, të të kthyerve apo të të zhdukurve, apo edhe të mjaft problemeve të tjera teknike që kanë të bëjnë edhe me problemet e qarkullimit, të licencave, apo të një numri problemesh teknike dhe praktike që qëndrojnë në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Kjo do të ndihmonte rregullimin e çështjeve teknike, praktike në marrëdhëniet mes dy vendeve, do të ndihmonte shumë dhe do të krijonte një atmosferë tjetër në marrëdhëniet mes tyre, që është edhe e domosdoshme, aq më tepër po të kemi parasysh se të dyja vendet janë të futura në procesin e integrimit evropian, pavarësisht nga niveli që kanë.

Vetë Bashkimi Evropian do t’i nxisë këto dy vende që të shkojnë drejt takimeve, drejt bisedimeve, për t’i zgjidhur këto çështje edhe në kuadër të plotësimit të standardeve. Unë besoj se qeveritë e dy vendeve duhet ta bëjnë këtë, sepse, në fund të fundit, është në interesin e tyre dhe duhet bërë.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG