Ndërlidhjet

Haradinaj: Takimi me Thaçin nuk nënkupton afrim konceptesh


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se takimi i tij me kryeministrin Hashim Thaçi, në një pritje të shtruar nga ambasadori amerikan, nuk nënkupton afrim konceptesh mes dy partive politike.

“Ishte një përshëndetje e natyrës së këtyre pritjeve. Nuk kishim mundësi që të bëjmë ndonjë bisedë tematike. Siç e dini, unë kam shprehur gatishmëri, që në rast se lind nevoja për tema nacionale, të ulemi me kryeministrin, me presidentin dhe me zyrtarë të tjerë të vendit”.

“Nuk ishte një takim i tillë, ishte kryesisht një përshëndetje”, tha Haradinaj, në një konferencë për gazetarë.

Në publik ky ka qenë takimi i parë që kryeministri Hashim Thaçi takohet me kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, më herët e ka quajtur këtë një takim të karakterit privat.

Ndryshe, Haradinaj edhe sot ka thënë se Kosova ka nevojë që të ketë një tryezë nacionale, e cila do t’i bënte bashkë pozitën dhe opozitën për të diskutuar temat me interes nacional.
XS
SM
MD
LG