Ndërlidhjet

Haradinaj: Takimi me Thaçin s'nënkupton afrim konceptesh


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se takimi i tij me kryeministrin Hashim Thaçi, në një pritje të shtruar nga ambasadori amerikan, nuk nënkupton afrim konceptesh mes dy partive politike. Haradinaj sërish ka shtruar nevojën e një tryeze, në të cilën pozita dhe opozita do të diskutonin çështjet me interes nacional.



Takimin e parë në publik, pas një kohe të gjatë, mes kryeministrit Hashim Thaçi dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ky i fundit e ka quajtur takim kuortazie, pa ndonjë peshë të veçantë.

Ai ka thënë se shtrëngimi i duarve me liderin e Partisë Demokratike të Kosovës, në një ambient feste, nuk nënkupton afrim të koncepteve mes dy partive politike.

Ditë më parë, në një pritje për nder të ditëlindjes së ambasadorit amerikan, Kristofer Dell, Thaçi dhe Haradinaj janë takuar, kanë bashkëbiseduar dhe janë fotografuar së bashku.

Haradinaj shpjegoi detaje të takimit në fjalë:

“Ishte një përshëndetje e natyrës së këtyre pritjeve. Nuk kishim mundësi të bëjmë ndonjë bisedë tematike. Siç e dini, unë kam shprehur gatishmëri, që në rast se lind nevoja për tema nacionale, të ulemi me kryeministrin, me presidentin dhe me zyrtarë të tjerë të vendit".

"Nuk ishte një takim i tillë, ishte kryesisht një përshëndetje”,
tha Haradinaj, në një konferencë për gazetarë.

Ky është takimi i parë mes dy ish-figurave kryesore të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që thuhet se kanë prishur marrëdhëniet pasi që Haradinaj kishte hyrë, në vitin 2005, në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke e lënë në opozitë PDK-në.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, e ka quajtur takimin si të karakterit privat. Ndërkaq, Haradinaj përjashtoi mundësinë e përafrimit të partisë së tij me atë të kryeministrit - PDK-në.

Kemi një dallim konceptual me zotin Thaçi. Shumicën e rasteve, ai është shprehur si dallim personal. Bindja ime është se koncepti ynë politik dallon shumë prej zotit Thaçi. Mendoj se në të mirën e Kosovës është që t’i mos përziejmë këto koncepte në qeverisje, sepse ia humbim mundësinë Kosovës për të parë model tjetër qeverisës".

"Pra, drejtimi politik i Aleancës nuk synon afrimin me zotërinë Thaçi dhe PDK-në, për një koalicion të mundshëm në të ardhmen dhe nuk e parasheh këtë. Por, një dallim konceptual mund të mos jetë pengesë në kontakte dhe në komunikim”, u shpreh Haradinaj.

Haradinaj, edhe sot tha se Kosova ka nevojë që të ketë një tryezë nacionale, e cila do të bënte bashkë pozitën dhe opozitën, për t'i diskutuar temat me interes nacional.

Ai tha se më mirë do të ishte një tryezë e tillë, në kohën kur Kosova gjendet para vendimeve të mëdha, siç është ai i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sesa propozimi për qeveri teknike, që, sipas tij, do të përbënte një ndërhyrje radikale në qeverisje.

Dallimi mes qeverisë teknike tash dhe tryezës nacionale, është se nuk bëhet një ndërhyrje në qeverisje si qeverisje, por i jepet Kosovës një garanci, sepse krijohet një tavolinë, që për tema të ndryshme, pa marrë parasysh përgjegjësitë si janë të organizuara sot, mund të merret një vendim i duhur dhe i drejtë”, tha Haradinaj.

Por, edhe pse është kundër një qeverie teknike, Haradinaj nuk kurseu akuzat ndaj qeverisjes aktuale në vend dhe ndaj vetë kryeministrit Thaçi.

“Bindja ime është se Kosova, sfidën apo të keqen më të madhe e ka qeverinë sot dhe kryeministri Thaçi është meritor për humbjen, dëmet dhe të metat që i ka kjo qeverisje”, tha lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
XS
SM
MD
LG