Ndërlidhjet

MPL: Parteshi në funksion të decentralizimit


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Ministria e Pushtetit Lokal thotë se me zgjedhjet në Partesh, institucionet po i kryejnë obligimet e marra sa i përket decentralizimit. Por, moszbatimi i këtij plani në veri, sipas institucioneve, bie më tepër mbi supet e ndërkombëtareve, sesa vendorëve.


Parteshi është lokaliteti i katërt serb, që brenda një viti shndërrohet në komunë.

Në zgjedhjet e sotme, të organizuara nga Prishtina zyrtare, banorët shumicë serbë do të përcaktohen për njerëzit që do ta udhëheqin Parteshin, i cili, deri tash, ishte një fshat në përbërje të Gjilanit.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thotë se planin e decentralizimit e përmbyll krijimi i komunës së Mitrovicës Veriore dhe funksionalizimi i pushtetit në tri komunat veriore.

Megjithatë, ai thotë se me Parteshin, institucionet vendëse kryejnë obligimet e marra për krijimin e komunave me shumicë serbe.

“Aty ku ne patëm qasje, ku u krijuan kushtet, ne patëm rezultate konkrete. Tani dëshirojmë, me bashkësinë ndërkombëtare, me misionet e ndryshme në këtë përbërje, të vazhdojmë të njëjtin projekt edhe për veriun e vendit”, thotë për Radion Evropa e Lirë ministri Ferati.

Institucionet e Kosovës thonë se me krijimin e komunave me shumicë serbe, si Graçanica, Ranillugu, Kllokoti e tani dhe Parteshi, po joshin serbët që të integrohen në sistemin kosovar.

Por, kundërshtuesit e decentralizimit, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje, thonë se në të vërtetë, po ndodh e kundërta. Serbët në këto vendbanime, sipas Glauk Konjufcës, po shikojnë më tepër kah Beogradi.

“Mendoj se është e gabueshme, sepse nuk është zgjidhje për integrimin e serbëve në Kosovë. Përkundrazi, duke iu dhënë më shumë pushtet, por duke mos iu kërkuar lojalitet mendoj, ato po largohen nga kontrolli i Prishtinës”,
thotë Konjufca.

Megjithatë, ministri i Pushtetit Lokal mendon se po të kishin qasje institucionet e Kosovës, do të bënin që edhe serbët në veri, të cilët vazhdimisht bojkotojnë zgjedhjet kosovare, t’i kthenin sytë kah Prishtina.

“Edhe atje, qytetari do të mund të zgjedhë në mes të perpsektivës, barazisë dhe krijimit të një kualiteti të jetës apo të një gjendjeje jo të mirë, që e ka tani për tani”.

“Ajo ku duhet vënë theksin në këtë rast është se një mes ku do të ketë zbatim të ligjit, ku njerëzit do të mund të lëvizin lirshëm, ku qasja e institucioneve të Republikës së Kosovës do të jetë pa ndonjë hezitim edhe në veriun e Kosovës, ku do të mund ta zhvillojmë lirshëm partneritetin me qytetarët dhe liderët lokalë, pa u frikësuar se dikush do të kryejë ndonjë presion apo do të ketë ndonjë pasojë - është parakushti i domosdoshëm”,
thotë Ferati.

Por, aktivisti Konjufca mendon se pa një konsolidim të mirë të pushtetit qendror, nuk është dashur të krijohen komunat e reja serbe.

“Në kohën kur nuk është i konsoliduar pushteti qendror dhe, në anën tjetër, kur nuk është i vendosur sovraniteti në gjithë Kosovën, atëherë dhënia e më shumë pushteti strukturave paralele të Serbisë nëpër këto komuna, do të ishte largim i këtyre territoreve nga kontrolli i Kosovës dhe më shumë do t’i kontrollonte këto Beogradi”,
shprehet Konjufca.

Në takimin e fundit të Grupit Ndërkombëtar Drejtues, u kërkua nga institucionet që ta zbatojnë deri në fund Planin e Ahtisarit, me theks të veçantë procesin e decentralizimit.

Aty u kërkua nga kosovarët që këtë gjë ta bëjnë në jug, në mënyrë që veriu të marrë shembull se si të ecet përpara.

Ndërkohë, vitin e ardhshëm, decentralizimi që po zbatohet tash, sipas ministrit Ferati, do të rishikohet në tërësi. Ai ka paralajmëruar formimin e më shumë komunave, meqë, sipas tij, kërkesa të tilla janë bërë nga lokalitete të pothuaj secilës komunë kosovare.
XS
SM
MD
LG