Ndërlidhjet

Kurti: Pavarësisë t'ia shtojmë sovranitetin


Albin Kurti
Albin Kurti

"Ne vendosëm që të marrim pjesë në zgjedhje, meqenëse është urgjente që gjatë këtyre një apo dy viteve më së shumti pavarësisë t'ia shtojmë sovranitetin", thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.


RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Kurti pse vendosi Lëvizja Vetëvendosje të garojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

ALBIN KURTI
Ky vendim është marrë pasi që kemi diskutuar për një kohë shumë të gjatë. Për pesë muaj i kemi shoshitur hollësisht të gjitha përparësitë dhe mangësitë, dëmet dhe dobitë për pjesëmarrjen, përkatësisht mospjesëmarrjen tonë në zgjedhje. Besoj që arsyeja kryesore e cila ishte vendimtare që ne të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme është fakti se shpallja e pavarësisë së Kosovës, meqë nuk u parapri nga e drejta e vetëvendosjes, ajo nuk u pasua nga sovraniteti dhe nëse do të vazhdohet me këtë pavarësi formale pa sovranitet, atëherë ne jemi shumë të brengosur që asaj do t’i rrjedhë edhe formaliteti.

Pra, ne vendosëm që të marrim pjesë në zgjedhje, meqenëse është urgjente që gjatë këtyre një apo dy viteve më së shumti, pavarësisë t’ia shtojmë sovranitetin. Në të kundërtën, do të ndodhemi në ndonjë situatë që mund të jetë edhe më e keqe sesa Bosnja. Lëvizja “Vetëvendosje” e ka në fokus të saj, sovranitetin, i cili besojmë se është parakusht për dy gjëra thelbësore: demokracinë në njërën anë dhe zhvillimin ekonomik në anën tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do t’ia shtoni sovranitetin Kosovës?

ALBIN KURTI
Sovraniteti nënkupton të drejtën e Kosovës për kontrollin e resurseve natyrore dhe të kapaciteteve ekonomike, nënkupton të drejtën e Kosovës për t’u bashkuar me Shqipërinë, nënkupton të drejtën e Kosovës për ushtri, nënkupton mospasjen e strukturave paralele të Serbisë dhe integritetin territorial. Mendojmë që duhet të bëhemi shtet normal e shteti normal nënkupton shtetin me sovranitet. Kurrfarë integrimi në Bashkimin Evropian dhe as ulësja në OKB nuk do të jenë të mundura përderisa shteti i Kosovës ka pavarësi formale e nuk ka sovranitet.

RADIO EVROPA E LIRË
Kjo pavarësi formale ka rrjedhur nga pakoja e Ahtisaarit, të cilën ju zoti Kurti e keni kundërshtuar fuqishëm deri tani. Megjithatë, ka zëra që thonë se me pjesëmarrje në zgjedhje ju në fakt po futeni nën ombrellën e këtij plani?

ALBIN KURTI
Mjeteve të deritanishme për luftimin e planit të Ahtisaarit si një plan i cili e bosnjëzon Kosovën, ne po ia shtojmë edhe mjtetet institucionale. Pra, nuk është se ne po asimilohemi brenda insitucioneve të sistemit, por ne po ia marrim insitutcioneve të sistemit mjetet shtesë për ta luftuar në mënyrë më efikase këtë plan. Ne nuk kemi nevojë për decentralizim mbi baza etnike, por kemi nevojë për decentralizim qytetar. Sidoqoftë, kësaj duhet t’i paraprijë sovraniteti.

Ne mendojmë që këtë ta realizojmë duke ndërruar pushtetin, por jo për hir të ndërrimit të pushtetarëve, por për hir të ndërrimit të karakterit të shtetit. Ne kemi nevojë për një tjetër lloj shteti të Kosovës, pra për shtet të Kosovës, i cili është në shërbim të prodhuesve vendorë dhe jo të tregtarëve të huaj, i cili është në shërbim të mirëqenies së qytetarëve dhe jo luksit të pushtetarëve dhe për një shtet i cili krahasohet me shtetet normale demokratike në perëndim dhe dëshiron t’i arrijë ato standarde e jo të kënaqet me pak duke thënë se si është më mirë sesa para 10 vjetëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, ju thoni se doni të ndërroni pushtetin. Ka Lëvizja “Vetëvendosje” potencial të mjaftueshëm për të marrë pushtetin?

ALBIN KURTI
Ne tani jemi duke bërë rsitrukturimin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, kemi përpiluar statutin tonë të ri. Në të njëjtën kohë po përgatitemi për hartime të detajuara të programeve tona për politika tona dhe së fundi, sigurisht se pas disa muajve do t’i kemi zgjedhjet e brendshme në Lëvizjen “Vetëvendosje”. Mendojmë që me kalimin e kohës, pas disa muajve, do të jemi të pajisur edhe me programet e duhura, por edhe me njerëzit e duhur të cilët do t’i përfaqësojnë e mbrojnë ato programe.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti a shihni pengesa në këtë drejitm, meqë ligjet në fuqi ua pamundësojnë të garojnë në zgjedhje personave që në tre vjetet e fundit kanë qenë të dënuar nga gjykata, gjë që ndodhi me juve. Do të garojë “Vetëvendosje” pa Kurtin në listë apo çfarë do të bëni?

ALBIN KURTI
Kur e kemi marrë vendimin për pjesëmarrje në zgjedhje, e kemi pasur parasysh që këso pengese mund të paraqitet, pra nuk mund të them që këto pengesa do të mund të kenë ndonjë rol vendimtar. Ne tani jemi duke i analizuar të gjitha vështirësitë dhe sfidat e ndryshme, formale e procedurale, që do të mund na paraqiten drejt pjesëmarrjes sonë në zgjedhjet e ardhshme. Me këtë rast do t’i shqyrtojmë edhe zgjidhjet konkrete për këto pengesa e vështirësi.

Por, mendoj që nuk do të ketë penegsa të cilat do të jenë vendimtare dhe të cilat do të na e pamundësojnë pjesëmarrjen tonë në zgjedhje. Sidomos besoj që Lëvizja “Vetëvendosje” ka treguar që ka një karakter të fuqishëm kolektiv ashtu edhe siç është natyra e së drejtës për vetëvendosje dhe fatet individuale të aktivistëve të veçantë nuk mund të luajën rol përfundimtar.

Këso pengese mund të mos kem vetëm unë, sepse siç dihet ka shumë procese të hapura edhe ndaj aktivistëve të tjerë. Por, Lëvizja “Vetëvendosje”, para se gjithash është qëllimi, koncepti dhe fryma e saj, e jo njerëzit e posaçëm të saj.

RADIO EVROPA E LIRË
Keni thënë se Lëvizja nuk do të shndërrohet në parti politike, por do të jetë lëvizje qytetare politike. Dihet se nismat qytetare, në të vërtetë nuk kanë pasur shumë sukses në Kosovë, dhe kjo është parë nga rezultatet e zgjedhjeve. Pse jeni të bindur se ju do të keni sukses?

ALBIN KURTI
Ne jemi lëvizje qytetare, por mbi të gjitha jemi lëvizje politike. Pra, ne kemi një karakter thellësisht politik dhe jemi të shtrirë gjithandej nëpër Kosovë, dhe mendojmë se përvoja e deritanishme pesëvjeçare e aktivistëve tonë dhe fakti që ne jo vetëm që dëshirojmë ta ndërrojmë pushtetin, por edhe llojin e shtetit, duke sjellë tërësisht praktika të tjera qeverisëse dhe kulturë tjetër politike, janë ato të cilat neve na sigurojnë që nuk do të mund të absorbohemi nga sistemi politik në kuptimin e keq të fjalës.

Ne nuk po i shtojmë me këtë rast vetëm programet e Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe anëtarët e rinj, por në të njëjtën kohë ne politikës në Kosovë, po ia shtojmë një lloj të ri të betejës, e cila përmblidhet në faktin, që ne nuk kemi qëndrime e plane politike për ta marrë pushtetin, për hir të pushtetit, por neve na nevojitet pushteti për t’i realizuar e zbatuar ato qëndrime.

Mjeteve të deritanishme, siç janë protestat, demonstratat dhe tubimet publike, aksionet e ndryshme simbolike, po ia shtojmë edhe mjetet insittucionale. Tamam ashtu siç besojmë se vullneti i popullit të Kosovës duhet t’i marrë edhe institucionet e sistemit, pa qenë i kufizuar brenda tyre.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Kurti, që në fillim thatë se shtimi i sovrnatitetit është qëllimi i Lëvizjes “Vetëvendosje”. Tashmë dihet problëmi i pazgjidhur i pjesës veriore të Kosovës. Si do ta zgjidhni problemin në këtë pjesë, në të cilën, tash 11 vjet, Prishtina nuk ka kontroll, por as mekanizmat ndërkombëtarë?

ALBIN KURTI
Veriu i Kosovës është problem i trefishtë: është problem politik; problem i sigurisë dhe porblem ekonomik. Ne mendojmë që për t’u bashkuar Mitrovica dhe për t’u integruar veriu i Mitrovicës në Kosovë, ka nevojë për disa masa, të cilat do të mundësonin forcimin e pozitës së shqiptarëve atje. Shqiptarët të cilët janë në veri, nuk do të duhej lejuar që t’i shesin, Qeverisë së Serbisë pronat e tyre.

Nëse ka shqiptarë shumë të varfër, të cilët janë të detyruar që ta bëjnë këtë për shkak të pozitës së tyre materiale, atëherë është qeveria e Kosovës, është pushteti në Kosovë që duhet t’i blejë ato prona. Do të duhej, që në çdo vendbanim shqiptar të ketë nënstacione policore dhe duhet që të merren nga Policia e Kosovës dhe Doganat e Kosovës kontrolli mbi pikat kufitare 1 dhe 31. EULEX-i nuk mund ta bëjë këtë gjë, në vend tonin; EULEX-i nuk është nga Kosova, nuk e ka motivin, që do ta kishin vendasit.

Dhe për me tepër, EULEX-i, sic dihet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Ne do të duhej që ta revitalizojmë Trepçën, ndërmarrjet përbërëse të së cilës, ndodhen edhe në veri edhe në jug të lumit Ibër.

Mandej do të duhej që të ketë përparësi për shqiptarët në veri, sa i përket punësimit, arsimit, shëndetësisë, transportit veri-jug dhe anasjelltas, dhe po ashtu është e domosdoshme që në veriun e Kosovës të ketë prezencë të shtuar të institucioneve të Kosovës, sepse siç dihet krejt cfarë kemi atje është një strategji në letër, dhe kemi 85 policë gjithsej që ndodhen nën komandën e Milija Millosheviqit, për të cilin ka fakte që në fakt ndonëse punon në Policinë e Kosovës, merr direktiva nga Beogradi. Besoj, që kur të ndryshohen këto që i përmenda atëherë sigurisht se cilësisht do të ndryshonte edhe gjendja në veri.
XS
SM
MD
LG