Ndërlidhjet

logo-print

Institucionet e Kosovës dhe analistët politikë vlerësojnë pozitivisht daljen deri në 65% të votuesve serbë në zgjedhjet lokale në komunën e re të Parteshit. Pjesëmarrja shumë më e lartë në zgjedhjet kosovare, sesa në ato të Serbisë, që u mbajtën në muajin maj në Mitrovicë, sipas Prishtinës zyrtare, dëshmon se serbët po pranojnë realitetin dhe se kanë zgjedhur integrimin në sistemin kosovar.


Dalja e lartë e votuesve të Parteshit në zgjedhjet për kryetarin e komunës së re është një sukses i madh për Kosovën, procesin e decentralizimit dhe kthimin e qytetarëve serbë kah institucionet e Kosovës, thonë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe analistët politikë në Prishtinë.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, çmon lart procesin zgjedhor të organizuar në komunën e re të Parteshit. Duke e vlerësuar pjesëmarrjen e lartë të qytetarëve në procesin zgjedhor për pushtetin lokal në këtë komunë të banuar me pjesëtarë të komunitetit serb, presidenti Sejdiu thotë se kjo është një provë e mirë, që tregon se qytetarët e këtij komuniteti po i kthehen realitetit dhe perspektivës së përbashkët në Kosovë.

“Organizimi i zgjedhjeve për pushtetin lokal në komunën e Parteshit, pas organizimit të suksesshëm të zgjedhjeve në komunën e Graçanicës, Kllokotit dhe Ranillugut, dëshmon përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për zbatimin e plotë të detyrimeve që dalin nga Pakoja e presidentit Ahtisari”, thekson presidenti Sejdiu.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, thotë se qytetarët e komunës së Parteshit, gjatë procesit të djeshëm zgjedhor, kanë treguar se janë të interesuar të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës.

Qeveria e Kosovës
Pjesëmarrja kaq e lartë e qytetarëve të përkatësisë serbe në zgjedhjet e djeshme në komunën e re të Parteshit, është padyshim një lajm i mirë dhe një konfirmim i të arriturave të deritashme të institucioneve të Republikës se Kosovës, në pranimin e realitetit politik në Kosovë. Kjo, po ashtu është edhe një dëshmi se ndikimi i Beogradit tashmë është në zhdukje e sipër”, thotë Krasniqi.

Analisti Halil Matoshi thotë se përqindja prej me shumë se 65% e daljes së votuesve për zgjedhjen e kryetarit të komunës së re të Parteshit është një tregues i mirë që serbët tashmë i kanë pranuar institucionet e Republikës së Kosovës.

Zgjedhjet e djeshme në komunën e re të Parteshit, afër Gjilanit, dëshmojnë se qytetarët e Kosovës definitivisht duan që ta rregullojnë jetën e tyre vetë, duke zgjedhur një pushtet legal, duke qenë se ata i pranojnë institucionet e Kosovës si të tyre. Kjo është ndoshta një e arritur politike, ndër më të mëdhatë pas luftës në Kosovë. Besoj se edhe komunat tjera, besoj se edhe veriu i Kosovës, shumë shpejt do të binden dhe do t’i zgjedhin organet e tyre demokratike“, thotë Matoshi.

Edhe drejtori i Institutit KIPRED, Ilir Deda, deklaron se dalja e madhe e votuesve në zgjedhjet, të cilat janë organizuar nga institucionet e Kosovës, është një sukses i madh për Kosovën.

Dalja aq e lartë në zgjedhje e qytetarëve serbë në Partesh është një sukses jashtëzakonisht i madh për Kosovën. Është një sukses i procesit të decentralizimit dhe është një sukses në kthesën e serbëve drejt institucioneve të Kosovës dhe akomodimit të tyre në realitetin e ri në Kosovë”, thekson Deda.

Serbia, më 30 maj, ka organizuar zgjedhjet lokale në veri të Mitrovicës, por në to kanë marrë pjesë vetëm 28 për qind të qytetarvëve me të drejtë vote.

Duke krahasuar daljen e serbëve në zgjedhjet e djeshme në Partesh dhe atë më 30 maj në veri të Mitrovicës, analistët thonë se Serbia ka marrë një mesazh të fuqishëm nga banorët në jug të lumit Ibër.

"Serbët në Mitrovicë, me daljen e ulët në zgjedhjet paralele serbe, i kanë dërguar një mesazh Beogradit se nuk besojnë në politikën e Serbisë dhe nuk besojnë se Beogradi është ai autoritet, i cili mund ta rregullojë jetën e tyre”, shprehet Ilir Deda.

Në anën tjetër, politikanët serbë të Mitrovicës janë të zhgënjyer me daljen e madhe në votime të qytetarëve të Parteshit.

Ura qendrore në Mitrovicë
Është e dukshme se nuk ka pasur propagandë zyrtare të regjimit në Beograd, të qeveritarëve serbë, që këto zgjedhje që i organizojnë institucionet e Kosovës, të bojkotohen. Si duket, populli është braktisur në Partesh. Ky është vlerësim negativ dhe shumë i keq i punës së Ministrisë për Kosovën, e cila nuk ka bërë asnjë lëvizje që t’iu sqarojë njerëzve që jetojnë në një rreth që i diskriminon dhe ua rrezikon të drejtat themelore".

"Kështu që, njerëzit, në një situatë të tillë, të izoluar dhe jo mjaft të informuar për rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, kanë dalë në këto zgjedhje me këtë numër kaq të madh”, thotë Millan Ivanoviq, përfaqësues i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka bërë të ditur se në komunën e Parteshit, dalja e qytetarëve ka qenë 65.34%, nga gjithsejtë 3,508 qytetarë me të drejtë vote.

Parteshi është komunë e re me shumicë serbe, e formuar në bazë të procesit të decentralizimit. Zgjedhjet për pushtetin lokal në Partesh qenë shtyrë nga nëntori i vitit të kaluar për qershor te këtij viti, pasi, siç thuhej, atëherë nuk ishin përmbushur të gjitha kriteret për mbajtjen e tyre.

Lexoni edhe këtë:
MPL: Parteshi në funksion të decentralizimit
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG