Ndërlidhjet

Prishtina me ‘vijat e kuqe’ në bisedimet


Përfaqësues të opozitës dhe analistët inkurajojnë Qeverinë dhe institucionet tjera që ta përcaktojnë qartë pozicionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë. Duke i përcaktuar si “vija të kuqe”, ata thonë se nuk duhet pranuar bisedime për statusin.



Kosova duhet t’i përcaktojë qartë ‘vijat e kuqe’, të cilat nuk duhet t’i kalojë në kuadër të bisedimeve të ardhshme me Serbinë, thonë përfaqësues politikë në Prishtinë dhe analistë.

Sipas tyre, nuk është e mjaftueshme që lidershipi i Kosovës të deklarohet se bisedimet e ardhshme nuk përfshijnë çështjen e statusit, pasi që statusi është një kapitull i mbyllur.

Nënkryetari i parë i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Blerim Shala, ish-koordinator i grupit negociues të Kosovës në negociatat e Vjenës, thotë se gjithmonë ka ekzistuar shqetësimi se Beogradi do të kërkojë, në çfarëdo bisedimesh, ta ngrejë si çështje veriun apo ndarjen territoriale të Kosovës.

Maksimumi që pala kosovare ka ofruar, është decentralizimi sipas Planit të Ahtisarit, thotë Shala, duke u kërkuar institucioneve që para se të hyjnë në bisedime, ta përkufizojnë qartë pozicionin e tyre.
nuk mund të bisedohet për statusin... assesi nuk mund të bisedohet për ripërkufizimin e territorit të Kosovës apo ndarjen e territorit të Kosovës...

“Ne jemi të bindur që ekzistojnë tri vija të kuqe, të cilat pala kosovare nuk bën assesi t’i tejkalojë gjatë dialogut me palën serbe. Së pari, natyrisht nuk mund të bisedohet për statusin dhe këtu kemi një konsensus jo vetëm brenda Kosovës, por kemi edhe një përkrahje objektive shumë të fuqishme nga Perëndimi".

"Së dyti, assesi nuk mund të bisedohet për ripërkufizimin e territorit të Kosovës apo ndarjen e territorit të Kosovës, opsion ky i favorizuar nga pala serbe, dhe po ashtu, së treti, nuk bën assesi të rihapet Pakoja e Ahtisarit në kuadër të një koncepti që tashmë është karakterizuar si Ahtisari-plus”,
thotë Shala.

Bisedimet e ardhshme, sado që janë paralajmëruar si teknike, për zëvendëskryetaren e Aleancës Kosova e Re, Mimoza Kusari-Lila, do të marrin dimensionin politik, marrë parasysh pozicionin serb në raport me shtetin e Kosovës. Kurse, shqetësim më vete, nënvizon Kusari, është gjendja në veriun e vendit.
Ajo që mund të bisedohet, është vetëm funksionaliteti i jetës institucionale kosovare në veri...

“Frika jonë ka qenë se fillimi i bisedimeve ka të bëjë pikërisht për veriun e Kosovës. Nuk është zgjidhje nëse institucionet mbajnë një pozicion gati statik karshi lëvizjeve që ndodhin në veri dhe të presin që dikush tjetër të vijë nga jashtë, të ndërhyjë dhe rregullojë situatën në veri".

"Prandaj, ne e dimë se janë disa kritere të pakontestueshme, siç është tërësia territoriale e Kosovës, sovraniteti dhe mosprekja e kufijve. Këto duhet të jenë dhe të mbeten parime të pakontestueshme. Ajo që mund të bisedohet, është vetëm funksionaliteti i jetës institucionale kosovare në veri”,
thekson Kusari-Lila.

Ndërkohë, analisti Arben Qirezi thotë se Prishtina nuk duhet të hezitojë që të përfshihet në këto bisedime, të cilat ai i sheh si politike. Edhe Qirezi pajtohet se Pakoja e Ahtisarit është maksimumi që Kosova ka ofruar për komunitetin serb dhe kërkon që Serbia t’i shfrytëzojë të drejtat e saj që të ketë komunikim me serbët, përmes dispozitave që parasheh kjo pako.
...nuk ka asgjë të keqe në mbajtjen e këtyre bisedimeve, duke përfshirë qarkullimin e mallrave kosovare në Serbi, çështjen e strukturave paralele serbe...

“Mendoj se nuk ka asgjë të keqe në mbajtjen e këtyre bisedimeve, duke përfshirë qarkullimin e mallrave kosovare në Serbi, çështjen e strukturave paralele serbe, të cilat funksionojnë në mënyrë të hapur në veriun e Kosovës, si dhe çështje të tjera, për të cilat mbase edhe Serbia do të mund të kishte interes në Kosovë”, thotë Qirezi.

Që këto bisedime të prodhojnë ndonjë rezultat, Qirezi e sheh të domosdoshme që aty të jenë si ndërmjetësues edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe përfaqësuesit e BE-së. Integrimi i Serbisë në BE, sipas tij, duhet të kushtëzohet me rolin konstruktiv që Serbia duhet të luajë në raport me Kosovën.

Ndërkaq, Blerim Shala dhe Mimoza Kusari pajtohen se këto bisedime do të mund të ishin teknike vetëm nëse do të kishin për synim bashkëpunimin ndërfqinjësor dhe zbatimin e Pakos së Ahtisarit.

Por, përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet dhe as Pakon e Ahtisarit si dokument valid, Shala dhe Kusari ftojnë institucionet që të përgatiten me një pozicion të qartë, duke përgatitur vijat e gjelbra, për të cilat do të bisedohej me Beogradin, dhe vijat e kuqe, tej të cilave nuk do të shkohet në këto bisedime, të paralajmëruara pas verdiktit që Gjykata Ndërkombëtare Drejtësisë do të japë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG