Ndërlidhjet

Aktrimi, misioni jetësor i Bekim Fehmiut


Bekim Fehmiu
Bekim Fehmiu

Veprat të cilat ka lënë pas aktori Bekim Fehmiu, ia kanë siguruar atij pavdekësinë dhe ai aktrimin nuk e kishte vetëm profesion, por mision jetësor.

Kështu u tha sot në mbledhjen përkujtimore, në kinemanë ABC në Prishtinë, për aktorin e ndjerë Bekim Fehmiu, i cili ndërroi jetë të martën e javës së kaluar.

Në këtë mbledhje përkujtimore, në të cilin ishin të pranishëm edhe familjarët më të afërt të aktorit Fehmiu, fillimisht u lexua biografia e tij, të cilën e kishte shkruar Uliks Fehmiu, i biri i aktorit të ndjerë. Për figurën e aktorit Fehmiu foli njëri prej miqve të tij, aktori Bajrush Mjaku, i cili duke përshkruar veprën e aktorit të ndjerë, theksoi:

“Ai, aktrimin nuk e kishte profesion, por mision jetësor. Dhe kështu jetoi deri në çastet e fundit të jetës së tij në këtë botë. Ashtu edhe u largua nga kjo botë, në një mënyrë dramatike, siç edhe ishte misioni i tij, që të na tronditë dhe ndoshta edhe të na zgjojë nga një gjumë që e ka kapluar shoqërinë tonë, kur është fjala për vlerat e kombit. Figura e Bekim Fehmit do të na bëjë të shndrisim në qiellin e trashëgimisë kulturore botërore, duke na bërë edhe neve pjesë të kësaj trashëgimie”.

Ndërkaq në emër të komunitetit të artistëve të Kosovës, aktorin Fehmiu e përkujtoi aktori Blerim Gjoci.

“Në një kupolë të vogël, të po kësaj kinemaje, çdo verë vinte një nga bijtë më të shkëlqyer të këtij kombi, që me punë dhe talent briliant e mahniti botën. Unë mendoj se bota nuk ishte e gatshme për një burrë aq të sinqertë dhe të rreptë, një aktor që ishte vullkan ndjenjash, një burrë që ende ‘PO-në e kishte PO dhe JO-në e kishte JO’, virtyt ky i rrallë, sidomos sot".

"Në këtë kino ABC e gjeti miqësinë, por edhe gjeti gjirin ku do të hidhte spirancën. Këtu takonte miqtë, por edhe kureshtarët, artistët e rinj, shkrimtarët, piktorët. Nuk kursente asnjëherë veten, nëse ne artistët kërkonim këshillë
”, tha Gjoci.

Aktori Gjoci gjithashtu ka lexuar edhe një letër falendërimi, të cilën Bekim Fehmiu ia kishte shkruar drejtorit të kinemasë ABC në Prishtinë, katër vjet më parë, kur kjo kinema, në ditëlindjen e tij të shtatëdhjetë i kishte dhuruar një statujë të vogël të Skenderbeut.

Në anën tjetër, simbolika e mbajtjes një minutë heshtjeje, e cila bëhet për të ndjerët, për aktorin Bekim Kehmiu, u shndërrua në një minutë duartrokitje për veprën e këtij aktori.

Të pranishmit në këtë mbledhje përkujtimore u emocionuan kur atyre iu drejtua i biri i Bekim Fehmiut, Uliksi, i cili përveç falënderimeve për organizimin e këtij përkujtimi, deklamoi vargjet e poezisë “Njeriu këndon pas luftës” të poetit Dushan Vasilev.

Ju faleminderit për ardhjen tuaj në ngushëllim. Kjo letër është testament i babës, të cilën e kam gjetur në dhomën e tij. Kisha pasur dëshirë që t’ua lexoj”, tha Uliks Fehmiu.

Në mënyrë spontane të pranishmëve iu drejtua edhe bashkëshortja e aktorit Bekim Fehmiu, aktorja Branka Petriq. Ajo tha se nuk e kishte planifikuar që të fliste, por…

“Kur kam hyrë këtu, aq shumë jam emocionuar, por tash jam qetësuar. Ndjej nevojën që t’i them disa fjalë. Më vjen shumë keq, sinqerisht, që nuk mund t’i them ato në gjuhën me të cilën ka folur bashkëshorti im. Vetëm dua t’ju them se ne të dy i kemi kaluar 40 vjet së bashku, me dashuri”, tha Branka Petriq, duke shtuar se kinemanë ABC po e ndjente si një shtëpi të saj.

Ndryshe, në shenjë nderimi për aktorin e ndjerë Bekim Fehmiu, Filharmonia e Kosovës, nesër do të mbajë koncertin përkujtimor.
XS
SM
MD
LG