Ndërlidhjet

Nataliteti në Kosovë ka shënuar rënie shqetësuese në vitet e fundit. Sipas ekspertëve të këtij lëmi, nëse krahasohet me vendet evropiane, Kosova ka përqindjen më të lartë të rënies së natalitetit. Shkaktar i kësaj dukurie është cilësuar të jetë edhe Ligji për lehoninë.





Nataliteti në Kosovë ka shënuar rënie shqetësuese viteve e fundit, thotë Shefqet Lulaj, drejtor i Klinikës Gjinekologjike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Sipas tij, numri i lindjeve prej vitit 2000 deri më 2009 ka shënuar rënie. Në vitin 2000 kanë qenë të raportuara 39 mijë lindje, ndërsa në vitin 2009 - 28 mijë lindje, që do të thotë se janë raportuar 27.8 për qind më pak, krahasuar me periudhën e vitit 2000.

Lidhur me këtë, Lulaj thotë:

”Nëse krahasohet me vendet evropiane, Kosova ka përqindjen më të lartë të rënies së natalitetit. Kjo duhet t’i shqetësojë edhe institucionet dhe faktorët relevantë, të cilët kujdesen për shëndetin e nënës dhe fëmijës në Kosovë”.


Në rënien e natalitetit në Kosovë, sipas ekspertëve, ndikojnë shumë faktorë. Një nga ta thuhet se është edhe Ligji për lehoninë, i cili lehonave u lejon vetëm 12 javë pushim.

Fadil Rracaj, drejtor i Departamentit Ligjor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se kjo gjendje do të vazhdojë edhe më tej, për shkak të, siç thotë ai, pamundësisë për t’i paguar lehonat më gjatë në pushim.
Janë përcaktuar të drejtat minimale prej 12 javësh, për shkak të rrethanave në vendin tonë... institucionet nuk kanë mundësi financiare ta kompensojnë më gjatë...


“Janë përcaktuar të drejtat minimale prej 12 javësh, për shkak të rrethanave në vendin tonë. Duke marrë parasysh zhvillimin ekonomik, institucionet nuk kanë mundësi financiare ta kompensojnë më gjatë, e as sektori privat”,
shpjegon Rracaj.

Edhe Agron Gashi, nga UNICEF-i, konfirmon trendin e rënies së natalitetit, duke cekur faktorët që ndikojnë në këtë çështje.

Sipas Gashit, zyra e UNICEF-it ka përkrahur mbledhjen e të dhënave që nga viti 2000, në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë edhe me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Në bazë të të dhënave që kemi, ka rënie të numrit të lindjeve. Nuk është bërë ndonjë analizë se pse është duke ndodhur, mirëpo ndikon gjendja ekonomike, pastaj planifikimi familjar. Edhe pushimi i lehonisë është shkaktar që ndikon në rënien e natalitetit”,
thekson Gashi.

Ndërkaq, sipas Skënder Sylajt, udhëheqës i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Ligji i lehonisë do të duhej të ishte së paku 6 muaj pushim, sepse, sipas tij, rekomandimet janë që fëmija të ushqehet me qumësht gjiri 6 muaj.

Sylaj shprehet se ende nuk ka ligj për sigurime shëndetësore, e as ligj të punës. Andaj, në të ardhmen, OBSH-ja rekomandon fuqimisht që të ketë një bashkëpunim më të mirë ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Kjo çështje duhet të analizohet dhe të hartohen dhe përpilohen ligjet, bazuar në kushtet që ekzistojnë, por gjithmonë duke pasur në fokus gruan dhe shëndetin e saj”
, përfundon Sylaj.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG