Ndërlidhjet

Haradinaj: Tryezë nacionale për bisedimet me Serbinë


Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ftoi spektrin politik të Kosovës të ulet në një tryezë kombëtare, për të përcaktuar platformën e bisedimeve me Serbinë. Por, Prishtina zyrtare tha se është e përgatitur.


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj propozoi formimin e një tryeze nacionale, ku do të bisedohej në lidhje me platformën e bisedimeve të ardhshme me Serbinë.

Gjatë një konference për gazetarë, Haradinaj tha se një tryezë e tillë ku do të përfaqësohej spektri relevant politik, ai në pozitë dhe opozitë, do të përcaktonte temat, për të cilat Kosova ka interes të bisedohen me Serbinë dhe temat që nuk janë në interes të këtij dialogu të mundshëm me Beogradin.

“Kosova duhet të ulet së bashku për të biseduar, për të parë se a kemi nevojë të bisedojmë me Serbinë, a e ndiejmë këtë nevojë dhe për çfarë temash”.

“Në rast se ka një dakordim për temat që ne mendojmë se janë të nevojshme, edhe mund të ndodhin biseda, por kuptohet duhet të vendoset korniza e këtyre bisedimeve, niveli dhe shumëçka që ndërlidhet me to. Është interes i Kosovës të avancohet në marrëdhënie fqinjësore, por Kosova nuk ka asnjë zor që të ngutet për të biseduar me Serbinë”,
tha Haradinaj.

Kryetari i AAK-së, Haradinaj, është angazhuar për një menaxhim të mirë të situatës pas vendimit që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë do të japë në lidhje me pavarësinë e Kosovës.

Haradinaj theksoi se Kosova nuk ka nevojë të nxitojë për bisedime me Beogradin, për temat, të cilat do ta dëmtonin të ardhmen e saj.

Ndërkaq, u pajtua se pas vendimit të GJND-së, që është paralajmëruar diku pas 22 korrikut, mund të pasojë edhe një valë e re njohjesh të shtetit të Kosovës.

“Ka një dinamikë të re të miqve të Kosovës për të sjellë njohje të reja dhe është interes i Kosovës të marrë njohje të reja - një valë të re njohjesh pas GJND-së. Është një interes jetik, i madh i yni që të ketë një lloj përgjigje që vendimi i GJND-së nuk e ka ndalur Kosovën, por e ka avancuar”
, theksoi Haradinaj.

Qeveria e Kosovës
Vendimi i GJND-së do të mund të ndikojë pozitivisht edhe në zbutjen e qëndrimit të Serbisë në raport me Kosovën, tha zëvendësministrja e Jashtme, Vlora Çitaku.

Ndërsa, nuk e parasheh si të nevojshme as të panevojshme formimin e ndonjë tryeze nacionale, ku do të diskutohej edhe çështja e bisedimeve me Serbinë.

Çitaku tha se Kosova është e përgatitur dhe ka gatishmëri të bisedojë me Serbinë për çështje të interesit ndërshtetëror dhe ato që kanë të bëjnë me integrimin e vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian.

“Ne besojmë që përmbyllja e procesit në GJND do të shërbejë si një shkundje-këndellje për politikën në Beograd, që ata të kuptojnë se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”.

“Prishtina ka vullnetin e mirë që të ulet dhe të bisedojë me Beogradin për çështje të interesit reciprok, sidomos ato që ndërlidhen me proceset integruese në Bashkimin Evropian dhe në NATO”,
deklaroi Çitaku.

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë është paralajmëruar se do të mund të publikojë mendimin e vet këshillëdhënës për pavarësinë e Kosovës diku pas 22 korrikut.

Ndërkohë, në Prishtinë, janë shtuar debatet në lidhje me bisedimet me Serbinë, të cilat diplomatët ndërkombëtarë i kanë paralajmëruar se mund të nisin pak muaj pas verdiktit të GJND-së.

Lexoni edhe këtë: Prishtina me ‘vijat e kuqe’ në bisedimet
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG