Ndërlidhjet

Pjesëmarrja e madhe në zgjedhjet e së dielës në Partesh, sipas zyrtarëve të institucioneve, do të jetë shembulli më i mirë për integrimin e veriut në sistemin kosovar. Por, politikanë të veriut thonë se pjesëmarrja ishte meritë e Beogradit.


Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës janë të bindur se suksesi i treguar në mbajtjen e zgjedhjeve në komunën e re të Parteshit, do të jetë një shembull i mirë për veriun e Kosovës dhe inkuadrimin e komunitetit serb në jetën institucionale të vendit.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet janë të përkushtuara për të vazhduar me zbatimin e procesit të decentralizimit.

Sadri Ferati, ministër i Pushtetit Lokal
Ferati thotë se herët a vonë, edhe veriu do të ndjekë shembullin e komunave të reja serbe, të krijuara sipas Planit të Ahtisarit.

“Ajo që ka ndodhur në Graçanicë, Kllokat, Ranilluk, Shtërpcë dhe tani së fundi në Partesh, është një shembull i mirë se institucionet e Republikës së Kosovës, së bashku me partnerët, kanë arritur që t’i sqarojnë qytetarët dhe kanë treguar vullnetin e tyre për t’ua ndryshuar mënyrën e jetës”.

"Ne po demonstrojmë nga funksionimi i mirë i komunës nga Graçanica deri të Shtërpca se qytetarët e komunitetit serb mund të jetojnë mirë në një bashkëjetesë me të gjithë të tjetër”.


“Dhe, kur munden ata këtu, edhe qytetarët në veri të Mitrovicës dhe në pjesën tjetër të Kosovës, nuk duhet të hezitojnë dhe të kenë dilema nëse mund të jetojnë në një bashkëjetesë me të gjithë të tjerët”,
thotë Ferati.

Por, politikanët serbë të veriut të Kosovës thonë se nuk janë institucionet e Kosovës meritore për pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, por heshtja e Beogradit.

Marko Jakshiq, nga Këshilli Nacional Serb, thotë se në një mënyrë a tjetër, vetë Beogradi dha leje për pjesëmarrje në këto zgjedhje.

“Mendoj se heshtja e Beogradit ka bërë që serbët të dalin në zgjedhje. Ata që kanë marrë pjesë, edhe pse nën petkun e iniciativave qytetare, në fakt janë pjesë e partive politike në pushtet në Serbi, si Partia Demokratike apo G-17”.

“Dalja në zgjedhje mund të shihet vetëm si përkrahje e Beogradit për të dalë në ato zgjedhje, ndryshe, mendoj se serbët nuk do të dilnin”
, shprehet Jakshiq, duke përjashtuar mundësinë që Parteshi të jetë shembull edhe për veriun e Kosovës.
...mendoj se Beogradi do të mbajë qëndrim tjetër, sa i përket daljes së serbëve në pjesën veriore... dalja në zgjedhje është meritë e Beogradit dhe jo e Prishtinës...


Në këtë pjesë, pritet që institucionet t’i shpallin zgjedhjet për komunën e re në veriun e Mitrovicës. Jakshiq thotë se Beogradi ka qëndrim tjetër për veriun, por, sipas tij, duhet lënë kohës për të parë se ç’qëndrim do të marrë Serbia.

“Sa i përket pjesës veriore, këtu kemi një qëndrim tjetër të Beogradit. Megjithatë, do të kemi shans të shohim nëse Beogradi do të sillet ndryshe, kur Prishtina t’i shpallë zgjedhjet për veriun e Kosovës”.

“Unë mendoj se Beogradi do të mbajë qëndrim tjetër, sa i përket daljes së serbëve në pjesën veriore. Dhe, nëse Beogradi dërgon sinjal se serbët nuk duhet të dalin në zgjedhje, atëherë serbët nuk do të dalin në zgjedhje. Përsëris se dalja në zgjedhje është meritë e Beogradit dhe jo e Prishtinës”,
thekson Jakshiq.

Por, ata që u zgjodhën në Partesh, për të shkuar në raundin e dytë zgjedhor, shpjegojnë vetë arsyet e pjesëmarrjes.


“Ka pasur pjesëmarrje të lartë, pasi që njerëzit kanë treguar mosbesim ndaj Ministrisë serbe për Kosovën dhe kanë vendosur që t’i marrin gjërat në duart e tyre, për shkak se nuk janë të kënaqur me Ministrinë për Kosovën”.
Ka pasur pjesëmarrje të lartë, pasi që njerëzit kanë treguar mosbesim ndaj Ministrisë serbe për Kosovën dhe kanë vendosur t’i marrin gjërat në duart e tyre...

“Paratë nuk kanë ardhur këtu, por janë kthyer mbrapsht në Beograd për banesa, lokale apo ordinanca private - e tërë kjo ka ndikuar. Personalisht, motivi im për të dalë në zgjedhje ka qenë e ardhmja për familjen time, sepse për vite të tëra asgjë nuk kemi marrë”,
thotë Nenad Cvetkoviq nga Iniciativa Qytetare “Vendlindja"

Zyrtarët e institucioneve thonë se do t’i bindin serbët se Prishtina është ajo që do t’u ofrojë serbëve jetë më të mirë, sesa strukturat paralele të financuara nga Beogradi.

Ministri Ferati beson se së shpejti do të joshen edhe serbët e veriut. Ai konsideron se sundimi i ligjit në veri, do të mundësojë, që të mbahen zgjedhjet për komunën e re të Mitrovicës.

“Natyrisht, atje duhet të evitohen shkaqet që po e krijojnë këtë situatë në veri. Në veri janë shumë më shumë prezentë, në rend të parë interferimi i Beogradit dhe deficiti i madh në sundimin e ligjit”.

“Mungesa e sundimit të ligjit ka krijuar mekanizma, të cilët po përdoren nga ata që nuk ia duan të mirën situatës atje dhe nuk e shohin me sy të mirë integrimin e qytetarëve të komunitetit serb dhe normalizimin e jetës. Ngase kjo do të jetë dëshmi e funksionimit të institucioneve dhe një mundësi e krijimit të perspektivës për të gjithë kosovarët”,
deklaron Ferati.

Veriu i Kosovës vazhdon të kontrollohet nga struktura paralele serbe që financohen nga Qeveria e Serbisë. Institucionet kanë hartuar një strategji për integrimin e kësaj pjese, por analistët thonë se ajo ende mbetet vetëm strategji në letër.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG