Ndërlidhjet

Feith: Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar - prioritet

  • Augustin Palokaj

Piter Feith

Piter Feith

Në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së, Piter Feith, nënvizoi nevojën e Kosovës për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar.


Në Bruksel është zhvilluar pjesa e parë e takimit të Komitetit për Politikë të Jashtme, Komisionit për Evropën juglindore dhe deputetëve nga Kuvendi i Kosovës.

Në këtë takim, ku në emër të Parlamentit të Kosovës delegacionin e ka kryesuar kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ndërsa nga ana e Bashkimit Evropian, deputeti Eduard Kukan, është folur kryesisht për rolin e Parlamentit të Kosovës në procesin e integrimeve evropiane të vendit.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është një rast, i cili e ka stabilizuar rajonin dhe Kosova nuk sheh kthim nga ky proces.

Duke biseduar për situatën aktuale në Kosovë, shumë parlamentarë kanë nënvizuar se vetë fakti se Kosova sot është në paqe, është arritje vetvetiu.

Disa deputetë nga Sllovenia, madje, kanë thënë se Kosova ishte vendi i parë ku filloi shpërbërja e ish-Jugosllavisë dhe tash edhe Kosova është në paqe dhe kjo, në një mënyrë, synon arritje të përbashkëta në Kosovë.

Mirëpo, të gjithë kanë thënë se ekzistojnë shumë sfida në rrugën e Kosovës. Kështu, përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Piter Feith, ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të rrisin funksionalizimin e tyre dhe sidomos Parlamenti duhet të marrë rolin kryesor në proceset e integrimeve evropiane, pasi që ky proces ka nevojë kryesisht për miratimin e ligjeve që janë në kuadër të standardeve evropiane.

Ai ka thënë se sa më të madh ta ketë rolin Parlamenti i Kosovës, aq më pak do të jenë të nevojshme përfaqësitë ndërkombëtare në Kosovë.

Piter Feith ka folur të martën paradite edhe me Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian. Ai në këtë seancë ka folur edhe për proceset që janë duke u ndjekur në rastet e dyshimeve për korrupsion në nivel të lartë.

Piter Feith është shprehur se këto hetime dhe raste duhet të përfundojnë në një kohë të duhur pasi që vitin që vjen në Kosovë do të zhvillohen zgjedhjet.

Ai edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin e tij se është një traditë demokratike evropiane që personat, udhëheqësit politikë, apo ministrat, që janë nën hetime, apo janë të akuzuar për korrupsion, të tërhiqen nga politika qoftë edhe përkohësisht, dhe nëse pastrohet emri i tyreve, atëherë mund edhe të kthehen.

Gjatë debateve në Parlamentin Evropian është folur shumë edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe është thënë se duhet shfrytëzuar rasti kur të nxirret mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë rreth shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Piter Feith ka thënë se pala kosovare ka vijat e kuqe rreth kësaj dhe ato janë se Kosova nuk është e gatshme që të rinegociojë statusin, e as që dëshiron të diskutohet për ndarjen e Kosovës.
XS
SM
MD
LG