Ndërlidhjet

Kriza sociale kushtëzon tensionet politike


Sheshi "Nënë Tereza", Prishtinë

Sheshi "Nënë Tereza", Prishtinë

Njohës të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të sindikatave në Kosovë, thonë se gjendja socio-ekonomike në vend vazhdon të mbetet e rëndë dhe shumë problematike. Ata theksojnë se autoritetet kompetente nuk po i kushtojnë shumë rëndësi përmirësimit të kësaj problematike.


Çështjet socio-ekonomike, papunësia dhe varfëria mbesin kërcënim kryesor i stabilitetit të vendit për shumë qytetarë kosovarë, thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe përfaqësues të sindikatave në Kosovë.

Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, e quan shqetësuese gjendjen socio-ekonomike në vend, e posaçërisht kur merret parasysh fakti, siç thotë ai, që kanë kaluar mbi dy vjet që nga shpallja e pavarësisë, ndërsa ende nuk janë vërejtur rezultate pozitive në këtë drejtim.

“Gjendja ekonomike dhe sociale, domosdo ndikon shumë negativisht në rrjedhat e çdo shoqërie, po ashtu edhe në shoqërinë kosovare. Duke pasur parasysh se ai 'ventili' politik, që ka ekzistuar para dy vjetësh, i situatës politike, tashmë është mbyllur, faktikisht kemi një ngopje politike, ta quajmë ashtu. Ndërsa, nga ana tjetër, kemi një uri të madhe, të them figurativisht në aspektin ekonomik”, thotë Dragusha.

Pakënaqësitë sociale mund të shfaqen si rezultat i papunësisë, pagave të ulëta në sektorin shtetëror, sigurimeve sociale, pensionale si dhe forcimit të pakontrolluar dhe të egër të sektorit privat. E, të gjitha këto pakënaqësi janë evidente te shoqëria kosovare, thotë eksperti i ekonomisë Sefedin Sefa.

“Duke u nisur nga gjendja momentale, të cilën të gjithë e njohim, por duke u nisur edhe nga raportet e etniteteve profesionale, siç është ai i
UNDP-së dhe Bankës Botërore, atëherë shihet se gjendja socio-ekonomike në Kosovë, vazhdimisht po shkon duke u përkeqësuar. Nuk po shihen hapa që duhet të ndërmerren, që kjo gjendje të ndryshojë për të mirë”, shprehet Sefa.

Në anën tjetër, sipas statistikave zyrtare, norma e papunësisë në Kosovë ka arritur në 48 për qind. Si pasojë e kësaj, varfëria mbetet e përhapur në 45 për qind të popullsisë, ndërsa 17 për qind janë në varfëri ekstreme.

Sipas ekspertit Sefedin Sefa, këto shifra duhet të jenë alarmuese për autoritete kompetente. Ai vlerëson se situata socio-ekonomike duhet të jetë prioritet në agjendën e Qeverisë së Kosovës.

“Durimi mund të jetë deri në një limit. Por, shihet se nuk ka një qasje që mund të jetë e koordinuar mes qeverisë, institucioneve dhe donatorëve, mjetet e të cilëve mund të jepen. Që të bëhet një lloj koordinimi kjo duhet të inkorporohet në një strategji që e parasheh Qeveria”,
vlerëson Sefa.

Edhe Ali Dragusha konsideron se institucionet kosovare nuk kanë një qasje konkrete, reale dhe shpresëdhënëse për këtë çështje.

Dragusha shpreh mendimin se për zbutur shkallën e lartë të papunësisë dhe varfërisë, Kosova duhet të krijojë, siç thotë ai, drejtësi sociale dhe të fokusohet në zhvillimin e resurseve natyrore.

“Mandej një çështje, në të cilën nuk është bërë mjaft, është çështja e marrëveshjeve të bashkëpunimit me shtetet për të punësim sezonal”.

“Sado pak, kjo do të ndikonte në një periudhë për 3 ose 6 muaj, stinëve të verës, dhe do ta kishte zbutur pak shkallën e papunësisë. Janë disa segmentet që është dashur t’u jepet më shumë prioritet, e që fatkeqësisht nuk iu është dhënë”
, thekson Dragusha.

Edhe disa raporte të organizatave ndërkombëtare, kanë theksuar se Kosova mbetet një nga shtetet më të varfra në Evropë, ndërsa gjendja socio - ekonomike, papunësia dhe varfëria mbesin kërcënim kryesor i stabilitetit të vendit.

Lexoni edhe këtë: Status-quo ekonomike
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG