Ndërlidhjet

Përplasjet mes VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së të shprehura ditëve të fundit, pas mosmarrjes së datës për çeljen e negociatave për anëtarësim të plotë të vendit në Bashkimin Evropian, drejtori i Institutit për kërkime socio-politike i vlerëson si fokusim të problemit të emrit në rrugën e duhur.

“Forcat progresive pro Bashkimit Evropian duhet të rriten brenda kampit politik maqedonas, sepse, përderisa nuk delegjitimohet kjo politikë e Qeverisë nga vetë maqedonasit, vështirë se këtë mund ta bëjnë shqiptarët”,
thotë Rizvan Sulejmani, drejtues i Institutit për kërkime socio-politike.

Ndërkaq, analisti politik maqedonas, Petar Arsovski, vlerëson se te të dy partitë politike më të mëdha maqedonase, VMRO DPMNE dhe LSDM, është krijuar një nervozizëm i brendshëm.

Sipas Arsovskit, që të dy këto parti janë ballafaquar me mungesë kapacitetit që të ofrojnë zgjidhje për çështjet e hapura që tangojnë interesat e qytetarëve, e veçanërisht zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë.

“Partitë politike në pamundësi që të komunikojnë me popullin, duke zgjidhur problemet reale, me të cilat ballafaqohen, ata komunikojnë njëra me tjetrën, duke u futur në të ashtuquajturat zona të sigurta që nënkupton sulm me çdo kusht dhe për gjithçka dhe jo ofertë si të zgjidhen problemet”,
vlerëson Petar Arsovski, ekspert për çështje politike.

Kohë më parë, zyrtarë të partisë Bashkimit Demokratik për Integrime, kishin deklaruar se në qershor kjo parti mund të ndryshojë kursin, nëse nuk zgjidhet kontesti me Greqinë, si kusht për anëtarësim në BE dhe NATO.

Lidhur me këtë deklaratë, Rizvan Sulejmani, drejtues i Institutit për kërkime socio-politike, komenton heshtjen e BDI-së.

“Shqiptarët vetë këtë çështje nuk mund ta lëvizin, e as ta zgjidhin, nëse nuk krijohet opinion publik brenda në Republikën e Maqedonisë, por edhe më gjerë, ngase tashmë problemi i emrit nuk është vetëm problem bilateral mes dy shteteve”
, thekson Sulejmani.

Por, për partinë politike shqiptare në opozitë, përbërja aktuale e qeverisë VMRO-DPMNE e BDI, kërcënon stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit, duke e mbajtur peng procesin e integrimit.

“Apelojmë te bashkësia ndërkombëtare që të ndërrojë qasjen ndaj kësaj qeverie, e cila për shkak të politikës së saj të rrejshme, meriton të ndëshkohet”.

"Kryeministri Gruevski me kokëfortësi e toleron situatën e moszgjidhjes së problemit lidhur me emrin, megjithëse ai dhe gjithë të tjerët e dimë se kushti kryesor i integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE, është kompromisi i zgjidhjes së emrit”
, shprehet zëdhënësja e Partisë Demokratike Shqiptare, Rudina Shaqiri, duke akuzuar BDI-në për mungesë kapaciteti për të ndikuar te partneri i koalicionit.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG