Ndërlidhjet

Obama: Gjenerali tregoi 'gjykim të dobët'



Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama takohet sot me kryekomandantin e tij në Afganistan, pas vërejtjeve kundërthënëse që ai i kishte bërë në një revistë amerikane.

Obama tha se dëshiron të dëgjojë nga vetë gjenerali Stenli MekKristal, përpara se të marrë ndonjë vendim, përfshirë shkarkimin eventual të tij.
Obama tha se MekKristal dhe bashkëpunëtorët e tij kanë treguar “gjykim të dobët”.

Ndjenjë e tillë u shpreh edhe nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Robert Gibbs.

“Padyshim, gjenerali MekKristal, ashtu siç tha Sekretari i Mbrojtjes Robert Gejts, ka bërë një gabim të rëndë, gabim për të cilin do të ketë rastin të flasë me zyrtarët në Pentagon dhe komandantin suprem”, tha Gibs.

MekKristal kishte kërkuar falje për artikullin në revistën “Rolling Stone”, e cila e citon atë të ketë bërë vërejtje negative për nënpresidentin Xho Bajden, dhe emisarin e posaçëm amerikan për Afganistanin dhe Pakistanin, Riçard Hollbruk.

Gibs refuzoi të thotë nëse gjenerali do të shkarkohet, por tha se "të gjitha opcionet janë në tavolinë".
XS
SM
MD
LG