Ndërlidhjet

logo-print

PE fton gjithë BE-në të njohë Kosovën

  • Augustin Palokaj


Parlamenti Evropian ka miratuar sot mocionin për rezolutën në Komitetin për Politikë të Jashtme për Kosovën, në të cilin, mes tjerash, ftohen vendet anëtare tjera të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë.

Ky amendament i propozuar nga mbështetësit e pavarësisë së Kosovës, kaloi me një dallim të ngushtë të votave, me 31 deputetë që votuan pro dhe 27 kundër.

Deputetët që votuan kundër këtij amendamenti ishin kryesisht nga vendet që nuk e kanë njohur ende Kosovën, si: Rumania, Spanja, Greqia Qiproja dhe Sllovakia.

Deputetja nga Austria, Ulrike Lunacek, e cila është edhe raportuese për Kosovën, tha se ky është një lajm shumë i mirë dhe një rezultat i mirë për Kosovën dhe pret që edhe në seancën plenare të Parlamentit Evropian, më 7 korrik në Strasburg, të votohet me shumicë të madhe votash pro kësaj rezolute.

Bruksel (Foto nga arkivi)

Lunacek theksoi se Parlamenti Evropian edhe kësaj radhe konfirmoi se e sheh të ardhmen e Kosovës në BE si një shtet të pavarur.

Parlamenti Evropian është i vetmi institucion i Bashkimit Evropian, i cili e trajton kosovën si shtet të pavarur, pasi që vendimet dhe rezolutat në Parlament miratohen me shumicë votash, ndërkohë që në Këshillin e BE-së vendoset me konsensus të të gjitha vendeve anëtare.


Prandaj, Këshilli dhe Komisioni nuk e trajtojnë Kosovën si shtet, pasi që pesë vende anëtare ende nuk e kanë njohur pavarësinë.

Parlamentarët evropianë mendojnë se mosnjohja nga pesë shtete po krijon disa probleme në rrugën e Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Në mes tjerash, po ashtu kërkohet nga EULEX-i në dhe nga autoritetet e Kosovës që të bëjnë më shumë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Po sot në selinë e Parlamentit Evropian në Bruksel kanë qëndruar edhe disa delegacione nga Kuvendi i Kosovës - një delegacion i Ministrisë së Bujqësisë dhe deputetëve që merren me bujqësi, si dhe delegacioni për Politikë të Jashtme, që kishte një takim ndërparlamentar me parlamentarët evropianë.

Në këtë të fundit u diskutua për çështjet ekonomike dhe të të drejtave të pakicave, si dhe për kthimin. Deputeti serb nga Kosova, Petroviq, theksoi se ka përparim në kthimin e serbëve në Kosovë dhe se në rast të mungesës së suksesit në këtë drejtim, nuk duhet hedhur kritika ndaj vetëm njërës anë.

Ai theksoi se gradualisht serbët e Kosovës po integrohen në institucionet e Kosovës, ndërsa shumë deputetë të Parlamentit Evropian mbështetën edhe pjesëmarrjen masive të serbëve të Kosovës në zgjedhjet e fundit për komunën e Parteshit.

Kjo, sipas deputetit nga Sllovenia, Jelko Kacin, është një shenjë se serbët e Kosovës duan të jetojnë në Kosovën si shtet të pavarur, interesin e tyre e shohin aty dhe nuk janë të gatshëm më që ta dëgjojnë Beogradin.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG