Ndërlidhjet

Bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit pas mendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, do të jenë të pashmangshme - është ky përfundim i nxjerrë nga shqiptarët dhe serbët në një debat në Çagllavicë. Por, palët nuk e perceptojnë njëjtë natyrën e këtyre bisedimeve.


Si shqiptarët, ashtu edhe serbët, thonë se bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë pas vendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jenë të pashmangshme.

Por, të çfarë natyre do të jenë ato bisedime?
Oliver Ivanoviq

Në një debat të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, sekretari shtetëror i Ministrisë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, bën të qartë se, çfarëdo që të jenë bisedimet, tema e statusit do të jetë e pashmangshme.

“Statusi do të jetë tema. Kjo është e pashmangshme. Është e pamundur. Edhe kur flasim për ujë, flasim për status. Edhe kur flasim për ngrohje, aty është statusi. Rryma, telefonat, tabelat - gjithçka lidhet me status”.

“Duhet të jemi të gatshëm, të gjejmë zgjidhjen më të mirë. Duhet ta bëjmë të qartë, që ju na keni zgjedhur për shkak se keni besuar në ne dhe ne do të gjejmë mënyrën më të mirë në interes të popullit, jo të elitave”
, thotë Oliver Ivanoviq.


Përderisa, zyrtarët kosovarë, për shkak të agjendës, nuk morën pjesë në debat, analisti kosovar, Ilir Deda parasheh biseda të rënda dhe të gjata pasi që GJND-ja të japë mendimin mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Drejtori i Institutit KIPRED, konsideron se Kosova dhe Serbia do të hyjnë në një ofensivë diplomatike menjëherë pas vendimit të GJND-së, gjë që, sipas tij, do të rrisë tensionin në të dy kryeqytetet.

Ilir Deda
Prishtina, sipas Dedës, do të dëshirojë që bisedimet të jenë të karakterit teknik, si mes dy shteteve sovrane. Por, Beogradi këto bisedime, do t’i quajë negociata për statusin.

Sidoqoftë, e rëndësishme, sipas Dedës, është që nga tryeza e bisedimeve të përjashtohet çdo mundësi e ndarjes së Kosovës.

“Do të ofrohet një shkëmbim i territoreve. Por, ky opsion i Serbisë, unë jam shumë i gëzuar që nuk do të ketë sukses, sepse kemi një unifikim të bashkësisë ndërkombëtare kundër ndarjes së Kosovës, kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan, si në Kosovë, ashtu edhe në Ballkan”.

“Ata do të presin që ne do të ulemi dhe të zgjidhim ato që bashkësia ndërkombëtare i kualifikon si bisedime teknike. Opinioni publik duhet ta ketë të qartë se nuk ka bisedime teknike mes dy vendeve, të cilat dallohen thellësisht në pikënisjet e tyre politike”,
shprehet Deda.

Në anën tjetër, Ivan Vejvoda, drejtor i Fondit Ballkanik për Demokraci, thotë se mendimi i GJND-së, mbi Kosovën, nuk do ta ndryshojë realitetin në terren dhe kjo, sipas tij, nënkupton që liderët duhet ta pranojnë sfidën e vështirë dhe të takohen me njëri-tjetrin.

Vejvoda shton se mendimi joobligativ i GJND-së për Kosovën, i mundëson Prishtinës dhe Beogradit që t’i zgjidhin çështjet, të cilat ende nuk janë zgjidhur.

...e rëndësishme është që të jenë të vendosur që t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura në rrugë diplomatike, institucionale...

Nëse flitet për atmosferën që mbretëron, Vejvoda thotë se ekzistojnë dy parakushte për nisjen e zgjidhjes së problemeve mes Prishtinës dhe Beogradit.

“E para është që të gjithë ata që janë zgjedhur në rajon dhe sot janë në pushtet, të jenë të vendosur për iniciativat evropiane, d.m.th. integrimin dhe kjo nënkupton vlerat dhe partneritetin. Nga ana tjetër, dhe po aq e rëndësishme është që të jenë të vendosur që t’i zgjidhin të gjitha çështjet e hapura në rrugë diplomatike, institucionale. Kjo është baza”.

“E dyta është që të ekzistojë vendosmëria dhe vullneti politik që të nisin zgjidhjen e këtyre çështjeve. Është fjala për njerëzit, për individët konkretë për komunitetet, që jetojnë në tërë rajonin, pra edhe këtu në Kosovë, të cilët duhet të jetojnë më mirë, më sigurt dhe t’u mundësohet një jetë e dinjitetshme, që të mund të jetojnë nga ajo që punojnë”
, thekson Vejvoda.

Institucionet e Kosovës vazhdimisht kanë përsëritur se me Serbinë nuk do të hapen më negociatat për statusin. Ky qëndrim është mbështetur edhe nga
Piter Feith, i cili një ditë më parë në Parlamentin Evropian, ka thënë se pala kosovare ka vijat e kuqe rreth bisedimeve dhe ato janë se Kosova nuk është e gatshme që të rinegociojë statusin, e as që dëshiron të diskutohet për ndarjen e Kosovës.
XS
SM
MD
LG