Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Obama u takua me gjeneralin McChrystal


Gjenerali amerikan, Stenley McChrystal, komandant i forcave të NATO-s në Afganistan, kishte një takim 30 minutësh me dyer të mbyllura, me presidentin Barack Obama.

Gjenerali McChrystal është ftuar në Shtëpinë e Bardhë për t’i shpjeguar komentet e tij kritike ndaj zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, që i bëri në një revistë amerikane.

Nuk ka pasur informacione të menjëhershme se çka është thënë në takimin Obama – McChrystal.

Më herët gjatë ditës, gjenerali McChrystal, është takuar me sekretarin amerikan të mbrojtjes, Robert Gejts, dhe me shefin e shtatmadhorisë së bashkuar të ushtrisë amerikane, Mike Mullen, në Pentagon.

McChrystal ka kërkuar falje për artikullin në revistën Rolling Stone, ku ka bërë komente negative për zëvendës presidentin Joe Biden, për të dërguarin amerikan në Afganistan dhe Pakistan, Richard Holbrooke, e të tjerë.

Presidenti Barack Obama tha se McChrystal ka treguar “gjykim të dobët”.

Obama theksoi se dëshiron të takohet me gjeneralin para se të ndërmarrë ndonjë aksion, përfshirë edhe shkarkimin eventual të tij.

Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, tha se shkarkimi i gjeneralit McChrystal, do ta shkatërronte progresin në luftën nëntë vjeçare në Afganistan.
XS
SM
MD
LG