Ndërlidhjet

SHBA: Obama e liroi nga detyra gjeneralin MekKristal


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, e ka liruar sot gjeneralin Stenli MekKristal nga detyra e komandantit të forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, pas komenteve kritike lidhur me zyrtarët e lartë të administratës amerikane në revistën Rolling Stone.

Duke folur në Shtëpinë e Bardhë, presidenti Obama tha se e ka pranuar dorëheqjen e gjeneralit Stenli MekKristal nga posti i lartë ushtarak në Afganistan.

Më herët, gjenerali MekKristal ishte ftuar në Shtëpinë e Bardhë për t’i shpjeguar komentet e tij kritike ndaj zyrtarëve të Shteteve të Bashkuara, që i bëri në këtë revistë.

Para takimit gjysmëorësh me presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë, gjenerali MekKristal, në Pentagon, ishte takuar edhe me sekretarin amerikan të mbrojtjes, Robert Gejts, dhe me shefin e shtatmadhërisë së bashkuar të ushtrisë amerikane, Majk Mullen.

Mediat amerikane kanë raportuar se në postin e komandantit të forcave amerikane dhe të NATO-s në Afganistan, do të emërohet gjenerali Dejvid Petraus.

MekKristal ka kërkuar falje për artikullin në revistën Rolling Stone, ku ka bërë komente negative për zëvendëspresidentin Xho Bajden, për të dërguarin amerikan në Afganistan dhe Pakistan, Riçard Hollbruk, e të tjerë. (f.b.)
XS
SM
MD
LG