Ndërlidhjet

Britania mbështet tërësinë territoriale të Kosovës


Londër

Londër


Britania e Madhe mbështet pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Kosovës, duke kundërshtuar çdo opsion të ndarjes, tha të enjten në Prishtinë, ministri britanik për Evropë, Dejvid Lidington.

Këto komente, ministri Lidington i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin Fatmir Sejdiu, të cilin ai tha se e ka siguruar se edhe qeveria e re britanike do të mbajë kursin e njëjtë të politikës mbështetëse ndaj Kosovës.

Dejvid Lidington gjatë konferencës për shtyp, Prishtinë 24 qershor 2010
Lidington tha se pret që procesi i interpretimit të pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, t’i çojë proceset përpara dhe assesi prapa.

“Presim që mendimi i ardhshëm i GJND-së do të na japë mundësitë që të ecim përpara dhe të mos kthehemi më prapa në debatet që tashmë janë vendosur në lidhje me pavarësinë e Kosovës”, tha Lidington.

Po ashtu, edhe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu tha se pret që argumentet e GJND-së të vërtetojnë atë që populli dhe përfaqësuesit e Kosovës e kanë shprehur përmes deklarimit të pavarësisë së Kosovës.

“E them se mendimi këshillëdhënës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk mund të jetë kundër argumenteve të lirisë të një populli. Unë s’dua të paragjykoj se cili do të jetë, por e them me bindje se Kosova është shtet i pavarur, ka integritetin e saj të garantuar ndërkombëtarisht dhe të vullnetit të popullit ë saj”,
theksoi Sejdiu.

Presidenti Sejdiu tha se Kosova dhe Serbia mund të bisedojnë pas verdiktit të GJND-së për interesa të përbashkëta ndërshtetërore dhe ato integruese euro-atlantike. Ai kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të bëjë presione shtesë mbi Serbinë, që të luajë një rol më konstruktiv në raport me Kosovën.

Ndërkaq, ministri Lidington tha se vendet që aspirojnë integrimet evropiane duhet t’i zgjidhin mospajtimet mes tyre para se t’i bashkohen BE-së.

Ai e ka përjashtuar mundësinë që Serbia të përafrohet në integrime, nëse nuk tregon gatishmëri për raporte të mira me fqinjët. Kosova dhe Serbia, nënvizoi Lidington, mund të bisedojnë vetëm për çështje teknike dhe jo për pavarësinë, e cila tashmë është fakt i pakthyeshëm prapa.

“Nuk e di se sa vite do të kalojnë, por shpresojmë që një ditë kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë i ngjashëm me kufirin që kanë sot Belgjika dhe Luksemburgu”, tha Lidington.

Ministri britanik zhvilloi një takim edhe me shefin e EULEX-it, Iv de Kermabo. Duke folur për punën e këtij misioni, ai veçoi gjendjen në pjesën veriore dhe luftën kundër dukurive negative, si sfidat më të mëdha të tij.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG