Ndërlidhjet

Samiti i G20-ës do të mbahet më 26-27 qershor në Toronto. Gjasat janë të pakta që vëmendja të tërhiqet për ndonjë vendim madhor, por si i tillë flet më shumë për bilancin e fuqisë dhe ndikimit që akterët më të mëdhenj ndërkombëtarë kanë.


Bisedime dhe më shumë bisedime

Kanadaja do të jetë nikoqire e këtij takimi, sepse aktualisht kreson G8-ën, grupin e vendeve të industrializuara dhe ky grup do të mbajë samitin e vet pak para G20-ës.

Grupi G8 daton që në vitet e 70’ta dhe në të janë përfshirë shumica e demokracive të mëdha industriale, plus Bashkimi Evropian, i cili përfaqësohet nga Britania, Franca, Gjermania dhe Italia.

Më 1997, presidenti Boris Jelcin qe ftuar për t’iu bashkuar këtij grupi nga presidenti Bill Klinton, me shpresën e integrimit të Rusisë në radhët e vendeve të fuqishme dhe të përgjegjshme. Klinton pati synuar ta kënaqë Rusinë, ashtu sikurse një njeri që përpiqet ta kënaqë një fëmijë të zhurmshëm duke i blerë një akullore.

Shpresat për pacifizimin dhe qytetërimin e sjelljes së Rusisë dëshmuan një dështim nën pushtetin agresiv të Vladimir Putinit, por ky është një rrëfim tjetër.

Vëmendja është zhvendosur tek G20-ta nga G8-ta, për faktin se në grupin më të madh janë përfshirë ekonomitë në rritje, siç është Kina, Brazili dhe India, sikundër edhe furnizuesit kryesorë të lëndës së paeë si Indonezia dhe Arabia Saudite.

Disa vende demokratike, si Australia dhe Korea e Jugut gjithashtu janë të përfshira. Avantazhi i dukshëm për G20-ën në raport me G8-ën është se është më inkluzive.

Disavantazhi i dukshëm ndërkaq është se e ka më të vështirë të arrijë marrëveshje në kuadrin e këtij grupi më të madh. Dhe kur diktaturat kryeneçe si Kina (ose Rusia) janë pjesë e grupit të madh, atëherë mund të thuhet se nuk mund te ketë marrëveshje serioze, pos një deklarimi të përgjithësuar në fund të takimeve, e ndoshta as atë.

Takimet e G8-ës dhe G20-ës janë dukshëm të dominuara nga recesioni i vazhdueshëm dhe kriza financiare. Një numër çështjesh në këtë rrafsh janë në agjendë, por dallimet midis vendeve pjesëmarrjes janë shpesh aq të mëdha sa që është e vështirë të imagjinosh ndonjë rezultat serioz nga këto takime.

Për shembull, demokracitë më të mëdha perëndimore nuk pajtohen mes vete se çfarë duhet bërë për të arritur deri tek një nivel i domosdoshëm të reformave bankare.

Nëse diskutimeve mbi këtë i shtohet Kina, Rusia, Arabia Saudite, Meksiko dhe Afrika e jugut, atëherë mund të paramendoni se rezultati nuk do të ketë fare substancë.


Orientimi pragmatik i Obamas

Janë të shumtë ata në BE që kanë frikë se lëvizja nga G8-ta në G20-ën do të nënkuptojë një zë më të dobët për Evropën. Dhe janë të shumtë ata në vendet demokratike, të cilët përgjithësisht, kanë frikë se përfshirja e vendeve autoritare dhe diktatoriale në një grup serioz të vendim-marrjes është vetëm humbje kohe.

Le të kujtojmë se më 2008-ën, gjatë fushatës parazgjedhore në Shtetet e Bashkuara, kandidati republican, Xhon Mekejn, pati bërë thirrje për vendosjen e një “Lige të Demokracive”, si një organizim i cili do të zëvendësonte Kombet e Bashkuara, që është një institucion i shtrenjtë dhe jo shumë produktiv, në anëtarësinë e të cilit janë përfshirë dhjetëra e dhjetëra diktatura.

Qasja e presidentit Obama nuk përfshin ndonjë institucion të ri e madhor sikur që përfshinte ajo e Mekejnit, por është qartazi e orientuar drejt zgjidhjeve multilaterale, pragmatike dhe të negociuara.

Në të nuk ka asnjë pjesë nga fjalori militant i presidentit Xhorxh Bush. Pothuajse një vit më parë, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, pati thënë se “duam të kthejmë prapa zgjerimin e armatimit nuklear, të parandalojmë përdorimin e tij dhe të ndërtojmë një botë të lirë nga kërcëbimet e këtij armatimi.
Duam të izolojmë dhe mposhtim terroristët dhe të përballemi me ekstremistët e dhunshëm, ndërkohë që ua shtrijmë dorën myslimanëve kudo në botë.

Duam të trimërojmë dhe ndihmojmë në përpjekjet e të gjitha palëve për të ndjekur dhe arritur një paqe afatgjatë në Lindjen e Mesme. Duam të synojmë një rimëkëmbje ekonomike globale, duke sforcuar ekonominë tonë, duke zbatuar një agjendë të ngjeshur zhvillimore, duke zgjeruar tregëtinë e lirë dhe të ndershme dhe duke shtuar investimet që krijojnë vende të ligjshme pune.

Duam të luftojmë ndryshimet klimatike, të shtojmë sigurinë energjetike dhe të shtrojmë themelet e një të ardhmeje prosperuese dhe të pastër energjetike. Duam të mbështesim dhe trimërojmë qeveritë demokratike që mbrojnë të drejtat e qytetarëve të tyre dhe ofrojnë rezultate për ta. Dhe ne synojmë të mbrojmë të drejtat e njeriut kudo”.

Është kjo një përmbledhje e mirë e agjendës amerikane edhe sot. Më 22 maj, presidenti Obama u është drejtuar kadetëve të akademisë ushtarake amerkane në Uest Point, për të cilën gjë pata shkruar edhe në Radion Evropa e Lirë. ("Teoria dhe praktika").

Më 27 maj, Shtëpia e Bardhë publikoi një raport mbi Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, me të cilin u nënvizua kursi i veprimeve ndaj kërcënimeve terroriste, duke mos iu nënshtruar mentalitetit agresiv të fjalorit gjatë viteve të presidentit Bush. Dhe për dallim nga Bushi, qasja e Obamas synon të jetë multilaterale dhe përfshirëse.

Për këtë arsye, Obama i jep më shumë peshë G20-ës. Ai synon që mbi të gjitha të punojë me Kinën dhe të përfshijë vendet sikur India dhe Brazili në planet e tij. Kur të merret me çarmatimin për shembull, ai duhet të bisedojë me rusët.

Kur të merret me energjinë, ai duhet të bisedojë me konsumuesit e mëdhenj, si Kinën apo Indinë dhe prodhuesit e mëdhenj si Arabia Saudite. Por, ai njëkohësisht është pragmatist që kërkon rezultate. Prandaj, ai nuk do të pajtohet me deklarime të zbrazëta, sikurse ato që favorizohen nga kinezët.

Pyetja tani është: edhe sa gjatë do ta vazhdojë Obama politikën e tij aktuale nëse ajo nuk sjellë rezultate? A do të mund ta zbulojë se mund të jetë më praktike për të themeluar një kornizë si ajo Liga e Demokracive e Xhon Mekejnit, për të bërë punë serioze me vendet serioze?

***
Patrick MOORE ka shkruar për zhvillimet në Ballkan për më shumë se 35 vjet. Ai ka qenë edhe analist i Radios Evropa e Lirë nga viti 1977 deri më 2008.
XS
SM
MD
LG