Ndërlidhjet

Telashet e gjyqësorit


Gjykata në Prishtinë
Gjykata në Prishtinë

Përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe njohës të drejtësisë, konsiderojnë se mungesa e ligjit për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe pagat e ulëta, bëjnë që në sistemin e drejtësisë në vend, të ketë më pak përfshirje të juristëve të rinj.


Në Kosovë ka filluar reformimi i sistemit të drejtësisë. Por, në fazën e parë, respektivisht, në procesin e emërimit dhe riemërimit të gjykatësve dhe prokurorëve, ka kritika se nuk janë përfshirë pothuajse fare juristët e rinj.

Zyrtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe ekspertët e drejtësisë thonë se mungesa e ligjit për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve si dhe pagat e ulëta, bëjnë që në sistemin e drejtësisë të ketë më pak përfshirje të juristëve të rinj.

Ata thonë se për ta kaluar këtë gjendje, duhet të përshpejtohet miratimi i ligjeve dhe rritja e pagave për gjyqësorin.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci, thotë:

“Ligji, kushtet për emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëveve, sidomos në disa nivele më të larta, i ka kufizuar disa limite, do të thotë për Gjykatën Supreme dhe Prokurorinë e Shtetit është kërkuar përvoja dymbëdhjetë vjeçare. Ndërsa, për nivelin më të ulët, atë të Gjykatës Komunale është kërkuar përvoja 3-vjeçare”
, thotë Peci.

Sipas kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, nuk është vetëm çështja e mungesës së legjislacionit, që në organet e drejtësisë dhe procesin e reformimit nuk ka gjyqtarë të rinj.

Enver Peci thotë se një prej faktorëve që ka ndikuar në mosinteresim është edhe paga mujore.

“Faktikisht edhe kjo qëndron. Shumë juristë që, vërtet, kanë aftësi profesionale në procesin e riemërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë hezituar të aplikojnë për këto pozita”.

“Dhe, ne nuk jemi të kënaqur me kualitetin që kemi për momentin. E, në anën tjetër, e dimë që në Kosovë ka shumë juristë të aftë që mund ta kryejnë këtë detyrë”,
thotë Enver Peci.

Edhe profesori i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik, Visar Morina, thotë se reformimi i sistemit të drejtësisë dhe inkuadrimi i të rinjve është domosdoshmëri dhe paraqet nevojë për një reformim të duhur në drejtësi.

“Një element që duhet të përmendet në këtë drejtim është edhe gjendja financiare për gjyqtarët në Kosovë. Sistemi gjyqësor ka nevojë të ketë një mbështetje më të fuqishme financiare, në mënyrë që gjyqtarët të kenë jo vetëm infrastrukturë të duhur, por të kenë edhe një standard financiar".

"Ky standard, do ta bënte pozicionin e gjyqtarit ose prokurorit më atraktiv, sigurisht se do të ndikonte fuqishëm në mënyrë që ky pozicion dhe pozicionet e gjyqtarëve të mund të bëhen joshëse për gjeneratat e reja”,
shprehet Morina.

Nga ana tjetër, edhe Ehat Miftaraj zyrtar nga Ministria e Drejtësisë tregon se paga mujore prej 200 deri në 240 euro nuk është e mjaftueshme për një zyrtar që punon në gjykatat ose prokuroritë e Kosovës.

“Ekziston dëshira dhe vullneti për të punuar, natyrisht. Edhe pas pranimit të këtyre personave, ata zakonisht kërkojnë vende të tjera të punës për arsye të pagave të ulëta. Është shumë e vërtetë se disa nga qytetarët e Kosovës nuk kanë mundësi për të jetuar në Prishtinë dhe janë të obliguar të udhëtojnë”.

“Paga simbolike prej 240 eurosh është shumë e vogël për t’i përmbushur obligimet ose interesat e tyre. Pra, mund të them se mbështetja financiare ndikon drejtpërdrejt tek ata, që të mos punojnë në këto institucione”
, sqaron Miftaraj.

Ekspertët e drejtësisë vlerësojnë se sistemi aktual i drejtësisë është jofunksional dhe kjo shtron nevojën e urgjente të reformave, në mënyrë që, siç thuhet, t’ju jepet zgjidhje problemeve, me të cilat përballet sot gjyqësori dhe qytetarët e Kosovës.

Ndryshe, procesi i emërimit të gjyqtarëve ka filluar, por ai ende nuk ka përfunduar. Deri më tash ka përfunduar vetëm faza e parë e emërimit dhe riemërimit të gjyqtarëve e prokurorëve.

Sipas njohësve të sistemit të drejtësisë, fillimisht është dashur të nxirret Ligji për Gjykatat dhe në bazë të ligjit, pastaj të emërohen edhe gjyqtarët.

Nga mbi 100 ligje, që deri më tani janë miratuar nga Kuvendi i Kosovës, vetëm pesë prej tyre i referohen drejtpërdrejt funksionimit të organeve të drejtësisë në Kosovë.

Lexoni edhe këto: Nisin reformat në drejtësi

Peci: Sistemi gjyqësor, në gjendje të keqe

XS
SM
MD
LG