Ndërlidhjet

Prokurorëve të EULEX-it u ngushtohet fushëveprimi


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Niveli i përhapjes së korrupsionit në Kosovë, kërkesat e udhëheqësve vendorë e ndërkombëtarë, por edhe thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare, duket se kanë shtyrë misionin e BE-së të ndryshojë fushëveprimin e prokurorëve të vet.


Misioni i Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, është duke planifikuar të ngushtojë fushëveprimin e prokurorëve të vet, në mënyrë që në të ardhmen ata të merren kryesisht me rastet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Nga 1200 raste, që aktualisht po i heton EULEX-i në Kosovë, 45 janë të ndërlidhura me raste të korrupsionit, ndërkohë që vetëm Zyra e Prokurorit të Posaçëm e këtij misioni thuhet se po heton 38 raste të dyshuara për korrupsion, në një nivel të lartë.

Zëvendësi i kryeprokurorit të EULEX-it, Jakob Uillaredt, bëri të ditur se në javët dhe muajt e ardhshëm prokurorët evropianë të angazhuar në të gjithë Kosovën, në krye të agjendës së tyre të punës, do të kenë rastet e ndërlidhura me korrupsion dhe krim të organizuar.
...aktualisht ka punë përgatitore për ngushtimin e fushëveprimit dhe në ndryshimin e fokusit të prokurorëve të EULEX-it, të cilët punojnë në Kosovë...


“Do të ketë një ndryshim të, le të themi, fushëveprimit të prokurorëve të EULEX-it në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”.

“Kjo do të thotë se aktualisht ka punë përgatitore për ngushtimin e fushëveprimit dhe në ndryshimin e fokusit të prokurorëve të EULEX-it, të cilët punojnë në Kosovë, në mënyrë që, kryesisht, të fokusohen në rastet e krimit të organizuar dhe të korrupsionit”,
u shpreh Uillaredt.

Ai theksoi se hetimet mbi rastet e korrupsionit në nivel të lartë janë duke vazhduar në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë veriun, por nuk dha detaje lidhur me kohën se kur mund të shihen rezultatet e para në këtë drejtim.

Një pasqyrë e caktuar kohore për arritjet e para në luftën kundër korrupsionit nuk ka mundur ta japë as Prokuroria e Kosovës, për shkak të, siç thuhet, kohëzgjatjes së hetimeve dhe nevojës për mbledhjen e provave të sakta.

Prokurori special në Prokurorinë Speciale të Kosovës, Besim Kelmendi, theksoi se janë hedhur hapat e parë në drejtim të përforcimit të koordinimit në mes të prokurorëve dhe policëve vendorë, kur bëhet fjalë për rastet e korrupsionit, prej të cilave në Prokurorinë e Kosovës tashmë ekzistojnë mbi 100 sosh.
...të gjitha prokuroritë kanë marrë një kërkesë nga kryeprokurori i shtetit, që të kërkojnë nga policia raportet për të gjitha rastet korruptive...


“Unë po ju garantoj se të gjitha prokuroritë kanë marrë një kërkesë nga kryeprokurori i shtetit, që të kërkojnë nga policia raportet për të gjitha rastet korruptive, për të cilat është kërkuar grumbullimi i informatave, por që ende nuk kemi marrë raporte deri më tani”
, tha Kelmendi.

Zyrtarët e EULEX-it dhe ata të Prokurorisë Speciale të Kosovës, theksuan nevojën për ngritjen e vetëdijes së qytetarëve kosovarë për t’ua dorëzuar institucioneve përgjegjëse informatat për rastet ku ata dyshojnë të ketë korrupsion.

Agjencisë Kosovare Kundër-korrupsion thuhet se në katër muajt e parë të këtij viti i janë dorëzuar më se 90 informata për veprime të mundshme korruptive.

Hasan Preteni

Shefi i kësaj agjencie, Hasan Preteni, u bëri thirrje institucioneve në nivelin qendror që të ndërmarrin, siç tha ai, veprimet e nevojshme në drejtim të fuqizimit të mjeteve dhe mekanizmave për luftën kundër korrupsionit.

“Duhet të bëhet përpjekje që nomenklatura ligjore të kompletohet. Mendoj që ligji për financimin e partive politike duhet të jetë sa më shpejtë”.

“Duhet të bëhen ndryshime në Kodin Penal me spektër të veçantë të fuqizimit të neneve, ku sanksionohen veprimet korruptive, të kemi ligj të veçantë për konfiskimin e pasurisë dhe duhet të fuqizohen mekanizmat anti-korrupsion, në veçanti duhet të fuqizohet gjyqësori”
, tha Preteni.

Nevoja për rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar në Kosovë, u theksua ditë më parë nga përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Piter Feith.
XS
SM
MD
LG