Ndërlidhjet

Kur do t’i ruajnë kosovarët kufijtë?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Transferimi i përgjegjësive nga forcat paqeruajtëse tek Policia e Kosovës për menaxhimin e kufirit me Serbinë, mbetet peng i Marrëveshjes së Kumanovës. Kështu kanë thënë të enjten në Prishtinë përfaqësues të KFOR-it.


Përfaqësues të NATO-s dhe të KFOR-it kanë bërë të ditur se, me gjithë rritjen e kapaciteteve të Policisë së Kosovës, transferimi i përgjegjësive në ruajtjen e kufijve të Kosovës, mbetet peng i kornizave të ndryshme ligjore.

KFOR-i tashmë ia ka bartur përgjegjësitë për ruajtjen e kufirit me Shqipërinë, Policisë së Kosovës. Por, një gjë e tillë nuk ka ndodhur ende edhe me kufijtë me Malin e Zi, Maqedoninë e Serbinë.

Komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald, gjatë një vizite në Prishtinë, ka thënë se kompetencat do të transferohen atëherë kur të plotësohen kushtet.

“Kur të plotësohen kushtet do t’i dorëzojmë. Besoj se për kufirin me Malin e Zi aktualisht është duke u punuar mes dy shteteve”
, ka thënë admirali Fitxherlad.

Por, komandanti i KFOR-it, gjenerali gjerman Markus Bentler, ka sqaruar më në detaje mënyrën e kalimit të përgjegjësive nga forcat paqeruajtëse te Policia e Kosovës.
Gjenerali gjerman Markus Bentler

“Nuk ka afat kohor, siç kam thënë gjithmonë, është çështje e kornizës ligjore. Me Malin e zi është rast special dhe kjo çështje duhet të adresohet nga institucionet e Kosovës dhe Qeveria”.

“Në jug, ndërkaq, për kufirin me ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë, po punojmë ngushtë me policinë kufitare të Kosovës, me drejtorin, për t’i ngritur kapacitetet e pastaj do t’i dorëzojmë përgjegjësitë, siç kemi bërë në rastin e Shqipërisë
”, ka deklaruar Bentler.

Ai ka nënvizuar se çështja është më e komplikuar në rastin e ruajtjes së kufijve me Serbinë.

“Sa i përket pyetjes së fundit, shumë lehtë mund t’i përgjigjemi asaj pyetjeje. Këtu ka implikime të mëdha politike dhe legale që lidhen me kornizën e përgjithshme të Marrëveshjes së Kumanovës”,
ka theksuar Bentler, duke iu referuar marrëveshjes së nënshkruar në vitin 1999, për ndaljen e ofensivës ajrore të NATO-së mbi caqet serbe në Kosovë e Serbi.

Ndryshe, edhe Fixherlad, edhe Bentler kanë lavdëruar Policinë e Kosovës si dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës për përparimin e bërë në ngritjen e kapaciteteve.

Admirali Mark Ficxherald


Fixherald është shprehur i kënaqur me mbarëvajtjen e zgjedhjeve të javës së kaluar në Partesh, komunë kjo e re serbe, në të cilën votuan 65 për qind e popullatës. Ai shtoi se kjo është një shenjë e mirë për të ardhmen e Kosovës multi-etnike.

As gjatë kësaj vizite, komandanti i krahut jugor të NATO-s nuk ka lënë pa përmendur rëndësinë që ka siguria e Kosovës jo vetëm në rajon.




“Siguria në Kosovë është vitale për tërë Ballkanin Perëndimor dhe për Evropën dhe NATO mbetet e përkushtuar ta ruajë këtë siguri”
, është shprehur Ficxherlad.

Trupat e NATO-s në Kosovë, në janarin e këtij viti janë reduktuar në vetëm 10 mijë sosh. Udhëheqësit ushtarakë të NATO-s, kanë thënë se Policia e Kosovës po ndihmon në masë të madhe këtë tranzicion të KFOR-it.
XS
SM
MD
LG