Ndërlidhjet

Samiti i bashkëpunimit rajonal


Zyrtarë kosovarë thonë se samiti i Prizrenit dëshmon përcaktimin e qartë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi për proceset integruese, duke u larguar kështu nga mentalitetet e vjetra të konfrontimeve.


Qeveria dhe deputetë kosovarë e vlerësojnë si shumë të rëndësishëm për Kosovën mbajtjen e samitit të Prizrenit në nivel presidentësh, ndërmjet katër vendeve të rajonit.

Sipas tyre, thirrja e këtij samiti, i treti me radhë, dëshmon përcaktimin e qartë të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi për bashkëpunim fqinjësor dhe shpreh gatishmërinë e tyre për proceset integruese euroatlantike, duke u larguar nga mentalitetet e vjetra të konfrontimeve.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se mesazhet e këtij samiti do të jenë bashkëpunimi fqinjësor dhe promovimi i paqes në rajon.
Hajredin Kuçi

“Këtu Kosova po tregon se ka një frymë të bashkëpunimit rajonal. Ka shumë çështje, në të cilat ne mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Është një simbolikë e mirë që edhe vendet e rajonit po përfaqësohen në këtë takim”.

“Unë besoj se do të ketë përfundime dhe ambient të mirë dhe tashmë ambienti i Ballkanit dhe i ‘ish-Jugosllavisë’, prej një ambienti konfrontimi, po kthehet në një ambient bashkëpunimi, çka është simbolikë e mirë për të gjithë ne”,
thotë Kuçi.


Samiti i Prevallës afër Prizrenit, përshëndetet edhe nga deputetët e opozitës. Naim Maloku, deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thotë se pavarësisht faktit që bëhet fjalë për një samit joformal, ai dërgon mesazhin e qartë se Kosova është pjesë e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal.

Naim Maloku

“Mendoj se jep një mesazh që Kosova është pjesë e një bashkëpunimi rajonal".

"Me këtë samit, unë e kuptoj që Serbia po izolohet dhe po mbetet i vetmi vend jashtë këtyre rrjedhave dhe jashtë integrimeve rajonale; jashtë iniciativave për integrim dhe bashkëpunim rajonal”,
vlerëson Maloku.



Samiti i presidentëve nga katër vende të rajonit në Prizren, sipas deputetit të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, duhet parë edhe si mundësi e përshpejtimit të shumë marrëveshjeve bilaterale që mund të priten në të ardhmen e afërt ndërmjet vendeve pjesëmarrëse.

Kurse, vetë organizimin e samitit në Kosovë, me ftesë të presidentit Fatmir Sejdiu, ai e sheh si një moment të rëndësishëm që dëshmon subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës.
Ibrahim Gashi

“Samitin e Prizrenit duhet parë si një samit të rëndësishëm për Kosovën në marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe natyrisht kjo po konfirmon se Kosova po ndërton raporte reciprociteti me shtetet e rajonit”.

“Ky takim do të shërbejë edhe si uverturë e fillimit të intensifikimit të marrëdhënieve midis shteteve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Kosovës”
, thekson Gashi.



Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka ftuar mysafirë presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, atë të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, dhe presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, në formatin e takimeve të ngjashme të mbajtura paraprakisht në Vlorë dhe Ohër.

Në samitin në Prevallë, nuk është ftuar edhe presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, për shkak të qëndrimeve që ky vend mban në raport me shtetin e Kosovës.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Serbia mbetet vendi i vetëm i kësaj pjese të Evropës që ka mentalitetin e së kaluarës.

“Serbia ende e ka mentalitetin e së kaluarës. Ajo po tenton të jetë bllokuese e bashkëpunimit rajonal. Ajo më së shumti po e dëmton veten, por në momente të caktuara, e dëmton edhe rajonin. Por, duket se rajoni është unik, përjashtimisht Serbisë, për politikën bashkëpunuese dhe jo konfrontuese”,
thotë Kuçi.

Pas mbërritjes së presidentëve në Prevallë të Prizrenit, të shtunën agjenda parasheh që fillimisht të ketë takime bilaterale, secili me secilin.

Kurse, në orët e pasdites pritet të mbahet një takim i përbashkët ndërmjet katër presidentëve, pas të cilit ata do të dalin para medieve për të prezantuar rezultatet dhe mesazhet politike që kanë samitet e tilla.
XS
SM
MD
LG