Ndërlidhjet

logo-print

Kosovë: Rritet tregu vendës i narkotikëve


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Në Kosovë po rritet tregu vendës i narkotikëve, thanë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Drogave. Kosova, sipas zyrtarëve, fillimisht ka qenë vetëm vend transit për narkotikët, por tash ka kaluar edhe në treg të tyre.

Vetëm gjatë periudhës kohore shtator 2009 deri në qershor 2010, Drejtoria e Hetimeve të trafikimit me narkotikë e Policisë së Kosovës, ka arritur të konfiskojë rreth 27 kilogramë substancë narkotike të llojit heroinë dhe mbi 188 kg marihuanë, si dhe droga të tjera në sasi më të vogla.
Bajram Rexhepi

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se konsumimi i drogës në Kosovë është një fenomen në rritje e sipër.

“Kosova, nga një vend transit i transportimit të drogës, po shndërrohet në një vend konsumues të narkotikëve. Në Kosovë janë duke vepruar grupet e ndryshme kriminale që janë të ndërlidhura me rrjetet e narkotikëve të rajonit”.

“Konsumimi i substancave narkotike është në rritje në hapësirat e shkollave të mesme, atyre fillore, në fokus të veçantë në shkollat e kryeqytetit”,
tha Rexhepi.

Megjithatë, institucionet e Kosovës, u zotuan se do të jenë shumë më aktive në luftimin e trafikimit me lëndë narkotike.


Kryeministri Hashim Thaçi tha se mekanizmat shtetërorë të Kosovës, duhet të jenë në krye të detyrës dhe të pakompromis përballë kësaj dukurie negative.

Hashim Thaçi

“Që nga dita e parë e punës sime kam qenë dhe mbes thellësisht i përkushtuar që mekanizmat tanë shtetërorë përgjegjës për t’u ballafaquar me këtë problematikë, pra mekanizmat e tillë të jenë në krye të detyrës dhe të jenë të pakompromis në luftimin e kësaj dukurie negative dhe të rrezikshme”,
deklaroi Thaçi.

Thaçi tha se Qeveria e Kosovës ka aprovuar strategjinë nacionale dhe planin e veprimit kundër drogave. Ai u zotua se do të mbështeten mekanizmat për ta zbatuar atë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është e përgjegjshme në përmbushjen e të gjitha obligimeve që dalin nga kjo strategji, duke përfshirë edhe buxhetin përkatës për implementimin e saj”.

“Mekanizmat tanë shtetërorë duhet të vazhdojnë që me profesionalizëm të udhëheqin implementimin e kësaj strategjie dhe të jenë mirënjohës për ndihmën profesionale të akterëve të tjerë ndërkombëtar apo vendorë”
, tha Thaçi.

Ndërsa, Safet Blakaj, psikolog, tha se Kosova po pëson rritje të shpejtë të përdoruesve të narkotikëve të tipit heroinë dhe marihuanë.

Sipas tij, mosha mesatare e personave që konsumojnë substanca narkotike, sillet prej 18 deri në 35 vjeç.
...është në rritje edhe sasia ose doza nga ana e përdoruesve të drogës, ndërsa është duke rënë mosha mesatare e përdorimit të drogave...


“Njëra ndër karakteristikat e përdorimit të drogave, është edhe rritja e shpejtë e përdorimit të drogave në përgjithësi, e posaçërisht e marihuanës dhe heroinës”.

“Po ashtu, është në rritje edhe sasia ose doza nga ana e përdoruesve të drogës, ndërsa është duke rënë mosha mesatare e përdorimit të drogave”,
theksoi Blakaj.

Në konferencën me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Drogës, të cilën e organizoi Ministria e Punëve të Brendshme, foli edhe kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi.

Ai theksoi se lidhur me bashkëpunimin ndër-rajonal për luftimin e krimit të organizuar edhe të narkotikëve, Prokuroria e Shtetit ka bërë marrëveshje ndërshtetërore me disa shtete të Evropës dhe marrëveshje të këtilla pritet të nënshkruhen edhe me shtete të tjera.

Ndryshe, Raporti i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit flet për një rritje enorme të përdoruesve të lëndëve narkotike në Kosovë. Sipas këtij raporti, numri i tyre arrin në 20 mijë përdorues narkotikësh.

Lexoni edhe këto: Lufta kundër drogës
Rehabilitimi nga varshmëria
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG