Ndërlidhjet

logo-print
Federata Ndërkombëtare e Futbollit pranon se diçka mund të mos jetë në rregull me topin "Jabulani", me të cilin po luhet në Botërorin 2010, por nuk do të reagojë në asnjë problem deri në fund të Botërorit.

Një pjesë e madhe e futbollistëve e kanë krahasuar “Jabulanin” me një top të thjeshtë që mund të blihet në shitore, për faktin se është i paparashikueshëm dhe fluturon në ajër shumë lehtë.

Sekretari i përgjithshëm i FIFA-s, Jerome Valcke, ka thënë se FIFA do të diskutojë për këto probleme me trajnerët dhe ekipet pas kampionatit, para se të takohet me menaxherët e "Adidas"-it që kanë prodhuar topin.

Portierët vazhdimisht kanë kritikuar topin, ndërsa së fundi ata janë përkrahur edhe nga sulmuesit dhe trajnerët e ekipeve.

Seleksionuesi i Brazilit, Carlos Dunga, ka pasur fjalosje verbale me Valcken shkaku i topit, pa nisur Kampionati Botëror, duke ftuar komisarët e FIFA-s që të dalin në terren dhe ta kontrollojnë personalisht topin.

Mbrojtësi i Danimarkës, Daniel Agger, ka thënë se topi fluturon në ajër sikur të jetë një "pirat i dehur", ndërsa Jabulani mund të shkaktojë edhe më shumë probleme gjatë fazës eliminatore që nisi të shtunën, ku ndeshjet do të vendosen edhe nga penalltitë.

"Topat kanë ndryshuar shumë në vitet e fundit. Janë bërë shumë më të shpejtë, ndërsa duke pasur parasysh se këtu në Johanesburg po luhet në lartësi prej 1700 metrash, atëherë topi është dukshëm edhe më i shpejtë", ka thënë ish-portieri i Gjermanisë, Oliver Kahn. "Për këtë arsye, portierët po punojnë edhe më shumë, por nuk besoj se mund ta marrim topin apo lartësinë si arsyetim".

"Ka shumë biseda për stadiumet, infrastrukturën dhe kjo është shumë mirë, por fillimisht duhet të brengosemi për topin", ka thënë portieri i Italisë, Gianluigi Buffon. "Nuk e kuptoj pse nuk kthehemi te versioni i topave bardh e zi, që kemi luajtur si fëmijë", ka thënë Buffon.
XS
SM
MD
LG