Ndërlidhjet

Kosova vazhdon të jetë e varur nga importi i produkteve të huaja. Rreth 90 për qind e mallrave të huaja importohen në Kosovë, ndërkaq vetëm rreth 10 për qind e produkteve kosovare mund të kalojnë në tregjet e rajonit apo të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Shkaktarë të kësaj gjendjeje, sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike dhe përfaqësuesve të eksporteve, janë institucionet e Kosovës.



Prodhuesit vendorë vazhdojnë të paguajnë taksa të larta për importimin e teknologjisë dhe të lëndës së parë, derisa importuesit sjellin produkte të gatshme me çmim shumë më të lirë, vlerësojnë përfaqësues të eksporteve në Kosovë dhe ekspertë të çështjeve ekonomike. Ata kërkojnë nga autoritetet kosovare që t’i subvencionojnë prodhuesit vendorë.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Musa Limani, thotë se në mungesë të një programi qeveritar për mbështetjen e biznesit kosovar, prodhuesit vendorë hasin në vështirësi të shumta. Sipas tij, Kosovës i mungon një politikë e shëndoshë e zhvillimit.

“Kjo bëhet për një qëllim tjetër të qeverisë, pasi që përmes importit, TVSH-së, doganave, qeveria siguron mjetet buxhetore. Vetë fakti që në kufi mbi 70 për qind e mjeteve buxhetore sigurohen nga doganat dhe TVSH-ja, tregon se Kosova nuk ka ekonomi të brendshme dhe kjo është një defekt shumë i madh”, thekson Limani.

Ndërkaq, eksportuesit vendorë kërkojnë përkrahje më të madhe nga institucionet, në mënyrë që t’i rrisin eksportet dhe rrjedhimisht të zvogëlohet deficiti tregtar, që vazhdon të jetë shumë i lartë.

Kryetari i Shoqatës së Eksportuesve të Kosovës, Nexhat Hasani, thotë se eksportuesit kanë barriera të shumta, prandaj edhe kanë nevojë për subvencione.

“Duhet që çështja e subvencioneve në Kosovë të rregullohet me ligj. Ende mungon Ligji për subvencione. Në fushën agrare duhet të subvencionohet. Shtetet e ndryshme të rajonit kanë fonde 30-50 apo edhe më shumë milionë euro vetëm për këtë fond”, thotë Hasani, duke kërkuar nga autoritetet kosovare që të veprojnë në këtë drejtim.

Në bazë të vlerësimeve, tregtia e Kosovës, për afro një dekadë, është karakterizuar me deficit të lartë, respektivisht eksporti vendor ka arritur të mbulojë vetëm rreth 10 për qind të importit.

Eksperti i ekonomisë, Musa Limani, thotë se ngritja e potencialit për eksport është parakusht për zhvillimin ekonomik të vendit. Por, megjithatë, ai thotë se në Kosovë mungojnë edhe mekanizmat profesionalë që do të dinin ta adresonin këtë çështje në mënyrën e duhur.

“Ata që hartojnë dhe zbatojnë politika makroekonomike, nuk janë ekspertë, nuk dinë se si në jetën praktike të bëhet zbatimi i instrumenteve përkatëse, që duhet t’i stimulojë prodhuesit vendorë dhe jo t’i destimulojë ata”, shprehet Limani.

Përfaqësuesit e bizneseve vendore kanë tërhequr vërejtjen se eksporti kosovar është në krizë si pasojë e shumë faktorëve. Ata kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të ndërhyjë në ekonomi, duke e ndihmuar prodhimin dhe duke ua krijuar prodhuesve vendorë hapësirën e tregut të Kosovës, pasi që, siç thuhet, vetëm konsumimi i prodhimeve vendore mund t’i garantojë Kosovës zhvillim ekonomik në të ardhmen dhe zbutje të papunësisë.

Lexoni edhe këtë:
Rritje e ulët ekonomike
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG