Ndërlidhjet

Beogradi i “zhgënjen” serbët kosovarë


Qeveria e Serbisë

Qeveria e Serbisë

Vendimi i Beogradit për shuarjen e administratave paralele të shtatë komunave të Kosovës, kritikohet nga politikanët serbë, që nuk janë pjesë e institucioneve të Kosovës. Ata thonë se me këtë hap, Serbia po ndihmon shtetin e Kosovës.


Politikanët serbë në Graçanicë dhe në veri të Mitrovicës nuk e kanë pritur mirë veprimin e Beogradit për të shuar administratat e shtatë komunave të Kosovës, që vepronin si struktura paralele në Serbi.

Javën që po lëmë pas, Qeveria e Serbisë vendosi që administratat komunale të Podujevës, Gjakovës, Suharekës, Deçanit, Prizrenit, Ferizajt dhe Klinës të shpërbëhen dhe në vend të tyre të emërohen koordinatorë.

Zyrtarë të Qeverisë serbe kanë thënë se ky vendim është marrë për shkaqe financiare, por edhe për shkak se administratat nuk ishin të vendosura në qytetet përkatëse, por në Serbi dhe në pjesët tjera të Kosovës të banuara me shumicë serbe.

Një hap i tillë e ka zhgënjyer politikanin serb nga Mitrovica, Marko Jakshiq. Ai thotë se presioni i Brukselit e ka shtyrë Beogradin ta marrë këtë veprim.
Kjo është pasojë e presionit të Brukselit, sepse Brukseli këmbëngul që të shuhen strukturat e Serbisë në Kosovë...

“Kjo është pasojë e presionit të Brukselit, sepse Brukseli këmbëngul që të shuhen strukturat e Serbisë në Kosovë. Për këtë arsye, edhe këto shtatë komuna kanë pushuar së ekzistuari, ato po shuhen. Në anën tjetër, me presionin e Brukselit, Beogradi nuk po lëshon letërnjoftime dhe pasaporta në Kosovë, por kjo po bëhet në territorin e Serbisë”.

“Kjo nënkupton që Beogradi është bërë bashkëpunëtor shumë i fortë, para së gjithash me administratën e Brukselit, duke marrë parasysh se ngadalë, por sigurt po i shuan institucionet e shtetit serb në Kosovë. Mendoj se është hap i gabuar dhe nuk do të çojë në mbetjen e serbëve në Kosovë”,
thotë përfaqësuesi i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Marko Jakshiq.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka mohuar se Qeveria serbe po shuan qeveritë lokale, duke sqaruar se Beogradi synon një strategji tjetër për të zgjidhur problemet në mënyrë më efikase.

Por, serbët në Kosovë, hapin e Beogradit e shohin si një porosi të keqe.

Dragan Veliq

Dragan Veliq, nga Këshilli Nacional Serb për Kosovën Qendrore, thotë se është dashur të respektohet Kushtetuta e shtetit serb.

“Do të shohim se cili është qëllimi, por sigurisht se porosia nuk është e mirë. Hapat do të mund të merreshin në një mënyrë tjetër. Do të shohim se cili do të jetë akti i Beogradit. Unë pres që në këtë drejtim të kryhet një reduktim, por jo të shpërbëhen institucionet - gjë kjo që do t’i dëmtonte interesat e komunitetit serb dhe jo vetëm”, thotë Veliq.

Beogradit i është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t’i shuajë strukturat paralele, të cilat janë më të përqendruara në veri dhe në mjediset me shumicë serbe.

Zyrtarët e Qeverisë serbe thonë se shuarja e shtatë administratave komunale, nuk është ndryshim i strategjisë karshi Kosovës, por Marko Jakshiq mendon se bëhet fjalë pikërisht për ndryshim strategjie.

“Sigurisht se ky është fillimi i një qëndrimi ndryshe të Beogradit, pasi që po shuhen institucionet e shtetit serb dhe një gjë e tillë kurrë s’ka ndodhur më herët. Në anën tjetër, kemi daljen e serbëve në Partesh, ku kanë dalë më shumë se 65 për qind në votime. Mendoj se pa ndihmën e Beogradit, një numër i tillë kurrë nuk do të dilte në zgjedhjet që i organizon Qeveria e Kosovës”, thotë Jakshiq.

Në anën tjetër, Dragan Veliq nuk beson se Serbia po ndryshon qasjen karshi Kosovës, edhe pse ai nuk e fsheh zhgënjimin me hapin e fundit të Beogradit.

“Mund të spekulohet me këtë, se me këtë hap mund të ndryshohet strategjia. Sigurisht se kjo është një porosi e keqe, por, në çdo rast, nuk duhet të nënkuptohet se ka ndryshuar strategjia, por do të shohim se cilët do të jenë hapat e ardhshëm”, shprehet Veliq.

Ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka sqaruar se strategjia nuk do të ndryshojë, por as nuk do të lejohet që paratë e dhëna për këto administrata, të vazhdojnë të shpenzohen pa sjellë produktivitet.

Megjithatë, Marko Jakshiq, që njëherësh drejton Kuvendin paralel të komunave dhe vendbanimeve serbe, thotë se Serbia, për shkak të BE-së, po heq dorë nga Kosova.
I tërë rrëfimi se Beogradi kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, bie, meqë Beogradi faktikisht po merr pjesë në ndërtimin e institucioneve të Kosovës...

“Personalisht, mendoj se Beogradi mundohet të luajë një lojë, që ta ketë edhe Kosovën, edhe BE-në. Por, me presionin e BE-së, që kanë thënë qartë se nuk mund ta ketë edhe njërën, edhe tjetrën, porse duhet të zgjedhë, unë nxjerr përfundimin se Beogradi më shumë vendos që të hyjë në BE, sesa të mbajë territorin e Kosovës”.

“I tërë rrëfimi se Beogradi kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, bie, meqë Beogradi faktikisht po merr pjesë në ndërtimin e institucioneve të Kosovës së vetëshpallur të pavarur, me faktin se po i shuan institucionet e shtetit serb në Kosovë”,
deklaron Jakshiq.

Ndërsa banorët serbë të veriut mbajnë sytë ende kah Beogardi, dhe kjo u dëshmua me zgjedhjet e 15 nëntorit, të cilat u bojkotuan tërësisht në këtë pjesë, bashkëkombësit e tyre në Kosovën qendrore kanë nisur të ndryshojnë qëndrim.

Zgjedhjet në Partesh, ku dolën mbi 65 për qind të votuesve, si dhe pjesëmarrja në zgjedhje për tri komunat tjera serbe (Graçanicë, Ranillug e Kllokot), ka ngjallur shpresat te Prishtina zyrtare, se më në fund po fillon integrimi i serbëve në sistemin kosovar.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG