Ndërlidhjet

Serbët shënojnë "Vidovdanin"


Gazimestan (Foto nga arkivi)

Gazimestan (Foto nga arkivi)

Rreth një mijë persona janë mbledhur në Graçanicë për të shënuar festën e Vidovdanit. Policia e Kosovës bëri të ditur se ka angazhuar 1500 pjesëtarë të saj për të ruajtur sigurinë në Graçanicë, por edhe në Gazimestan, ku pas mesditës pritet të mblidhen qytetarë dhe zyrtarë të ardhur nga Serbia, për të shënuar 621-vjetorin e Betejës së Kosovës.


Të ardhur nga Serbia, por edhe nga pjesa veriore e Kosovës, rreth një mijë persona kanë marrë pjesë në liturgjinë për atë që njihet si festa e Vidovdanit në Graçanicë.

Liturgjinë e ka udhëhequr kreu i Kishës Ortodokse Serbe, patriarku Irinej, ndërsa në të kanë marrë pejsë edhe dy ministra të Qeverisë së Serbisë, të cilët, sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Baki Kelani, kanë hyrë në Kosovë me leje të autoriteteve kosovare.

“Mund të konfirmoj se ministri Bogdanoviq ka hyrë në Kosovë qysh dje dhe ka qenë nën përcjelljen e Policisë së Kosovës. Po ashtu ka qenë edhe një ministër tjetër për çështje religjioze dhe i njëjti është nën përcjellje të Policisë së Kosovës. Ndërsa, sa u përket pelegrinëve, ka prej tyre që nuk kanë kërkuar leje, sepse janë nën cilësinë e riteve fetare dhe nuk kanë kërkuar përcjellje”, i tha Kelani Radios Evropa e Lirë.

Për të marrë pjesë në festën e Vidovdanit, e cila shënon datën kur ushtria serbe pësoi humbje nga Perandoria Osmane, në Betejën e Kosovës, në vitin 1389, nga Serbia në ditët e fundit kanë ardhur mbi një mijë persona.

Fillimisht, rreth 40 pjesëtarë të së ashtuquajturës Garda e Car Lazarit hynë pa iu nënshtruar kontrollit kufitar. Por, 900 motoçiklistë dhe qytetarë tjerë, sipas Kelanit, iu kanë nënshtruar procedurave kufitare. Kelani njoftoi se për të ruajtur sigurinë, Policia e Kosovës ka miratuar një plan operativ.

“Manifestimi vazhdon edhe për në Gazimestan. Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme si në nivelin qendror, ashtu edhe në nivelin e drejtorive rajonale. Në kuadër të planit 'Vidovdani 2010', ne kemi paraparë një numër prej 1500 zyratrëve policorë në të gjitha drejtoritë rajonale, vetëm e vetëm që t’iu ofrohet siguri e plotë të gjithë qytetarëve. Kështu që kemi marrë masat e nevojshme dhe besojmë që situata do të kalojë e qetë, pa ndonjë incident”, tha Kelani.

Në anën tjetër, Ergin Mediq, zëvendës i drejtorit rajonal i Policisë së Kosovës, tha se nën përcejllejen e patrullave të policisë, në orën 6 të mëngjesit nga Mitrovica veriore janë nisur tetë autobusa dhe gjashtë furgonë për në Graçanicë, ndërsa në orën 10 grupi prej 100 motoristëve të ardhur nga Sebria, është nisur kah Gazimestani.

“Policia e Kosovës ka siguruar përcjelljen e të gjithë atyre, që në mënyrë të organizuar kanë udhëtuar në Graçanicë, kështu që gjithsejtë 40 policë nga Mitrovica kanë qenë të përfshirë në përcjelljen e tyre. Nuk ka pasur asnjë problem, e as incidente”,
tha Mediq.

Policia e Kosovës njoftoi se 11 delegacione të ndryshme nga Serbia kanë këkruar lejen e autorieteteve për të marrë pjesë në shënimin e Betejes së Kosovës. Manifestimi afër monumentit të Gazimestanit mbahet në mesditë. Deri tash, Policia e Kosovës nuk ka njoftuar të jetë shkaktuar ndonjë incident.
XS
SM
MD
LG