Ndërlidhjet

Sejdiu: Nuk po e shkel Kushtetutën


Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu.

Presidenti Fatmir Sejdiu thotë se nuk ka dëshmi që vërtetojnë se ai po shkel Kushtetutën. Këto komente, ai i bëri si përgjigje ndaj kërkesës së 31 deputetëve për interpretim të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mbajtjen e dy posteve nga ai.


Me nismën e deputetit të pavarur në Kuvendin e Kosovës, Naim Rrustemi, janë mbledhur 31 nënshkrime të deputetëve, të cilët i kërkojnë Gjykatës Kushtetuese interpretimin në lidhje me mbajtjen e dy posteve nga presidenti Fatmir Sejdiu.

Ndonëse presidenti Sejdiu, që nga zgjedhja e tij në postin e kreut të shtetit, e ka ngrirë funksionin e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ky veprim i tij, sipas deputetëve nënshkrues, nuk e arsyeton, siç thonë ata, shkeljen e Kushtetutës nga ana e presidentit.

Kësaj nisme të deputetëve u është përgjigjur sot vetë presidenti Sejdiu, duke thënë se është e drejtë e deputetëve të kërkojnë interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Por, ai është shprehur i bindur se nuk ka bërë kurrfarë shkeljeje të Kushtetutës.

“Është e drejtë e deputetëve të japin mendimin e tyre, absolutisht... është në Gjykatën Kushtetuese të japë vlerësimin e vet. Unë them se ushtroj funksionalisht rolin, pozitën e presidentit të vendit dhe e kam të pezulluar që të ushtroj atë që më vihet barrë, rolin e kryetarit të LDK-së, në kuptimin efektiv, absolutisht. Prandaj, nuk mund të ketë asnjë dëshmi të drejtpërdrejtë që më vë barrë në këtë aspekt
”, ka thënë Sejdiu.

Ndërkohë, ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, tani në cilësinë e deputetit të pavarur, Naim Rrustemi, ka thënë se ai, bashkë me kolegët e tij nënshkrues, janë të bindur se Sejdiu ka shkelur Kushtetutën.

Ai ka deklaruar se bisedimet që bëhen në emër të LDK-së, në çështjet që kanë të bëjnë me vendimmarrjen, zhvillohen nga ana e Sejdiut dhe në emër të LDK-së.

“Të gjithë e dimë që bisedat rreth aktiviteteve politike janë të orkestruara nga një person, e ai është Fatmir Sejdiu, që është kryetar i LDK-së”,
ka thënë Rrustemi.
...nuk është mirë që të jetë shembull i keq për Kushtetutën, sepse e minimizon ndikimin e tij në kërkesën për respektimin e Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës.

Sipas tij, shkelja e Kushtetutës nga ana e presidentit të vendit po jep një shembull të keq dhe po minimizon thirrjet e tij drejtuar të tjerëve për respektimin e Kushtetutës së Republikës.

“Unë dëshiroj që ta shoh presidentin e Kosovës president. Ai është edhe president i imi dhe i gjithë neve... nuk është mirë që të jetë shembull i keq për Kushtetutën, sepse e minimizon ndikimin e tij në kërkesën për respektimin e Kushtetutës në tërë territorin e Kosovës”, ka thënë Rrustemi.

Dyshime në lidhje me shkeljen e Kushtetutës nga ana e presidentit Sejdiu janë shprehur që nga koha kur ai ka vendosur të mbajë postin e kryetarit të LDK-së, sado që ai ishte një post i ngrirë.

Në Kushtetutën e Kosovës shkruan se “presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës” dhe se ai “nuk mund të mbajë asnjë funksion tjetër publik”.

Sidoqoftë, është Gjykata Kushtetuese ajo e cila pritet të japë interpretimin përfundimtar në lidhje me dy postet e Sejdiut dhe vetëm atëherë do të sqarohet përfundimisht nëse është bërë shkelje apo jo e Kushtetutës së Kosovës nga ana e kreut të shtetit.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG