Ndërlidhjet

logo-print

Thaçi, Dell: Të privatizohen pjesë të KEK-ut


"Kosova A"

"Kosova A"

Në Prishtinë u mbajt forumi publik me temën “Privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit të KEK-ut". Kryeministri Hashim Thaçi dhe ambasadori amerikan, Kristofer Dell, theksuan nevojën e privatizimit të kësaj kompanie.


Privatizimi i furnizimit dhe distribuimit të energjisë elektrike të Korporatës Energjetike të Kosovës është mënyra e vetme që Kosova të mund të sigurojë energji të mjaftueshme dhe qëndrueshmëri financiare afatgjate të këtij sektori, u tha në një forum publik mbi privatizimin e distribuimit të energjisë elektrike.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, me këtë rast, vlerësoi se privatizimi i këtij transaksioni është qenësor për sigurimin e një furnizimi të sigurt dhe të qëndrueshëm të energjisë elektrike.

Kryeministri Hashim Thaçi.
Thaçi tha se ky proces do të ndikojë edhe në krijimin e një klime më të favorshme për investitorët potencialë në të gjithë sektorët.

“Objektivat kyçe, të cilat do të arrijnë përmes këtij privatizimi, janë: ngritja e sigurisë, përmes përmirësimit të inkasimit dhe eliminimit të humbjeve, në mënyrë që t’i krijojmë mundësitë për të financuar kapacitete të reja të domosdoshme gjeneruese; pastaj, shërbime të përmirësuara dhe qëndrueshmëri në furnizimin me energji elektrike për të gjithë konsumatorët, eliminimi i subvencioneve në sektorin e energjisë nga buxheti i Kosovës dhe nga donatorët, në mënyrë që të fokusohemi në prioritete të tjera të rëndësishme sociale“, tha Thaçi.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Kristofer Dell, vlerësoi përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të krijuar furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, pasi, sipas tij, një burim i besueshëm i energjisë është esencial për rritje ekonomike.
...transaksionet e ndërtuara me kujdes do të tërheqin partnerë të kualifikuar dhe kapital ndërkombëtar, në kohën kur Kosova nuk ka as përvojë teknike, por as fonde...

“Procesi i transferimit të distribucionit dhe furnizimit në duar me përvojë të sektorit privat, paraqet një hap monumental drejt pozicionimit të Kosovës për rritje ekonomike. Së pari, transaksionet e ndërtuara me kujdes do të tërheqin partnerë të kualifikuar dhe kapital ndërkombëtar, në kohën kur Kosova nuk ka as përvojë teknike, por as fonde për ta ndërmarrë një modernizim të tillë vetë”, tha Dell.

Ambasadori Dell nënvizoi se tenderët e punuar si duhet, me monitorim të kujdesshëm për privatizimin e furnizimit dhe shpërndarjes së KEK-ut, janë zgjidhje të vetme për një energji afatgjate dhe të qëndrueshme të shtetit.

Ai tha se një gjë e tillë do ta eliminonte burimin kryesor të korrupsionit, që, sipas tij, aktualisht është duke shkatërruar Kosovën.

Por, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, tha se privatizimi i kësaj kompanie do të jetë transparent dhe korrekt për të gjithë ofertuesit.
I tërë procesi do të kontrollohet dhe vëzhgohet nga këshilltarët e transaksionit dhe të gjithë ekspertët vendorë e ndërkombëtarë..

“I tërë procesi, duke përfshirë qasjen në informata, kontrollin e ofertave, kontaktet më investitorët, verifikimet e duhura dhe aspektet e tjera të procesit të tenderimit, do të kontrollohet dhe vëzhgohet nga këshilltarët e transaksionit dhe të gjithë ekspertët vendorë e ndërkombëtarë. Ne jemi të përkushtuar ta kryejmë këtë proces me transparencën më të plotë, siç kemi bërë deri më tani në rastet më të mira në këtë rajon, sidomos me aeroportin“,
tha Shala.

Privatizimi i kompanisë së distribuimit pritet të përfundojë vitin e ardhshëm. Ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë me konsumatorët që i përkasin kategorisë së rasteve sociale, të cilët janë të liruar nga pagesa e faturave të energjisë elektrike, numri i të cilëve nuk është edhe shumë i vogël.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG