Ndërlidhjet

SHBA: Arrestohen 10 agjentë rusë

  • RFE /RL

Shtëpia ku u arrestuan të dyshuarit.

Shtëpia ku u arrestuan të dyshuarit.

Zyra Federale e Hetimeve, FBI, ka arrestuar dhjetë persona, nën akuzat se kanë qenë agjentë sekretë të shërbimit rus të zbulimit. Qëllimi i të arrestuarve ishte depërtimi në rrethet e politikë-bërësve amerikanë. Lajmi është bërë i ditur nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-ve. I akuzuari i njëmbëdhjetë, që u ka bërë pagesat dhjetë të arrestuarve, është në arrati.

Por, Ministria e Jashtme e Rusisë deklaroi se informacionet rreth arrestimit të tyre janë kontradiktore. Zëdhënësi i diplomacisë ruse tha se po analizohen akuzat e ngritura nga SHBA-të, derisa shërbimi rus i zbulimit nuk dashi të komentojë rreth arrestimeve.

Ligji federal ndalon personat që të punojnë si agjentë të qeverive të huaja në territorin e Shteteve të Bashkuara, nëse paraprakisht nuk njoftohet Sekretariati për Drejtësi.

Arrestimet thuhet se janë rezultat i hetimeve disavjeçare. Siç njofton AP, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka zbuluar një measzh të shërbimit sekret rus për dy të akuzuarit që janë identifikuar si Riçard dhe Sintija Marfi.

Mesazhi thotë: “Jeni dërguar në SHBA për një periudhë më të gjatë. Arsimimi juaj, llogaritë bankare, makina, shtëpia – të gjitha i shërbejnë një qëllimi – të përmbushet misioni juaj kryesor, përkatësisht të gjenden dhe të zhvillohen lidhje në qarqet e politikës amerikane dhe të dërgohen informacione të fshehta”.

Havi Kler, ekspert për spiunazhin amerikan dhe rus në Universitetin Empori, thotë se është befasuar nga numri i personave të arrestuar dhe se kjo mund të çojë në konkludime të caktuara.

“Sigurisht, ky është një operacion shumë i madh, është befasues”, thotë ai.

Por, fakti se ka pasur arrestime, tregon se ata nuk kanë imunitet, thotë Kler.

“Këta njerëz nuk kanë imunitet. Ata janë të lidhur me diçka ilegale dhe nuk do të kenë mbrojtje diplomatike”, thotë ai.

Hetimet treguan se agjentët, me identitet të rremë, që nga viti 1990 kanë komunikuar me kode të fshehta dhe teknoligji të përparuara kompjuterike.


XS
SM
MD
LG