Ndërlidhjet

Kundër shkëmbimit të territoreve


Autoritetet kosovare hodhën poshtë mundësinë që me Serbinë të bisedojnë për idenë e shkëmbimit të territoreve. Ato thanë Prishtina do të fliste për shumë çështje me palën serbe, pos për integritetin territorial apo statusin e vendit.


Udhëheqësit e Kosovës shprehën gatishmërinë që pas prezantimit të mendimit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, me palën serbe të bisedojnë për çështjet praktike ndërmjet dy shteteve, por hodhën poshtë mundësinë që në kuadër të këtyre bisedimeve të figurojë statusi i Kosovës dhe integriteti territorial i vendit.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se integriteti territorial i Kosovës është i paprekshëm dhe i njohur ndërkombëtarisht nga 69 vende, të cilat e kanë njohur Kosovën me kufijtë aktual që ka.

Hashim Thaçi
“Kosova është shtet i pavarur dhe sovran. Integriteti territorial i shtetit tonë është i njohur ndërkombëtarisht, është i paprekshëm. Mund të ketë takime në të ardhmen - pas prezantimit të opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare, për të diskutuar si me të gjitha vendet e tjera të rajonit për çështje praktike”.

“Por, sa i përket statusit politik dhe integritetit territorial - ato çështje janë zgjidhur njëherë e përgjithmonë”,
u shpreh Thaçi.


Komentet e kreut të ekzekutivit kosovar erdhën një ditë pasi mediat lokale në Kosovë raportuan rreth kërkesave serbe për idenë e shkëmbimeve të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë - informata këto, të cilat u mbështetën edhe nga përfaqësues të Grupit Ndërkombëtar të Krizave.

Bazuar në këto informata, insistimi kryesor i shtetit serb gjatë bisedimeve me Prishtinën zyrtare pritet të jetë shkëmbimi i pjesës veriore të Kosovës me një pjesë të Luginës së Preshevës.

Mirëpo, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se Kosova do të hynte në bisedime me Serbinë vetëm me kufijtë aktualë që ka.

“Konsiderojmë që Kosova i ka kufijtë e vet shtetërorë. Ata kufij janë më të vjetër sesa që vetë Kosova që është shtet. Kërkojmë që të respektohet vullneti i shprehur i qytetarëve të Kosovës”.

Jakup Krasniqi
“Njohjet ndërkombëtare që i janë bërë Kosovës, i janë bërë me këta kufij dhe ndoshta në të ardhmen, pas një përmirësimi të marrëdhënieve me Serbinë mund të bisedohet edhe për çështje të tilla. Njëherë Kosova duhet të vendosë marrëdhënie normale me Serbinë me këta kufij që i ka”,
tha Krasniqi.

Krasniqi theksoi se me hapjen e çështjes së kufijve, do të hapej e ashtuquajtura “Kuti e Pandorës”, gjë që sipas tij, nuk do të ishte në interesin e vendeve të rajonit.

“Konsideroj që në këtë kohë, hapja e ndryshimit të kufijve është një lloj hapje e ‘Kutisë së Pandorës’, e cila nuk dihet se kur fillon, e nuk dihet se ku përfundon”.

“Mendoj që nuk është interes as i Kosovës, as i rajonit e as i përpjekjeve të vendeve e të popujve të rajonit për t’u integruar në Bashkimin Evropian për të hapur çështjet e kufijve”
, theksoi Krasniqi.

Prezantimi i mendimit këshillëdhënës i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës pritet t’u hapë rrugën bisedimeve teknike ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Pavarësisht spekulimeve, ende nuk ka asnjë të dhënë konkrete lidhur me kohën, formatin e as temat, të cilat do të figuronin në agjendën e diskutimeve ndërmjet palës serbe e asaj kosovare.
XS
SM
MD
LG