Ndërlidhjet

Kosova kërkon dialog për liberalizim të vizave


Ministri për Punë të Brendshme i Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, u takua gjatë së martës në Bruksel, me komisionaren evropiane për çështje të Drejtësisë dhe Punëve të Brendshme, Margaret Ualstrom, me të cilën, mes tjerash, bisedoi edhe për përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Pas këtij takimi, ministri Rexhepi tha se ka përcjellë porosinë në Bruksel se pala kosovare është e gatshme që t’i respektojë kërkesat e Komisionit Evropian për nisjen e dialogut të vizave.

Bajram Rexhepi theksoi se në Kosovë do të bëhen të gjitha përpjekjet për ta përmbyllur me kohë çështjen e regjistrit civil dhe më pas, në fund të këtij viti, të fillojë edhe procedura e lëshimit të pasaportave biometrike.

Sipas ministrit kosovar të Punëve të Brendshme, Komisioni Evropian është i gatshëm që ta përfshijë Kosovën në këtë proces dhe, siç u shpreh Rexhepi, pak më pak ka rëndësi se si do të quhet dokumenti - a do të quhet udhërrëfyes, apo një dokument për strategjinë e vizave - me rëndësi është që të arrihet qëllimi që Kosova të përfshihet në liberalizimin e vizave dhe që Kosova të trajtohet njësoj sikurse vendet e tjera të rajonit.

Bajram Rexhepi theksoi se nga Komisioni Evropian ka kërkuar që edhe formalisht t’ia japë palës kosovare kriteret që duhet plotësuar, ndonëse ato janë duke u plotësuar që tani, pasi që Kosova në mënyrë joformale e di se cilat janë kërkesat.


Të martën në Bruksel është zhvilluar edhe një debat i organizuar nga Shoqëria e Hapur dhe nga “ESI”, që është Nisma Evropiane për Stabilitet, ku është prezantuar një film dokumentar i titulluar “Kosova në geto”.

Në këtë debat është folur, po ashtu, për domosdoshmërinë që Kosova të mos mbetet një vrimë e zezë në rajonin e Ballkanit, sa i përket lirisë së lëvizjeve të qytetarëve të saj në vendet e Bashkimit Evropian.

Shumë folës, përfshirë këtu edhe përfaqësues të BE-së, kanë thënë se askush në Evropë nuk dëshiron që t’i izolojë kosovarët, por edhe Kosova duhet ta ketë parasysh se duhet t’i përmbushë kriteret e nevojshme.

Edhe në këtë debat mori pjesë ministri Bajram Rexhepi, i cili tha se ndjenja e izolimit te kosovarët mund të rritet edhe më shumë tash kur pritet që edhe Shqipëria dhe Bosnjë Hercegovina të përfshihen në procesin e liberalizimit të vizave.

Prandaj, ai apeloi te zyrtarët e BE-së që ta përshpejtojnë këtë proces dhe ta hapin këtë mundësi edhe për qytetarët e Kosovës.

Veton Surroi, nga Klubi për Politikë të Jashtme, theksoi se liberalizimi i vizave për Kosovën është diçka që është në interes edhe të serbëve të Kosovës, pasi që as ata nuk janë të përfshirë në liberalizimin e vizave, që vlen për vendet e tjera të rajonit.

Kështu që ky liberalizim mes tjerash është edhe diçka që lidh interesat edhe interesat edhe të shqiptarëve, edhe të serbëve në Kosovë.

Tanja Fajon, deputete e Parlamentit Evropian nga Sllovenia që është edhe raportuese për çështjen e vizave, tha se duhet bërë më shumë në Kosovë, por theksoi se edhe Bashkimi Evropian duhet t’i hapë dyert për kosovarët.

Ajo shtoi se në Parlamentin Evropian ekziston një mbështetje e plotë për përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizmit të vizave.
XS
SM
MD
LG